Armir Grima është ndalur dje nga forcat e policisë për operacionin e koduar “OAZ”, nga i cili janë arrestuar dhjetra të dyshuar për krime të ndryshme, por edhe për trukim të rezultateve të ndeshjeve të futbollit në vendin tonë.
Një prej të cilave është takimi mes Vllaznisë B dhe Tërbunit, i luajtur më 5 maj të këtij viti. Por, Rudi Vata e thellon më tepër këtë skandal që ka shpërthyer në botën e sportit shqiptar, pasi Armir Grima është dhe trajner i kombëtares së femrave.
Vata akuzon Armir Grimën për influencim në rezultatin e dy takimeve: Vllaznia – Flamurtari dhe Pogradeci – Vllaznia të luajtura më 31 mars dhe 6 prill të vitit 2012. Asokohe Vata mbante postin e trajnerit të kuqebluve.
Vllaznia fitoi ndeshjen kundër Flamurtarit me rezultatin 2-1, ndërkohë që atë kundër Pogradecit e ka humbur po me rezultatin 2-1. Madje Vata për “Panorama Sport” thekson se arbitri i katërt, i ndjeri Rigers Pjetrushi i ka komunikuar se diçka nuk shkon në tribunën “VIP” ku edhe përcaktoheshin rezultatet, ndaj Vata nuk duhej të mërzitej.
“Kurrë nuk e harroj bisedën me arbitrin e katërt Pjetrushi, në ndeshjen Pogradeci – Vllaznia 2-1, i cili duke parë pakënaqësitë që unë kisha për arbitrimin, më jep këtë përgjigje: ‘Nuk është faji jonë, sepse ata dy burrat lart na kanë sjellë këtu me këtë mision. Prandaj, kërkoja atyre, jo neve’. Kjo më konfirmoi edhe më tepër atë që kishte ndodhur gjatë ndeshjes”.
Veç Grimës, i arrestuar është dhe Fabiol Rexhepi, portieri shkodran që ka luajtur për Vllazninë në periudhën që Vata ka qenë aty trajner, ndërkohë që sezonin e shkuar ishte titullar te Tërbuni B. Gjithashtu ky i fundit është i ndaluar për këtë çështje, trukim të ndeshjeve. Që do të thotë se situata është e thellë. Siç bën me dije dhe policia, Armir Grima dhe Fabiol Rexhepi janë dy të ndaluarit kryesor për çështjen e trukimit të ndeshjeve sepse ata kanë pasur lidhje me grupin e Safet Bajrit.