Peshkimi në Shqipëri është një “zanat” tepër i lashtë. Nga dokumentat arkivore mësohet se peshkimi ka qenë i përqendruar fillimisht pranë liqeneve natyrore të Shkodrës, Prespës e Ohrit apo lagunave bregdetare.
Por zhvillimi si industri e peshkimit daton në vitet ’20 kur vendi njeh nisjen e një periudhe stabiliteti politik dhe ekonomik. Në këtë periudhë, koncesionin e peshkimit e morën
kompanitë italiane “IPIS” e më pas “Pescalba” që morën në administrim kundrejt pagesës lagunat, liqenet, lumenjtë dhe vijën bregdetare.
Pas luftës nga viti 1945 deri në mesin e vitit 1946 gjuetia e peshkut u zhvillua në formë sipërmarrjeje dhe kontrollohej nga Ministria e Bujqësisë. Anijet e para të peshkimit
profesional mbërritën në Shqipëri në vitet 1945-1946. Në vitin 1946 u organizua kooperativa e parë e peshkatarëve në Shkodër e ndjekur nga organizimi i kooperativave të
tjera në Durrës, Lezhë apo Pogradec. Aktiviteti i këtyre kooperativave përfshinte liqenet natyrore, lumenjtë, ujëmbledhës, liqenet e hidrocentraleve apo lagunat me dalje të kufizuar në bregdet.
Gjatë këtij viti u rindërtuan dajlanët e peshkimit dhe filloi gjuetia kolektive. Në 1947 u krijua ndërmarrja e parë shtetërore e peshkimit me qendër në Durrës dhe agjencitë e saj vartëse në Shëngjin, Vlorë dhe Sarandë.
Në këtë kohë, flota e peshkimit përbëhej nga tre anije. Në vitet 1948 -1952 gjuetia në lagunat e liqenet natyrore përbënte pjesën kryesore të peshkimit ndërsa në det peshkimi ishte i kufizuar e sporadik.
Në vitet ‘50 industria e peshkimit njeh zhvillim pasi ndërtohet flota me anije të përshtatshme për industrinë.
Paralelisht me ndërtimin e flotës së peshkimit, pushteti i kohës i jep rëndësi edhe përgatitjes së specialisteve të lartë të peshkimit, ku studentë shqiptarë përfitojnë bursa për shkollim jashtë vendit për akuakulturë apo inxhinierë anijesh.
Nga ana tjetër, hapet për herë të parë edhe Shkolla e peshkimit me cikël 1 dhe 2 vjeçar në Durrës. Paralelisht me përgatitjen e forcës së punës, Shqipëria nisi të ndërtojë vetë anije. Ne vitin 1971 ne Kantierin detar në Durrës filloi ndërtimi i anijeve të peshkimit metalike për zëvendësimin e grupit të anijeve të amortizuara,
Peshkimi i sardeles ishte ai që njohu një zhvillim më të madh edhe për faktin se kishte kosto më të ulëta në aspektin e punës.
Përpunimi
Paralelisht me fuqizimin e flotës së peshkimit, në vend iu dha një rëndësi e veçantë edhe procesit të përpunimit ku u ngritën fabrikat e prodhimit të konservave. Konservat ishin të destinuara per eksport por edhe për tregun vendas.
Në vitin 1958 do të ndërtohej fabrika e konservave të sardeles në Vlorë. Në vitet ’80 u ndërtua fabrika e konservimit në Lezhë dhe në 1989 përfundoi edhe ajo në Durrës.
Gjatë regjimit komunist, nivelet e konsumit të peshkut në popullatë ishin të vogla ndërsa peshqit që konsumoheshin ishin atë me vlerë më të ulët (sardele, qefull, merluc, krap etj). Zonat që konsumonin më shumë peshk ishin ato të ultësirës perëndimore të vendit
Krahas peshkimit detar, një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe kultivimit të peshkut. Në vitet ‘60 u bë aklimatizimi i peshqve të ardhur nga Kina dhe nisi riprodhimi artificial në masë i tyre nëpër rezervuarët e vendit. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe nuk ka munguar peshkimi sportiv.
Pamjet e mëposhtme i përkasin një dokumentari të vitit 1962 të prodhuar nga Kinostudio dhe dëshmojnë mënyrën sesi peshkohej në Shqipërinë e atyre viteve.