Kjo mund të jetë diçka vërtetë e rradhë. Në Shkodër janë 6 trajnerë mbi 70 vjeçarë që ndonëse prej kohësh në pension, vijojnë të bëjnë punën e trajnerit dhe madje, të nxjerrin kampionë.
Jo më kot, do t’i quajmë “gjyshërit” në këtë shkrim sepse faktisht kjo është periudhë kur ata duhet të kalojnë kohën duke u marrë me nipërit dhe mbesat por në fakt bëjnë tjetër gjë: Dalin përditë në stërvitje dhe objektivi i tyre është i qartë për të nxjerrë sërish kampionë siç kanë bërë gjithmonë. Po kush janë ata:
1. Renato Radoja.
Është “gjyshi” më i madh në moshë. I datëlindjes 1939, pra sivjet do të mbushë plot 78 vite të jetës së tij. Megjithatë, ky kollos i basketbollit të luajtur, nuk heq dorë as nga puna si trajner çdo ditë teksa stërvit ekipin e basketbollit të të rejave të Vllaznisë.
E bën pa pagesë por thjesht nga pasioni i madh që ka për këtë sport. Dhe e bën ashtu si duhet punën e tij sepse Vllaznia është kampione. Çka do të thotë se “gjyshi” Radoja nuk do të heqë dorë kollaj nga ky pasion që ka për të stërvitur të rinj dhe të reja deri në frymën e tij të fundit.
2. Dedë Bregu
Një tjetër “gjysh” aktiv. Edhe ai është i datëlindjes 1939, pra 78 vjeç. Kampion si mundës për vite me rradhë në tapetet e Shqipërisë duke përfaqësuar me dinjitet Vllazninë por tashmë edhe trajner që nxjerrë kampion.
Pensionist megjithatë atë e sheh çdo ditë në palestrën e mundjes së klubit shkodran duke asistuar trajneri Nazmi Elezi dhe duke stërvitur plot dëshirë e pasion kampionët e vegjël dhe ata të mëdhenj. Shkodra e ka sot një kampion, Qamil Bajramin dhe ky është vazhdues i një tradite shumë të suksesshme që ky sport ka në këtë qytet.
Padiskutim duke patur brenda edhe meritën e jashtëzakonshme të një “gjyshi” që nuk ka ndër mend të heqë dorë asnjëherë “derisa t’i dalë fryma në tapet”, siç thotë dhe vetë.
3. Vildan Tufi
“Gjyshi” i rradhës. I datëlindjes 1945, pra sivjet mbush 72 vjeç. Ky njeri në vend që të qëndrojë pranë familjes dhe të shijojë këto vite ka angazhim, ka zgjedhur t’i qëndrojë pranë një sportisti që do ta nderonte më pas, Izmir Smajlajt, me të cilin pak muaj më parë u shpallën Kampionë të Europës.
Pasioni i “gjyshit” Vildan për këtë sport është në kufinjtë e të pabesuesshmes sepse e sheh çdo ditë duke bërë gati gropën e kërcimit, duke vendosur pengesat dhe çdo gjë për t’i qëndruar pranë këtij kampioni dhe jo vetëm atij. Jo vetëm kaq.
“Gjyshi” Vildan nuk flet asnjëherë për nipërit e mbesat por për rekorde dhe medalje të tjera dhe kjo e bën atë të jetë unik në llojin e tij.
4. Paulin Ndoja
“Legjenda” e portës shkodrane. I datëlindjes 1945 edhe ai, është një tjetër “gjysh” 72 vjeçar që punon fort çdo ditë për të përgatitur portierë të talentuar për Vllazninë dhe ekipet e tjera.
E ka nisur këtë punë në vitin 1987 dhe e vazhdon deri më sot pa pushim, me një pasion të jashtëzakonshëm. Kur e ngacmon për kohën kur do heqë dorë nga kjo gjë, ai të sheh shtrembër sepse mendon që i kemi vënë në dyshim aftësitë e tij fizike e sportive për ta vazhduar këtë punë që e bën plot pasion.
5. Zef Gjoni
Pak muaj më parë festoi 70 vjetorin e lindjes dhe në ceremoninë e zhvilluar, kur shokët e miqtë e tij i përmendnin këtë përvjetor, profesor Zefi i kundërshtonte duke u thënë: “Jam i ri. Sapo kam mbushur 50 vjeç dhe këtu do më keni edhe për 20 vite të tjera”.
Vërtetë do qëndrojë në palestër deri në moshën 90 vjeçare ky njeri? Të presim. Nga mënyra si i përkushtohet sportit të boksit, është e paimagjinueshme. Paradite dhe pasdite në stërvitje, një pjesë e madhe e kohës në grumbullime me kombëtaren dhe larg familjes por ai nuk mërzitet.
Prandaj dhe nuk ka dëshirë që mbesa e tij ta thërrasë “gjysh” sepse i duket vetja shumë i vjetër me atë shprehje.
6. Roland Koka
Në fakt është më i riu ndër “gjyshërit” e këtij shkrimi. Në gusht të këtij viti mbush 69 vjeç megjithatë punon pa u lodhur me ekipin e basketbollit të të rinjve të Vllaznisë.
Vetëm pak ditë më parë u shpall kampion i vendit me të, titull ky që ishte i gjashti për këtë ekip në 11 sezonet që e drejton profesor Rolandi.
Interesant është fakti se kur e pyet për vazhdimësinë, ai nuk heziton ta mendojë atë por menjëherë të thotë se ka nisur punën për sezonin e ri ku do të tentojë të fitojë titullin e rradhës kampion.
—–
Këta ishin gjashtë trajnerët “gjyshër” në Shkodër të cilët po sfidojnë moshën, hallet e jetës, problemet shëndetësore dhe shumë gjëra të tjera duke vijuar punën me ambicjet e tyre për të nxjerrë përsëri kampionë në ekipet ku punojnë.
Shumë prej tyre e bëjnë pa asnjë përfitim financiar ngaqë nuk u lejohet për shkak se janë në pension, megjithatë kjo nuk e ndal pasionin e tyre. Shkodra në këtë mënyrë shquhet edhe në këtë drejtim sepse ka njerëz të tillë, “gjyshër” kampionë.
Gjergj KOLA