Mëngjesin e sotëm Rama ka publikuar një shkrim të Ricardo Hausmann, profesor në Universitetin e Harvardit, për Shqipërinë.
Sipas drejtorit të Qendrës së Zhvillimit Ndërkombëtar në universitetin amerikan, Shqipëria ka pësuar një kthesë nga e cila duhet të mësojë edhe Bashkimi Europian.
“Mësimi për Bashkimin Evropian është i qartë: kur mendojnë për vendet që aspirojnë anëtarësimin si Shqipëria dhe pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor, është e rëndësishme të
shikojnë jo vetëm çfarë janë dhe çfarë kanë qenë këta vende, por edhe zellin me të cilin ata veprojnë, për t’u bërë çfarë aspirojnë të bëhen,” shkruan Hausmann në artikullin e tij.
Shkrimi i plotë
Pesë vjet më parë, Shqipëria ndodhej në një situatë vërtet ogurzezë. Me Greqinë dhe Italinë në vorbullën e krizës së Euros, remitancat dhe prurjet e kapitalit ishin në rënie dhe ekonomia po vuante prej një ngadalësimi të fortë.
Defçiti fiskal kishte arritur në 7% të GDP-së, financuar në një pjesë të madhe prej borxheve, ndërkohë që aksesi në tregjet e jashtme ishte mbyllur dhe normat e brendshme të interesit ishin në stratosferë.
Përveç kësaj, kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike ndodhej në një krizë operacionale dhe financiare, e paaftë të paguante për energjinë elektrike, që supozohej se duhej të blinte prej kompanive të prodhimit.
Borxhet e qeverisë dhe të kompanisë elektro-energjetike po nxisnin një rritje të huave jo-performuese në sistemin bankar. Ishin të gjithë ingredientë të një rezultati katastrofik.
Nxitojmë dhe shkojmë në të tashmen: ekonomia po rritet me një ritëm të fortë prej 4.2%, e shtyrë prej rritjes dyshifrore të eksporteve në bujqësi, miniera, prodhim, energji, turizëm dhe shërbime të biznesit.
Në një kohë kur ekonomitë e vendeve në zhvillim, në rajone të ndryshme, si Argjentina, Turqia, Nigeria dhe Afrika e Jugut përballen me rënie të monedhës dhe rritje të normave të interesit, Shqipëria ka normat më të ulëta të interesit në historinë e vet dhe një monedhë që forcohet.
Sot, ajo ka riskun më të ulët të bonove në klasën e shteteve të ngjashme me të, gjë që tregon se tregjet mendojnë që agjencitë e ratingut kanë qenë të pavëmendshme.
Një herë e një kohë Korea e Veriut e Evropës nën diktatorin komunist Enver Hoxha, sot të ardhurat për frymë të Shqipërisë janë sa 25% e atyre të Gjermanisë. Nëse ajo do mundet ta ruajë ritmin aktual të rritjes ekonomike, do të arrijë të ardhurat e sotme të Gjermanisë, për 32 vjet.
Në një kohë kur ekonomistët po fajësohen për gjithfarësoj rezultatesh zhgënjyese, dhe institucionet shumëpalëshe si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore po akuzohen se nuk po i këshillojnë shtetet ashtu si duhet, është inkurajuese të zbulosh se, në fund të fundit, ato mund të mos jenë krejt të padobishme.
Cili ishte sekreti i kthesës së Shqipërisë?
Së pari, ndryshe nga shumë vende që vonojnë të veprojnë, deri kur është shumë vonë, Kryeministri Edi Rama e thirri FMN sapo erdhi në pushtet në shtator 2013.
Më pas, qeveria e tij negocioi një program që i mundësoi Shqipërisë të sigurojë mbështetje financiare, ndërkohë që vinte rregull në financat e veta. Programi 3-vjeçar përfundoi me sukses pothuaj dy vjet më parë,
dhe raporti i borxhit me GDP-në mbetet në një trend zbritës. Këtë vit, ai po bie me 2.5% të GDP-së, ndërkohë që vendi po e zgjeron në mënyrë domethënëse, buxhetin e tij të investimeve publike.
Që të jesh në gjendje të rritet në mesin e një konsolidimi fiskal, duhet diçka tjetër që të shtyjë ekonominë përpara, zakonisht eksportet.
Dhe eksportet po rriten në Shqipëri – ku unë kam udhëhequr një program kërkimor të Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar të Harvardit prej vitit 2013 – jo për shkak të fatit, por falë një përpjekjeje të palodhur për të eleminuar bllokimet dhe rrokur mundësitë.
Në ndërkohë, Shqipëria iu shmang tundimit për t’u fokusuar në indikatorët e përgjithshëm të Doing Business, që supozojnë se të ndjekësh në mënyrë rastësore praktikat më të mira ndërkombëtare, mund të sjellë ndonjë të mirë.
Në vend të kësaj, autoritetet ndoqën një qasje diagnostikuese për të prioritizuar politikat e tyre. Të këshilluar nga Matt Andreës i Harvard Kennedy School of Government,
politikëbërësit përdorën një strategji implementuese bazuar në një proces përsëritës të orientuar nga problemet, që fillon duke e pikasur problemin, identifikuar shkaqet e tij, dhe hartuar një mënyrë për ta ndrequr.
Kjo gjë çoi drejt shumë ideve që rezultuan të fuqishme. Në bujqësi, zhvillimi i grumbulluesve ndihmoi fermerët të lidhen me teknologji më të mira dhe tregje më fitimprurëse,
duke krijuar kështu një bum në eksportet e perimeve. Në sektorin energjetik, qeveria adoptoi një strategji jo-ortodokse për të ndryshuar sjelljen e qytetarëve në lidhje me vjedhjen e energjisë elektrike dhe mospagimin, gjë që shpuri në vitin 2015,
në një ndryshim rrënjësor prej pothuaj 2% të GDP-së, në të ardhurat cash të kompanisë së shpërndarjes.
Po kështu, grupet këshillimore në prodhim dhe turizëm identifikuan fushat ku kish potencial përmirësimi. Shqipëria ka investuar në rimëkëmbjen e qyteteve të veta historike dhe tani po investon në 100 fshatra
me potencial të madh për agroturizëm, të cilët ndodh të jenë në zona të varfëra dhe të virgjëra. Nuk është çudi që turizmi po rritet me një ritëm dyshifror.
Veç kësaj, ambasadorët e vendit po shfrytëzohen tashmë në një strategji të bashkërenduar për të nxitur investimet e huaja përmes angazhimit të drejtpërdrejtë me kompanitë.
Dhe politikëbërësit tani po angazhojnë diasporën e Shqipërisë – e cila është një burim i rëndësishëm talenti, investimesh, mundësish të tregut dhe idesh të biznesit – me një impakt të fortë.
Risitë nuk kanë qenë vetëm në nivel kombëtar. Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, ka trefishuar tëardhurat e Bashkisë që kur erdhi në krye të saj në vitin 2015,
dhe i ka përdorur të ardhurat në mënyra, që e kanë bërë Tiranën një prej qyteteve më të këndshëm në rajon.
Kryeqyteti i Shqipërisë ka fituar çmime ndërkombëtare për zhvillimin e hapësirave urbane me cilësi të lartë, dhe për zgjidhjen e problemeve të lëvizshmërisë dhe atyre mjedisore, në mënyra inovative.
Mësimet për vendet e tjera janë të qarta. Suksesi përballë vështirësive ndodh kur qeveritë janë të vetëdijshme për gjendjen e vështirë dhe për dobësitë e tyre, munden të artikulojnë objektivat, dhe të kërkojnë pa u ndalur për mënyra drejt arritjes së aspiratave të tyre.
Në këtë proces, vendet nuk janë vetëm. Sistemi i asistencës financiare ndërkombëtare udhëhequr nga FMN dhe institucionet e zhvillimit financiar mund të vijë në ndihmë. Por shtetet duhet të dijnë se kur dhe si t’i shfrytëzojnë më së miri.
Ata mund të shtojnë kapacitetet e qeverisë, por nuk mund të zëvendësojnë përkushtimin e qeverisë.
Edhe mësimi për Bashkimin Evropian është i qartë: kur mendojnë për vendet që aspirojnë anëtarësimin si Shqipëria dhe pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor,
është e rëndësishme të shikojnë jo vetëm çfarë janë dhe çfarë kanë qenë këta vende, por edhe zellin me të cilin ata veprojnë, për t’u bërë çfarë aspirojnë të bëhen.
Për pjesën më të madhe të historisë, Shqipëria dukej e pashpresë. Por i pashpresë është ai që bën të pashpresin. Tani, kthesa e Shqipërisë është një burim shprese për gjithë ne të tjerët.