Mikpritjen dhe virtutet shqiptare i ka ndjerë mbrëmjen e kaluar një turist norvegjez, i cili pushon në një nga hotelet pranë Shkëmbit të Kavajës së bashku me dhjetra bashkëkombas të tij.
Ai u kujtua vetëm në hotel për kuletën e tij, me një telefon celular, disa dokumente dhe një kartë krediti brenda.
Thuajse i pashpresë për ta gjetur përsëri, turisti nga Norvegjia telefonoi me ndihmën e një miku në numrin e tij të telefonit dhe … mrekullisht në anën tjetër u përgjigj dikush në gjuhën shqipe.
Ymer Qerimi tregon se e mbante në dorë telefonin e huaj prej më shumë se një ore, me shpresën se dikush do të telefononte.
“E gjeta kuletën në sheshin para pallatit të kulturës, – thotë usta Mero, siç e njohin të gjithë këpucarin që ka një dyqan të vogël shërbimi në qendër të Durrësit.
U solla nëpër qendër, duke shpresuar të shoh dikë që kërkonte diçka të humbur, ndërsa telefonin e mbajta të ndezur afër vehtes, me shpresën që dikush të telefononte.
Kur u dëgjua zilja, në anën tjetër dëgjoja britma të gëzuara në një gjuhë që nuk e kuptoja, deri sa u paraqit një burrë që fliste shqip”,-dëshmon i gëzuar Mero.
Spartak Salillari e ka shoqëruar turistin norvegjez nga Shkëmbi i Kavajës deri në shtëpinë e këpucarit nga Durrësi,
i cili kur ka njohur të huajin që shihej edhe në një nga fotot e dokumentave të gjetura në kuletë e ka dorëzuar atë, bashkë me urimet për pushime të mbara.
1000 fjalë falenderimi kanë ardhur nga pushuesi nga Norvegjia, i cili duket se do të kthehet në vendin e tij me një përshtypje pozitive më shumë.
“Më vjen keq– thotë Spartaku, pasi nuk e kishte njeri mendjen për një foto të përbashkët”. Por veprimi i Ymerit nuk ngazëlleu vetëm të huajin, por edhe ne të tjerëve që ishim aty.