Avokati i njohur, Spartak Ngjela, ka ashpërthyer me akuza ndaj Presidentit Ilir Meta, duke e quajtur një ‘turp historik’ vendimin e tij për të mos dekretuar ministrin e ri të Brendshëm, Sandër Lleshi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ngjela shkruan se derisa kanë zgjedhur President një njeri që nuk bën dot dallimin mes dorës dhe këmbës, pasi i duken të gjitha këmbë, sigurisht që kjo do të jetë ecja jonë.
Më tej, avokati shton se politikanët e korruptuar janë të frikësuar nga treshja katolike Lleshi-Marku-Prela, të cilët janë të zgjedhurit e ndërkombëtarëve për të çuar përpara Reformën në Drejtësi.
Sipas avokatit, pavarësisht tentativave, korrupsioni kryeministror shqiptar do të ndëshkohet dhe vendi do të hyjë në Bashkimin Evropian.
“Ku ka të drejtë Presidenti që të mos dekretojë një ministër! Sipas kësaj, atëherë ky president ka të drejtë që të mos dekretojë edhe kryeministrin që ka fituar zgjedhjet. Domethënë që të shpallet monark absolut.
Turp historik. Po sigurisht, derisa kanë zgjedhur president një njeri që nuk bën dot dallimin midis dorës dhe këmbës, se i duken të gjitha këmbë, sigurisht që kjo do të jetë ecja jonë.
Po, ku ta dijë ky president se ministri juridikisht nuk është gjë tjetër vetëmse kompetenca e deleguar e kryeministrit. Semos e di kryeministri aktual këtë! As ky nuk e di. Këta janë, nuk ke ç’të bësh.
Por ka edhe diçka. Me ministër të brendshëm një katolik, bëheshin tre katolikë në luftë kundër korrupsionit: Prokurorja e Përgjithshme, Prokurorja e Krimeve të Rënda dhe ministri i Brendshëm.
Domethënë tre ultraperëndimorë, në një kohë që Reformën në Drejtësi po e drejton politika perëndimore. Nuk e dimë se kush e ka propozuar ministrin Lleshaj, por, për faktin që është trembur Meta, mendohet se e ka propozuar politika gjermane ose ajo amerikane.
Sigurisht që këtë gjë nuk duhet ta ketë dashur as Saliu. Janë të trembur, prandaj. Po korrupsioni i lartë shtetëror nuk ka shpëtim.
Shqipëria sot ndodhet përpara këtij udhëkryqi: ose do të degradojë në një varfëri shpërbërëse, ose do të ndëshkojë korrupsionin kryeministror shqiptar dhe do të hyjë në Bashkimin Europian. Jam i bindur se do të ndodhë kjo e dyta”, shkruan Ngjela.