Rrushi është një nga frutat karakteristike të fundit të verës dhe fillimit të vjeshtës. Vetitë ushqyese të tij janë nga më të shumtat. Së pari, rrushi përmban pak kalori, duke qenë kështu një produkt mjaft i mirë për personat që kanë nisur një dietë të caktuar, apo që duan të bien në peshë. Mirëpo rrushi përmban një sasi të konsiderueshme karbohidratesh, ndaj nuk është shumë i këshilluar të konsumohet nga personat që vuajnë prej diabetit.
Së dyti, përmban sasi të lartë vitaminash dhe mineralesh, sidomos kalium, magnez, zink dhe vitaminat A, B dhe C. Edhe pse këto lëndë janë në sasi mjaft të vogël në organizëm, sërish janë të domosdoshme për mirëfunksionimin e organeve dhe sistemeve të trupit tonë. Mjafton të përmendim këtu që vitamina C kontribuon në sintezën e kolagjenit, proteinës kryesore të indit lidhor.
Së treti, në lëkurën e rrushit gjenden disa lloje antioksidantësh, të cilat janë të nevojshme për mbrojtjen tonë ndaj radikaleve të lira të oksigjenit, si peroksidi, apo superoksidi, të cilat janë tepër të dëmshme për organizmin. Sa më i errët të jetë rrushi, aq më i pasur është ai me këta përbërës antioksidantë, një nga të cilët është janë dhe flavonoidet. Gjithashtu edhe farat e rrushit kanë veti antioksidante, edhe pse nuk këshillohen nga të sëmurët me patologji në zorrën e trashë. Vitet e fundit është vënë re se rrushi ndihmon edhe në përmirësimin e qarkullimit të gjakut, sidomos në problemet e ndryshme që një person mund të ketë me këtë të fundit.