Konsiderohet si atleti që modernizoi garat e kërcimeve në Shqipëri. Hysni Bebeziqi është kampioni dhe rekordmeni I madh I këtij sporti. Rekordin e parë ai do ta thyente në vitin 1956 në garën e kërcimit së gjati me 6.63 metra dhe këto rekorde do të vazhdonin deri në distancën 6.99 metra.
Natyrisht një rezultat I jashtëzakonshëm për atë kohë sepse bëhet fjalë për vitin 1959, plot 56 vjet më parë.
Rekordet e tij do të vazhdonin edhe në garën e kërcimit trehapësh dhe Hysni Bebeziqi do të ishte I pari sportist shqiptar që do të kërcente 15 metra dhe kjo ndodhte në vitin e largët 1963.
Por të veçantat e këtij sportisti nuk do mbaronin këtu sepse ai do konkurronte edhe në garën e kërcimit së larti dhe natyrisht që edhe aty ai ishte kampion dhe rekordmen.
Madje, duke shpikur një stil shumë të veçantë kërcimi para stekës. Hysni Bebeziqi në karrierën e tij ka qenë plot 16 herë kampion I Shqipërisë dhe vendosës I 12 rekordeve kombëtare.
I shërbeu Shkodrës dhe klubit Vllaznia edhe si trajner duke nxjerrë të tjerë kampionë dhe rekordmenë dhe për të gjitha këto, ky njeri ka mbetur në historinë e këtij sporti. Dhe jo vetëm të Shkodrës që e zgjodhi si “sportistin e Shekullit” por të gjithë Shqipërisë.
Ja si e pershkruan Besnik Dizdari kete figure sportive ne nje shkrim te tij:
“Një ndër sportistët më të mëdhenj të historisë së Shqipërisë, madje atleti epokal për Shqipërinë, njeriu që modernizoi garat e kërcimeve ishte Hysni Bebeziqi!
Kështu për shembull, për të shkruar gjatë e për së mbari për Hysni Bebeziqin, më parë do t’iu duhesh të njihnin Sabit Çokun, rekordmenin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë së Paraluftës në kërcimin së gjati me 6.58 metra, rekord i vendosur qysh më 1935, një rezultat i madh
për dhjetëvjetëshin e katërt të shekullit të shkuar, atë Sabit Çoku, të cilit me siguri do t’ia mësojnë emrin vetëm nëse lexojnë këtë shkrim, sepse Çoku ka qenë i burgosur e i flakur tej prej regjimit. E me të burgosurit e të flakurit e eegjimit, shtypi i sotëm shqiptar nuk e ka fort për qejf të merret.
Dhe kaq i madh ka qenë Sabit Çoku për Shqipërinë sportive sa duhej të kalonin plot 21 vjet dhe të vinte viti 1956, e bashkë me të nga Shkodra të mbërrinte një djalë 22-vjeçar si Hysni Bebeziqi i Partizanit, për fat i Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë Popullore, i drejtuar nga trajneri i tij Tajar Pipa, që ta thyente këte rekord çerekshekullor, duke mbërritur në 6.63 metra.
Ka qenë një ditë e vitit 1956 dhe Shqipëria Komuniste e Sportit kaloi në eufori, sepse më në fund u thye edhe një rekord që mbahej prej një “borgjezi” me emrin Sabit Çoku, i cili përveç të tjerave, ishte vëllau i një “tradhëtari” në emigracion, siç e përcaktonin pa mëshirë Prof. Mentor Çokun e nderuar.
Nëse do të merreshin disi më imtësisht me rekordin e kërcimit të gjati të Bebeziqit tonë, shkruesit e sotëm do të gjenin me vështirësi se Hysni Bebeziqi në korrik të vitit 1957 do ta çonte rekordin në 6.69 dhe se kur vjen 1958-ta Bebeziqi arrin atë që as që mund të mendohej:
fiton në takimin e Tiranës me 6.68 metra, për 1 centimetër më tepër, garën dramatike me rekordmenin e Armenisë të Bashkimit Sovjetik, Tumanian, padyshim i vetmi rast në histori që një shqiptar fiton kundër një atleti të një Republike të BRSS. Një vit më vonë, ai mbërrin rekordin 6.99 ose 7 metra pa 1 centimetër. Me siguri ju duket pak, sepse harroni që është fjala për 50 vjet më parë!…
Nëse shkruesit e sotëm do të vendosnin të zbulonin mbas 50 vjetëve Bebeziqin e ri, do të gjenin të fshehur vetëm në arkiva që askush “nuk i ka” në Shqipëri, se Hysni Bebeziqi në ato vite të çuditshme ’50, iu sul edhe rekordit të trehapëshit
dhe në shtatorin e 1956-ës arriti plot 14.00 metra, duke thyer rekordin e Vlash Koljakës që ishte 13.64 i vendosur qysh më 1952.
Mandej ata do të zbulonin se mbrenda 5 vjetëve Bebeziqi do ta çonte rekordin deri te plot 15.01 metra, po në shtator, por tash në ate të vitit 1963. Shifra që kalonin dhjetra e dhjetra shtete të botës në këte rekord.
Do të mësonin ndërkohë se më 1958-ën, në Spartakiadën të ashtuquajtur “të Ushtrive Mike” në Lajpcig të RD Gjermane, Bebeziqi i madh, do të kishte fatin të matej me atletë të dëgjuar të Evropës.
Dhe jo vetëm që nuk stonon asesi, por është në gjashtëshen e më të mirëve, saktësisht i 6-ti, me 14. 67 metra (vend i parë është për atletin e shquar Cem të BRSS me 15.07 metra), duke lënë mbrapa një tufë të tanë kërcyesish gjermanë, bullgarë, hungarezë, polakë e kinezë, të shteteve të vërtetë atletike. Ishte i pafat megjithate. Dy kërcime të tij që ishin përtej kufirit të 15 metrave qenë shkelje e vijës së bardhë të rrahjes së pedanës.
Mbasi të mësonin edhe këto ngjarje të paprecedenta, shkruesit e sotëm të sportit në Shqipërinë, e cila merret një javë të tanë me trajnerin italian Capello, vetëm sepse ai nuk do të jetë më trajner i Realit të Madridit të Mbretërisë spanjole, çështje jo shqiptare kjo, duke kopjuar deri në mërzi shkrime të të tjerëve nga interneti, dukuri e frikshme që po i humb çdo ngjyrë deri vlerave të gjuhës shqipe, do të t’iu duhej pra të kërkonin e të gjenin se si ka qenë e mundur që krejt papritmas Hysni Bebeziqi, tash i Vllaznisë së Shkodrës së tij, një ditë të bukur vjeshte të vitit 1960 të kërcejë edhe së larti.
Ai do ta bënte këtë veprim, thjesht sepse i tha mendja se rekordi i kërcimit së larti në Shqipëri kishte mbetur tejet mbrapa, vetëm 1.78 vendosur nga Masar Aga më 1957.
Pa u specializuar asesi për këtë disiplinë, shpejt e shpejt shpik një stil të tijin, që na habiste të gjithëve, duke iu sulur drejtpërdrejt e në lule të ballit stekës dhe kështu më 1960-ën, në stadiumin e Shkodrës që thirrej “
Vojo Kushi”, arrin 1.80 metra, teksa, në mos gaboj, vetë nuk ishte më shtatlartë se nja 1.67 metra, çka do të thoshte se kishte kërcyer plot 13 cm mbi lartësinë e tij trupore, duke hyrë në këte tregues për asokohe ndër
“rekordmenët” e botës. Madje, 15 centimetra mbi shtatëlartësinë e tij, sepse mbas pak javëve po në Shkodër arrin rekordin e 1.82 metrave.
Nuk e zgjat më tepër se kaq me kërcimin së larti, mbase edhe ngaqë kishte do kohë që i thoshte mendja ta braktiste atletikën për hir të futbollit. Krejt papritmas, një ditë të bukur u pa në stërvitje me Vllazninë në
Stadiumin “Vojo Kushi” dhe nuk kishte kundërshtar që t’ia ndalonte shpejtësinë e rrufeshme dhe as driblimin fantastik.
Trajnerët e tij, të paharrueshimit Feti Dizdari dhe Ibrahim Dizdari, shtangën dhe shpejtuan ta ndalonin të dilte në fushën e futbollit, se ndryshe
atletika shqiptare do të humbiste heroin e saj të vërtetë. Bebeziqi vuri buzën në gaz dhe iu rikthye atletikës.
XXX
Kishte ende punë të bukura për të bërë që do të kulmonin me ato që thamë: 15,01 metra në kërcimin trehapësh. 1.82 metra në kërcimin së larti. 6.99 metra në kërcimin së gjati.
Ky ishte rekordmeni i tri garave të kërcimit – rast unik në historinë botërore të atletikës që një njeri i vetëm ishte në të njëjtën kohë rekordmen kombëtar i një shteti në kërcimin së gjati, në trehapësh dhe në së larti.
Ndonëse për Shqipërinë ishte përsëritje e rastit po unikal të profesor Peter Andonit të Elbasanit dhe të Shkodrës, i cili po kështu, në periudhën 1929-1934 kishte qenë rekordmen i Shqipërisë po në këto tri gara.
Një tjetër fenomen i atletikës shqiptare, edhe ky profesor i famshëm i edukimit fizik, i Normales së Elbasanit, i gjimnazit të Shkodrës po dhe i Robert College Amerikan të Stambollit, krejt i zhdukur nga historia e sportit shqiptar. Shqipëria gjithmonë zhduk e harron, sidomos ata që nuk janë pjesë e masonerisë së saj të sotme.
Kështu, mbasi do të kishin mundur t’i mësonin të gjitha këto, të ngarkuarve apo të ashtuquajturve gazetarë të sotëm në Shqipëri, do t’iu duhej të mundoheshin fort për të gjetur përveç rekordmenit Bebeziqi, edhe se cili qe kampioni Hysni Bebeziqi në Kampionatin Kombëtar të Atletikës.
Dhe natyrisht nuk e di nëse do t’ia arrinin “të zbulonin” se Hysni Bebeziqi ka qenë jo një herë të vetme, por plot 16 herë Kampion i Shqipërisë!
Nuk ma merr mendja. Jo për ndonjë gjë të fort veçantë, por sepse gazetaria sportive e sotme shqiptare, shpesh është ahistorike dhe për fat të keq jo rrallë herë edhe shkombëtarizuese, ose e thënë më butë: ajo është larg ndjenjës së vërtetë kombëtare që buron edhe prej sportit.
Megjithatë, them se po të lodheshin nja katër a pesë ditë, me një fjalë, po të punin për së mbari nja katër a pesë ditë, shkruesit tanë do të zbulonin se Hysni Bebeziqi, qysh nga viti 1955 e deri më 1968, nga mosha 21 vjeç e deri në moshën 34 vjeç ka fituar 16 herë titullin e Kampionit të Shqipërisë në kërcimin së gjati dhe në kërcimin trihapësh.
Kampion më 1955 në dy garat, së gjati e trehapësh; kampion më 1956 po në dy disiplinat; kampion më 1957 gjithnjë dy herë; kampion më 1958 gjithashtu dy herë; kampion më 1959 po në dy garat. Për të vazhduar qysh nga 1960 e deri më 1968 për t’u shpallur edhe 6 herë kampion kombëtar në trihapësh.
Kështu, i ngarkuari për të nderuar për së mbari historinë e Hysni Bebeziqit të madh do të habitej edhe vetë se me kë po merrej dhe do të mësonte jo pak edhe në përkryerje të profesionit të tij të gazetarit.
Do të mësonte se Shqipëria paska patur një atletikë edhe 50 vjet përpara, të përfaqësuar prej kampionësh të cilët me një trajtim mëse amator, sipërfaqësor në shkencë e në financë, e deri të politikës sportive, falë talentit të tyre të jashtëzakonshëm dhe të mbështetjes prej trajnerëve tejet seriozë dhe po aq të pasionuar e të sakrificës, mund të arrinin rezultate të nivelit ndërkombëtar për kohën.
Dhe ku? Në një Shqipëri që jetonte nën sistemin e triskëtimit, pra për bukën e gojës. Madje, paska patur një atlet si Hysni Bebeziqi i cili, bie fjala, arrinte në vitet ’50-‘60 në kërcimin trehapësh një rezultat më të lartë edhe se sa përfaqësuesi i Shqipërisë 2007 në garat e sapopërfunduara të Kupës së Evropës: 14.46 përfaqësuesi shqiptar i vitit 2007 dhe 15.01 Hysni Bebeziqi i vitit 1963.
Kështu, vetvetiu, ata do të kishin shkruar një pjesë të ndritshme të historisë së atletikës shqiptare, natyrisht në modestinë e ecurisë së saj, sepse Hysni Bebeziqi është mu një pjesë e ndritshme e historisë së atletikës shqiptare”.
© shkodrasport.com