Krahas valleve të kënduara, në folklorin muzikor të qytetit të Shkodrës bëjnë pjesë edhe këngët e ahengut, këngë që mjeshtrat popullorë shkodranë i kanë trashëguar brez pas brezi, duke rritur pa reshtur shprehjen, forcën dhe bukurinë e tingëllimit të tyre.
Dihet që pas pushtimit turk të vendit tonë, shumë qytete shqiptare, ndër to edhe Shkodra, për një periudhë të gjatë kohe nuk e morën dot veten. Megjithkëtë, është i njohur fakti që qytetet tona, edhe pas këtij pushtimi, kanë patur e kanë zhvilluar kulturën e vet, pra edhe muzikën e vet.
Këngët e ahengut kanë lindur si nevojë e natyrshme, në një stad të caktuar të zhvillimit të qyteteve tona, për të thënë diçka më tepër se vallet e kënduara. Vetë ndërtimi i këtyre këngëve, si formë më e zhvilluar, lindi si domosdoshmëri për të transmetuar një përmbajtje të re, një realitet shoqëror të ri që solli vetë zhvillimi i qyteteve.
Këngët e ahengut shkodran shquhen për tematikën kryesisht lirike-erotike me theks intim, për pathosin e thellë emocional dhe për dinamikën e zhvilluar që i karakterizon. Në to kanë zënë vend një radhë elementësh muzikorë të veçantë, siç janë frymëmarrja e gjërë e melodisë (mveshja e së cilës me lloj-lloj melizmash e kadencimesh të lira i kanë falur asaj, krahas tingëllueshmërisë vokale,
ndonjëherë edhe tipare instrumentale); trajtimi lirik (ku pasazhet e improvizuara gërshëtohen me ato të inkuadruarat); mbështetja në një radhë modesh të pasura; modulime të pazakontë; karakteri shprehës-emocional që ato marrin sipas rastit; përcjellset instrumentale (që kontrastojnë me dinamikën e vokalit); roli që luan në to shoqërimi instrumental etj.
Fakti që këngët e ahengut shkodran nuk kanë asgjë të përbashkët me këngët e tjera e sidomos me ato të ciklit që këndohen në dasëm, qoftë përsa i përket përmbajtjes, qoftë ndërtimit të tyre melodik, ritmik e modal; ka bërë që herë pas here të shfaqet ndonjë mendim i kundërt lidhur me origjinën shqiptare të tyre.
Por, pavarësisht nga këto mendime të shkëputura të cilat janë krejtësisht të pa argumentuara (fatkeqsisht studimet tona muzikore janë dukshëm të vonuara në këtë fushë), edhe këngët e ahengut gjatë kohës janë bërë pjesë e pandarë e asaj feste të madhe me karakter popullor siç është dasma.
Është i pamohueshëm fakti që, së bashku me pushtimin ushtarak, pushtuesi osman u përpoq të impononte kulturën e vet, pra edhe muzikën e vet. Por tashmë populli ynë kishte fituar tipare të përcaktuara mirë të kulturës së tij shpirtërore, të muzikës së tij, të folklorit të tij në përgjithësi që i ruajti dhe i zhvilloi me përpjekjet e tij shumë shekullore kundër pushtuesit të huaj, kundër asimilimit si popull, gjuhë, muzikë, zakone etj.
Duke u nisë nga sa thamë më siper, mendojmë se këngët e ahengut shkodran nuk mund të quhen të huaja pse në to ndikimi i një kulture tjetër është i ndjeshëm. Populli i ka seleksionuar ato duke ia pershtatur kerkesave shpirtërore dhe psikologjisë së tij.
Nga ana tjetër, fenomene të tilla takojmë edhe në kulturat muzikore të popujve tjerë. Ato duhen konsideruar dhe trajtuar si shkëmbime të natyrshme vlerash kulturore muzikore që nuk cenojnë në asnjë rast tërësinë origjinale kombëtare të këngëve të ahengut shkodran.
Në repertorin e pasur dhe të larmishëm të ahengut shkodran dallojmë disa tipe këngësh. Në përgjithësi ato ruajnë një unitet stilistik që flet qartë për epokën në të cilën janë krijuar dhe për evoluimin që ato kanë pësuar kohë pas kohe.
Melodia e këngëve të ahengut është në shumë raste e një sentimenti subjektiv, e butë dhe shumë përkëdhelëse për plastiken e saj. Kjo lidhet me përmbajtjen emocionale të këngëve. Zakonisht ato trajtojnë tema të lirikës qytetare në plan mjaft sentimental. Sentimentalizmi i tyre kalon në ndonjë rast edhe në shpërthime erotike disi të ekzaltuara.
Në krahasim me vallet e kënduara, këngët e ahengut shkodran kanë një shtrirje dhe një diapazon shprehës shumë të gjërë. Kulminacionet vijnë natyrshëm dhe zakonisht ndërtohen në pjesën e fundit të ndërtimit muzikor, duke konkretizuar kështu me forcë mendimin e vet.
Dy janë tipet e melodive kryesore që përbëjnë ciklin e këngëve të ahengut shkodran: meloditë e inkuadruara qartë nga ana ritmike dhe ato të karakterit të shtruar, që ose këndohen në mënyrë krejt të lirë, ose herë pas here gërshetohen me momente të inkuadruara ritmikisht.
Këngët e karakterit ritmik shquhen për një lirizëm efektiv, mjaft dinamik. Meloditë e tyre janë të zhveshura nga zbukurimet e shumta. Janë më koncize dhe ndërtohen me struktura frazore binare. Shembull këngët: “Ti je krejt si nji ganxhe”, “Ala emnin s’ta kam xanë” etj. si këto.
Këngët e karakterit të shtruar që këndohen sipas deshirës dhe ndjeshmërisë së këngëtarit, shquhen për zbukurimet e shumta, për natyren e një “ornamentalizmi oriental”, për rrjedhshmërinë dhe delikatesën e shprehjes artistike muzikore.
Të gjitha zbukurimet në tipet e melodive të shtruara qendrojnë si elementë jo të jashtëm. Në këto elemente shfaqen veçantitë e asaj lirike e cila shpreh një botë të tërë emocionale. Në këto këngë ku bëjnë pjesë edhe grupi i këngëve “jare”, ndjejmë thellë fantastikën krijuese të popullit. Shembull kënga “Jare të due, mori të due”.
Ritmika e këngëve të ahengut shkodran është shumë e pasur, qoftë për strukturën ritmike mbështetëse, qoftë edhe për formën. E kemi fjalën këtu jo vetëm për ritmin si skemë apo për karakterin e aksenteve, por edhe për trajtimin shumë të lirë që marrin këto aksente në kontekstin e dhënë.
Pjesa më e madhe e këngëve të ahengut shkodran shtjellohen në ritmin 7/8, pastaj vijnë ritmet 2/4 dhe 7+5/8. Më pak takohen ritmet 3/4, 5/8, 5+7/8 dhe 8/8. Brënda këngëve të shtrira ndeshemi edhe në kombinime ritmike të tilla siç janë ritmet 4+3/8, 4+5/8 etj. Shembull kënga “Edhe njiherë due me kja hallin”.
Kjo ritmikë që në veshtrim të parë duket sikur është e çrregullt, në ekzekutimin e ahengxhinjve shkodranë tingëllon jo vetëm shumë e natyrshme, por edhe shumë shprehëse. në kontekstin e dhënë, renditja e aksentave nuk ka më vlerë organizuese brënda masës, por brënda frazës. Në këto raste, ashtu si melodia, edhe ritmika ruan natyren e një improvizimi ritmik.
Zakonisht këngët e ahengut shkodran ndërtohen në formën dy pjesëshe të thjeshtë (strofë – refren) dhe pa përjashtim, kanë një hyrje instrumentale. Si rregull këto hyrje shtjellohen brënda 16 masave. Ka raste kur fillesat instrumentale ndërtohen me materialin tematik të vetë këngës, por në përgjithësi ato përmbajnë material krejt të ri, duke sjellë kështu zgjerimin e mëtejshëm të sferës emocionale të këngës. Shembull kënga: “Pranverë e bukur”.
Në këngët e ahengut shkodran, rëndom, takojmë edhe fraza instrumentale brënda për brënda këngës. Këto momente janë të lidhura jo vetëm me njifarë ndihme, po mund të shprehemi kështu, që i jepet këngëtarit për vazhdimin e mëtejshëm të këngës, por në mjaft raste edhe plotëson, zgjeron mendimin, i bën njëfarë jehone këtij mendimi. Megjithëse këngët e ahengut shkodran janë të stilit homofonik, këto fraza sikur krijojnë njëfarë “imitacioni” të largët. Shembull kënga “Në zaman të njasaj furi”.
Struktura modale e këngëve të ahengut shkodran mbështetet mbi një bazë të gjërë modale, duke filluar nga modet natyrore maxhore e minore, deri tek ato të ashtuquajturat mode orientale. Këto shkallë modale që populli i quan “perde” ose “makame”, janë gjithsej dymbëdhjetë dhe përcaktohen zakonisht nga tonika dhe lidhja e gradëve të ndryshme që bëjnë pjesë në strukturën e shkallës. Nganjëherë ndryshimi ndërmjet dy perdeve qendrore tek shtrirja ose diapazoni i tyre, d.m.th., dy perde kanë pak a shumë të njëjtën renditje intervalore, por dallohen nga diapazoni, shtrirja ose funksionet modale të tyre. Një gjë e tillë e ndërlikon mjaft ndërtimin e tyre.
Në dasmën tradicionale shkodrane, këngët e ahengut shkodran grupoheshin në shtatë grupe. Çdo njëri prej këtyre grup këngësh hapej e mbyllej me një pjesë instrumentale. Në tërësi, ahengu fillonte në mbrëmje dhe mbaronte në orët e para të mengjezit të ditës së neserme. Këngët që i përkisnin një grupi, këndoheshin në orë të caktuara të natës dhe përmbajtja e tyre lidhej në njëfarë mase me veçoritë e kohës kur këndoheshin. Kështu, këngët e grupit “sabah” që përfundonin krejt ahengun, këndoheshin në të gdhirë.
Shoqërimi orkestral bëhej me një grup instrumentash të përbërë prej violinës, sazes që kishte 10 tela dhe që akordohesh mbi parimin e kuartë-kuintës (la-re-sol); kavallit, dajresë. lugëve ose çapareve. Sazeja nuk përbënte një bazë të përhershme tonale, sepse akordi i saj lëvizte në varësi të grup këngëve. Nga gjysma e dytë e shek. XIX, kavalli u zëvëndësua nga klarineta. Më vonë, në vend të sazes hyri braçi, instrument melodik me forcë tingëlluese më të madhe se sazeja dhe bugarija që, në vend të akordit pedal, shoqëronte me harmoni të rregullt. Në çerekun e parë të shek.
XX, hyri edhe basi që siguroi fondamentin e orkestrës. Shtatë ishin akordimet që përdorin instrumentistët për të rënë në ujdi me njëri tjetrin.
Këngët e ahengut shkodran janë kënduar nga tenorë lirikë dhe me një impostim të bazuar në shkollën popullore të të kënduarit. Duke iu referuar një transkriptimi të vjetër të këngës “Në zaman t’njasaj furi”, rezulton se këngëtari shkonte lart deri tek nota Re bemol e oktavës së tretë. Gjatë ahengut këngëtari me përvojë ia linte radhen një këngëtari të ri. Kështu tradita e të kënduarit popullor transmetohej nga brezi nën mbikqyrjen e një këngëtari të njohur popullor. Shkolla popullore e të kënduarit meriton një vëmendje dhe studim të veçantë.
Një vend të veçantë në këngët e ahengut shkodran zënë këngët e trimërisë, si evokim i traditave luftarake të popullit tonë. Përmbajtja e re i ka diktuar krijuesit popullor nevojën e përdorimit të një ritmike dhe intonacioni jo thjeshtë qytetar. Në strukturën e këtyre këngëve vërejmë prirjen për t’iu shmangur modeve karakteristike të këngëve të ahengut, gjë që në shumë raste i afron këto këngë me intonacionet e këngëve të trimërisë që këndohen në Malësi. Shembull janë këngët: “Dasho Shkrelit”, “Dedë Gjon Lulit”, “Ali Pashë Tepelenës”, “Krisi topi, gjemoi deti” etj. si këto.
Bashkëtingëllimi për një kohë të gjatë në dasmat e qytetarëve shkodranë e këngëve të ahengut me vallet e kënduara, ka bërë që mjaft elementë intonativë të këtyre të fundit të zënë vend në strukturën e disa këngëve të ahengut. Shembull këngët “Si t’kam dashtë unë ty”, “Hajde verë e bardha verë”, “Mollë e kuqe top sheqere” etj. të kësaj natyre. Së bashku me këto intonacione, ato u kanë falur këtyre këngëve edhe elegancën, finesën dhe ndjeshmërinë që është tipike per vallet e kënduara.
Është vendi këtu të japim disa konsiderata lidhur me evoluimin që vërehet dukshëm në krijimtarinë popullore të këtyre 100 viteve të fundit, krijimtari që ka pasuruar me vlera të qendrueshme repertorin e këngëve të ahengut shkodran.
Në qoftë se në periudhat e hershme të krijimit të këngëve të ahengut shkodran, mendimi muzikor ishte mjaft i zhvilluar dhe që në disa raste merr përmasa të një bukurie të veçantë, mendimi poetik qendron në këto këngë relativisht prapa. Dhe kjo është e kuptueshme.
Temat shoqërore, në kushtet e një pushtimi të egër dhe prapanik, trajtoheshin në tekstin poetik në mënyrë të terthortë, alegorike. Megjithkëtë, në fillimet e zgjimit tonë kombëtar, Rilindjes sonë Kombëtare, kemi një evoluim të ndërgjegjshem si të përmbajtjes, ashtu dhe të formës në këngët e ahengut shkodran.
Nuk ka dyshim se këngët më të mira të ahengut shkodran, krijuar gjatë 100 vjeçarit të fundit, janë dhe duhen vlerësuar si dokumente muzikore ku ndjehet dinamika e jetës qytetare dhe zbulohen një radhë motivesh shoqërore, të cilat, nga jeta zunë vend në këngë dhe që nuk i takojmë në këngët tjera popullore si, p.sh., në këngët e dasmës, të cilat pasqyrojnë vetëm ceremonialin e saj. Ky fakt na shtron për detyrë të nxjerrim në pah këtë dinamikë jetësore që pasqyrohet në këngët e ahengut shkodran të kësaj periudhe. Kështu, në këto këngë dallojmë elemente të zhvillimit
arsimor (nga kënga “Iptida due me fillue” sjellim vargjet “Ku ta gjejë unë nji shkollar/F’tyren tande me ta shkrue”); dallojmë kalimin nga shprehjet alegorike në thirrjen e drejtpërdrejtë të objektit të frymëzimit (këngët “Sa me t’shpejtë ma vune kamben”, “Midis t’ballit m’ke nji pikë”); dallojmë vendosjen për herë të parë të emrit të vajzës në tekst (këngët “Mori drandofilja e vogël”, “Kur me flet me gojë moj Gjyle”); rritjen cilësore të vargut poetik nën ndikimin e poezisë qytetare të kohës; ngjyrën lokale që marrin këngët (këngët “N’Shkodër tonë ka ra nji dritë”, “Ti moj Shkodër, Shkodra e jonë”); dallojmë pasurimin e teksteve të këngëve me elementë përparimtarë, siç është mosperfillja ndaj kufizimeve fetare etj.
Në planin muzikor të tëra këto gjejnë reflektim në kontekstin e përgjithshëm të këngës, këngë e cila arriti kulme të tilla që janë vlerësuar si paralajmëruese apo modele të para të romancës e deri të aries shqiptare (këngët “Marshalla bukurisë sate”, “Për mue paska kenë kysmet”, “Kenke nuri i bukurisë”).
Mund të themi me bindje se sot proçesi i zhvillimit të këngëve të ahengut qytetar (e kemi fjalën këtu jo vetëm për ato të qytetit të Shkodrës, por edhe të disa qyteteve tjera shqiptare ku këto këngë janë kultivuar pak a shumë në të njëjtat rrethana historike dhe po me të njëjtat karakteristika muzikore), ka hyrë në një etapë të re që paraqet ndryshime të dukshme në procesin e zhvillimit të hershëm të saj.
Mjafton të theksojmë kalimin nga tradita gojore e transmetimit në atë të notizuar; variantet e reja të interpretimit të këtyre këngëve nga artistët profesionistë; ndryshimet në tekst e muzikë që iu bënë varianteve të vjetra nga vetë muzikantët popullore; gërshetimin e këtyre këngëve në dasma, festa familjare, manifestime të ndryshme artistike-muzikore si koncerte etj. me këngë të muzikës së lehtë, popullore të krahinave tjera të vendit tonë apo edhe me muzikë të popujve dhe vendeve tjera.
Koha ka seleksionuar repertorin e gjërë të këngëve të ahengut, duke pranuar ato që janë me të vertetë popullore dhe që shprehin ndjenjat e aspiratat e tij si dhe duke mënjanuar ato që mbartin karakteristika dhe mënyra jetese të huaja për popullin tonë.
Sidoqoftë, mbetet të ndërmerren studime të mëtejshme, aq më tepër se numri i përgjithshëm i tyre nuk dihet, se mungojnë të dhëna qoftë për sa i përket stilit kompozicional, qoftë për stilin interpretativ të shumë prej këtyre këngëve.
Një fushë tjetër studimi, e pa rrahun ende me vemendjen e duhur nga muzikologët tanë, është edhe përcaktimi i plotë i tipeve të këngëve të ahengut dhe i varianteve të tyre në qytetet e ndryshme të Shqipërisë apo ndikimi që kanë ushtruar në strukturën e këtyre këngëve elementët intonativë të këngëve të fshatit e të Malësisë.
Albert Vataj