Vllaznia U-19 do të ndeshet me Astanen, kampionen e Kazakistanit në ndeshjet e “Uefa Youth League”. Ky është verdikti I shortit të hedhur mesditën e sotme në Nion të Zvicrës.
Një kundërshtar I vështirë në pamje të parë megjithëse nuk ka shumë informacion për të. Ekipi I parë I këtij klubi është shumë I njohur dhe ka patur një ecuri shumë të mirë në ndeshjet e Ligës së Kampioneve sepse drejtuesit e klubit kanë bërë një investim shumë të madh dhe ky investim përfshin edhe Akademinë e tij.
Sipas shortit të hedhur, ndeshja e parë do të luhet më 2 ose 3 tetor në Kazakistanin e largët dhe ajo e kthimit dy javë më vonë në Shkodër.
I pranishëm në ceremoninë e hedhjes së shortit ka qenë edhe përgjegjësi teknik I Akademisë Vllaznia Alban Neziri I cili mësohet të ketë kontaktuar menjëherë me përfaqësuesit e klubit Astana për të marrë më shumë informacion në lidhje me skuadrën e tyre apo dhe detaje të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin e këtyre dy ndeshjeve.
Ndërkohë në Shkodër një short I tillë nuk është pritur dhe aq mirë. Përveç largësisë së madhe gjeografike, skuadra e drejtuar nga Luan Zmijani nuk e njeh fare lojën e kundërshtarit.
Por kjo nuk do të thotë se Vllaznia U-19 nuk do të ketë pretendime në këtë kompeticion të rëndësishëm të futbollit të moshave.
Fakti që ndeshja e dytë luhet në “Loro Boriçi” është një avantazh që duhet shfrytëzuar megjithatë nuk është asgjë nëse nuk vlerësohet si duhet ndeshja e parë që do të luhet në transfertë.