Media prestigjioze angleze përmes një reportazhi ka folur gjatë për bunkerizimin e Shqipërisë nga ish-regjimi i diktatorit, Enver Hoxha.
Bëhet fjalë për “BBC”, e cila trajton të gjithë kontekstin historik dhe vendosjes së regjimit në Shqipëri, por edhe miqësinë, aleancat dhe dështimet e këtij pushteti, i cili për 45 vite ushtroi dhunë sistematike mbi shoqërinë shqiptare, raporton BalkanWeb.
“Duke u frikësuar nga pushtimi gjatë Luftës së Ftohtë, kreu i Shqipërisë Enver Hoxha e detyroi vendin e tij të ndërtonte dhjetëra dhe mijëra bunkerë. Shumë kohë pas rënies së regjimit, shumë prej tyre ekzistojnë ende”.
Kështu e nis reportazhin media britanike, e cila përmes një udhërrëfyesi shqiptar nga Orikumi, tregon edhe formën se si janë ndërtuar bunkerët.
“Është një mëngjes pranvere dhe dielli tashmë është i nxehtë. Unë jam duke ecur nëpër rrënojat e Orikumit, një vendbanim në epokën romake që shtrihet në fundin jugor të gjirit të Vlorës, në bregdetin e Adriatikut në Shqipëri”, shkruhet mes tjerash në reportazh.
Duke e cilësuar Shqipërinë si vendin më të izoluar të Europës në kohën e regjimit komunist, veprim i cili u shoqërua me pasoja të rënda,”BBC” shkruan mes tjerash se toka e shqiptarëve është ende e mbuluar nga bunkerët e Luftës së Ftohtë.
Shumë bunkerë janë shkatërruar në kohën kur Shqipërisë iu hapën dyert e lirisë pas dëbimit të sistemit, por një pjesë të tyre i gjen sot gjithandej nga veri gjerë në Jug të Shqipërisë, ashtu siç e tregojnë edhe fotot e mëposhtme.