Është historia e Klora Merlikës, simboli i mbijetesës në kampet e internimit, atje ku shkoi fëmijë e kaloi 45 vite të jetës, ku pa të vdisnin bashkëmoshatarët e saj. Atje ku dashuroi e veshi fustanin e bardhë të nusërisë, atje ku la nënën e saj përgjithmonë.
Një fustan i bardhë dhe një shëtitje nëpër dyert e familjeve të internuara janë të paktat çaste që mban mend Klora Merlika në ditën e shënuar të jetës së saj, atë të martesës. Ajo ditë nuk do të bënte asnjë ndryshim nga ditët e zakonshme të jetës së saj të mundimshme në kampet e internimit nga Berati në Tepelenë e deri në Savër.
Kishte mbërritur në kampet e internimit, kur kishte ende përparësen e shkollës fillore dhe është larguar prej andej 45 vite më vonë. E kanë quajtur simbol të mbijetesës, pasi e kanë degdisur thuajse në të gjitha kampet e internimit të Shqipërisë. Është Klora Merlika, nusja e djalit të ish-kryeministrit Mustafa Merlika. Është një ndër ato që ka vuajtur më së shumti terrorin komunist, që kur ishte fëmijë. Ja si e kujton ajo fëmijërinë në kampet e internimit, atje ku shumë bashkëmoshatarë të saj humbën jetën në mënyrë tragjike.
“Duke qenë pjesë e familjeve të mëdha, në fillim dhe në fund të kampit ishin banjot, dhe ne të Mirakajve (gruaja e xhaxhait, ishte grua ministri) bashkë me Bardha Markagjonin na vendosën në fund, në një hapësirë jashtë çdo kushti normal. As mbijetesë nuk e quaje dot. U desh shumë mund nga nëna ime e nuset e xhaxhallarëve për ta pastruar vendin rrotull, deri sa mori një pamje të pranueshme. Në Berat ne qëndruam nga viti 1944 deri 1949-n, gati pesë vjet.
Shumë herë aty në kamp ra sëmundja e malaries, tifoja, dhe fëmijët e vegjël vdisnin njëri pas tjetrit. Brenda një nate kanë vdekur mbi 20 fëmijë, dhe unë nuk kam për ta harruar kurrë një grua shtatlartë shkodrane, Cuklina e quanin, së cilës i vdiqën të dy foshnjat binjake nga tifoja. Buzët e thara të atyre fëmijëve i kam përpara syve (qan). Unë gjithë kohës rrija pranë nënës e familjarëve të mi, ndërsa mamaja bëri të pamundurën që të më regjistronte në klasë të katërt, në një shkollë pranë kampit, sa për të kaluar disa orë të ditës”.
“Mbaj mend që disa herë rresht e kam shoqëruar time ëmë në Burgun e Kuçovës, sepse aty pranë po ndërtohej nga të burgosurit kanali Kozarë-Kosovë, ndërkohë që ata merrnin edhe njerëz nga kampe të tjera internimi”, thotë Klora. Po, në internim Klora përjetoi edhe momentin më solemn në jetën e njeriut, atë që praktikisht duhet të ishte çasti më i paharruar: fustani i bardhë dhe nusërimi, deri edhe lindja e nipërve dhe mbesave. Martesa me Fatosin, të birin e ish-kryeministrit Mustafa Merlika, do t’ia rëndonte dënimin, sidomos edhe pas kërcënimit që vetë Mehmet Shehu i kish bërë në burg të shoqit. Janë 45 vite internim, dhe 80 vjeçarja Klora Merlika (Mirakaj) ka shumë për të rrëfyer.
“Nuk ishte dasmë ajo imja! Unë u vesha me fustan të bardhë dhe bëra një xhiro rrotull kampit, nëpër dyert e familjeve bashkëvuajtëse aty. Të nesërmen direkt u kthyem në punë dhe vetëm një ditë pas martesës Fatosin e detyruan që të shkonte për të punuar në kënetën e Gradishtit. Gjatë ditës troket një oficer i Sigurimit dhe i kënaqur nga vendimi për të degdisur tim shoq, më pyet nëse do e lija apo do e ndiqja kudo, ku shteti do ta transferonte.
Unë isha martuar me Fatosin, dhe kisha vendosur që ta ndiqja në çdo vend ku atë do ta caktonin. Në kampet e internimit kam kaluar momentet më të bukura dhe më të trishta të jetës. Martesa është vetëm një kapitull. Në kamp më vdiq ime më, e varrosëm aty. Në kamp më lindi vajza dhe vendosëm me Fatosin që të kishim vetëm një fëmijë, për të mos i hyrë në hak jetës, vuajtjeve… Nuk mund të torturoje veten dhe fëmijën në ato kushte në të cilat jetonim”, thotë Klora.