CIA ka deklaruar se Enver Hoxha në 10 vitet e para të pushtetit futi në burg më shumë se 10 për qind të popullsisë. Në dy dokumente të deklasifikuar bëhet një panoramë e situatës politike, teksa tregohet se si mbahej me forcë pushteti. Ndërkohë thuhet se më 1974 regjimi u mbërthyer nga paranojat e BRSS dhe shumë njerëz po gjenin strehim në bunkerë.
Disidenca popullore në Shqipëri e ka origjinën në shkaqe politike, shoqërore, kulturore, fetare dhe ekonomike. Përpjekjet barbare të regjimit komunist për shuarjen e të drejtave individuale si motivin e familjes patriarkale, autonominë e fshatit dhe të besimit fetar, janë nga më të urryerat për masat. Për shumë shekuj, në Shqipëri ka qenë traditë kundërshtimi i autoriteteve qendrore. Patriotizmi lokal, krenaria dhe individualizimi i sëmurë janë kombinuar me njëri-tjetrin duke nxitur kundërshtimin ndaj të gjitha autoriteteve, si të huaja e të brendshme.
Ky tipar është më i theksuar në zonat veriore malore të banuara nga Gegët, të cilat deri në Luftën e Parë Botërore kishin pak kontakte me botën moderne. Ndërsa fiset jugore Toskët, kanë qenë më të hapura dhe më në kontakt me idetë dhe teknikat e reja. Gjithashtu intelektualët toskë ishin të parët që u interesuan te marksizmi. Nga ana tjetër regjimi aktual komunist identifikohet gjithashtu me jugosllavët e urryer. Shqiptarët i urrejnë sllavët që prej kohës kur ata i detyruan të largoheshin në zonat malore të Adriatikut.
Masakrat e shqiptarëve nga serbët gjatë luftërave ballkanike në 1912 kanë përkeqësuar këtë ndjesi. Prandaj dhe komunizmi, kryesisht për Gegët ka dobësinë e lidhjes me sllavët, të cilët faktikisht ishin krijuesit e Partisë Komuniste shqiptare gjatë luftës në 1941, dhe u drejtua prej tyre deri në 1948 kur Tito dezertoi nga blloku sovjetik ndërsa udhëheqësi shqiptar Hoxha e radhiti vendit me Moskën.
Një tjetër bazë e gjerë e disidencës në Shqipëri janë ndërhyrjet e komunizmit me trashëgiminë kulturore në vend. Pas pavarësisë së Shqipërisë në 1912, në vend u hapën disa shkolla franceze, angleze e italiane, dhe të rinjtë shqiptarë mund të shkonin në universitete perëndimore. Ndërsa regjimi komunist po përpiqet të vendosë me forcë orientimin sovjetik kulturor dhe ekonomik, me gjithë kundërshtimet e intelektualëve shqiptarë.
Regjimi duket i paaftë për të ndryshuar këtë situatë dhe shpesh i akuzon mësuesit për sjellje borgjeze dhe për nivel të ulët ideologjik. Kryqëzata komuniste kundër fesë gjithashtu ka nxitur pakënaqësinë popullore jo vetëm prej ndërhyrjes në çështjet e besimit, por dhe prej faktit se besimi fetar konsiderohet si pjesë e trashëgimisë kulturore.
Grupet fetare në Shqipëri (grupet myslimane, katolike dhe ortodokse) të cilat kanë luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin kulturor, tashmë janë vënë nën kontrollin e shtetit. Standardet aktuale të jetesës janë një tjetër shkak i nxitjes së disidencës.
Në përgjithësi ato kanë qenë gjithmonë të ulëta por ndryshimi mes periudhave para dhe pa-komuniste është aq i dukshëm sa për të provokuar zemërim, siç ndodh me normat e punës dhe huat e detyruara të fshatarëve.