Kur “të gjithë” i dhuronin vargje Enver Hoxhës

Nga Dritëro Agolli, Ismail Kadare e Xhevahir Spahiu, deri te Bardhyl Londo, Natasha Lako e Dhimitër Shuteriqi

TIRANË – Naive apo të sinqerta? Furçe regjimit, apo bindje të kohës? Dikur pompoze e të rëndësishme, sot butaforike e të harruara. Poezitë e indoktrinuara, kushtuar Partisë Komuniste dhe Enver Hoxhës, prej vitesh kanë përfunduar në kosh e pak nga pak po fshihen nga kujtesa e njerëzve.

Për mirë apo për keq! Autorët duhet të jenë lehtësuar nga pesha e tyre në ndërgjegje. Në rastin më të mirë i kanë lënë pas me gjithë kohën. T’u rikthehesh sot, është edhe zbavitëse. Jo vetëm për t’u zbavitur, kërkuam disa syresh.

Jo nga ato poezitë e botuara ashtu “rastësisht” në libra, revista e gazeta letrare të kohës, por vargjet e zgjedhura enkas nga vetë poetët e shkrimtarët për t’ia dhuruar Enver Hoxhës. Me firmën e autorit poshtë vargjeve dhuratë për Enverin,

në përvjetorin e 70-të të ditëlindjes, pra në vitin 1978. Të shkruara bukur, me dorë, dhe të organizuara në formë libri luksoz për kohën, me kapakë plastikë, libri-dhuratë që ruhet në Arkivën e Shtetit, përmban vargje nga 21 autorët më autoritarë të asaj periudhe në Shqipëri.

Të gjitha janë vargje ideologjike, të zgjedhura nga vetë autorët që kanë nëshkruar poshtë tyre. Vargjet janë organizuar në rend alfabetik sipas emrave të autorëve. Libri-dhuratë përmban 23 fletë, ku fleta e parë përmban dedikimin në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve,

21 fletë përmbajnë vargjet e poetëve dhe një fletë, fleta e fundit është bosh. Nuk mungon asnjë fletë e ndërmjetme, pra asnjë autor. Libri i lidhur ka qenë pjesë e fondit personal të Enver Hoxhës, të cilin ai e ka kaluar vetë për ruajtje në Arkivin e Partisë e mandej në atë të Shtetit.

Dedikimi
Në dedikimin e fletës së parë shkruhet tekstualisht: “Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, të gjithë poetëve të Republikës, që tashti janë aq të shumtë, se Shqipëria jonë e shtrenjtë është vendi i ëndrrës më të bukur të njerëzimit, se në Atdheun tonë socialist poezi ka kudo,

siç e keni theksuar Ju, shoku Enver, udhëheqësi dhe mësuesi ynë i dashur, Ju urojmë nga thellësia e zemrës të na rroni sa malet për të mirën e Partisë, të popullit, të idealit të pavdekshëm komunist të Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit. Jetë të gjatë, shëndet të plotë, përherë gëzime në familjen tuaj.”

Vargjet
Nuk janë poezi të plota, por fragmente poezish të botuara më parë ose të hartuara enkas për t’ia dhuruar ish-diktatorit për ditëlindjen e tij të 70-të. Pjesa më e madhe kushtuar Partisë.

Në pak vargje fjala parti përmendet 29 herë dhe aludohet për të dhjetëra herë të tjera. Fjala Enver dhjetë herë, pa përmendur plot fjalë të tjera të përsëritura si turbinë, komunist, 16 tetori yt,

tunel, lavdi, hekurudhë, krom e bakër, internacionale, Stalin, Marks, Engels, pushkë, teserë, komitet, shok, kushtrim, punë, ushtar, ballë, krenari, uzinë, çelik, djersë, lapidar… Me një fjalor të tillë kaq jopoetik në vetvete, janë ndërtuar të 21 fragmentet poetike!

Autorët
Nga të përkëdhelurit e regjimit deri tek ata që sot janë 180 gradë në kah tjetër. Sipas rendit alfabetik autori i parë është Adem Istrefi me poezinë e tij “Emri yt, Parti”. ‘Komunist’ është titulli i fragmentit të dytë poetik,

dhuruar Enver Hoxhës, me autor Agim Gjakovën. Aleks Çaçi është autori i tretë që i dhuron ish-diktatorit vargjet “Ashtu, Myzeqe”. Nuk mungojnë vargjet për partinë të Andrea Varfit me titullin “Një ditë nëntori”. Edhe Bardhyl Londo i këndon partisë në vargjet me titull “Ti je zemra, Parti”.

Autori i gjashtë në rend alfabetik është Dritëro Agolli me poezinë e tij të njohur “Komunistët”. Pa u ndarë nga partia, Dhimitër Shuteriqi ka dhuruar vargjet “Lavdi për ty, Parti”. Fatmir Gjata ato internacionalet e “Dimri i dyzet e katrës”. Fatos Arapi dhuron poezinë e tij “Alarme të përgjakura”.

I dhjeti në rend alfabetik, Ismail Kadare dhuron fragment nga poezia e tij për partinë me titull “Shqiponjat fluturojnë lart”. “Gjirokastër” është poezia e Luan Qafëzezit për 16 tetorin e ditëlindjes së Enver Hoxhës.

Llambro Ruci i ka blatuar ish-diktatorit vargjet “Drita e udhës”. Partisë vazhdon t’i këndojë Llazar Siliqi në poezinë “Mesazhi”. Ndoc Gjetja bën poezi me titull “Çast nga pranimi në Parti”.

Ndërsa Ndoc Papleka për “Enveri midis nesh”. Natasha Lako përsërit katër herë në katër vargje fjalën parti në poezinë me titull ‘Këngët e rinisë”. Edhe Spiro Dede i ka dhuruar një poezi të titulluar “Krenari” ku shkruan “Ç’nder i madh të jesh shqiptar/ të jesh ushtar i Enver Hoxhës”.

Një “Meditim nga uzina e çelikut” i dhurohet Enver Hoxhës nga Sulejman Mato. Një tjetër autor i kësaj rëndësie, Vehbi Bala, shkruan vargjet me titull “Shqipëri” ku sigurisht e ka fjalën për “Zemër, mendje e vegjëlisë, Parti e Punës/ prijëse e shqype e Shqipërisë…”. Xhevahir Spahiu i 20-ti poet në rend alfabetik,

i kushton ditëlindjes së partisë vargje me titull “Ditëlindja e madhe”. Autorja e fundit është Xhuljana Jorganxhi me vargjet “Parti e vendit tim”.

Në pamundësi për t’i botuar të gjitha, po botojmë vetëm disa prej tyre, ato të autorëve më të njohur, jo vetëm dje, por edhe sot, si dhe disa nga vargjet më zbavitëse të autorëve që sot janë rikthyer në anonimitet.

Ti je zemra, Parti

Vargje të Bardhyl Londos

30 vjet të kam folur me fjalë biri
dhe fjala gjithë dashurinë për ty s’e ka thënë
30 vjet zemra ime ka rrahur për ty
dhe prapë gjithë dashurinë s’e ka nxënë

30 vjet ka folur për ty gurgullima e gjakut
dhe prapë ka shumë të të thotë gjaku im i nxehtë
S’më mjaftokan, jo, 30 vjet që të jem biri yt
S’më mjaftokan bile as dy jetë

Komunistët

Vargje të Dritëro Agollit

Për Enver Hoxhën këngë thur tërë jetën
Se nëna ime bukë i dha me dhallë;
Me të në dhomën pa tavan ne fjetëm
Na puthi ne fëmijëve mu në ballë
Na puthi ne, fëmijët e rreckosur

Në tymin e kandilit e të pishës,
Të zverdhur prej rigonit e prej gjizës
Dhe pa në sytë tanë vetëtima,
Dhe pa ata që sot ngrenë turbina

Lavdi për ty, Parti

Vargje të Dhimitër Shuteriqit

Çaje tynelin me vërtik
Malin e Shqipërisë
Edhe vërsho tej, në të ik,
Hekurudh’ e rinisë
Sos janë male vetëm gur;

Po janë krom e bakër plot,
Thesare plot.
Mbi male sot jam zot,
I lirë e lavdiplotë.
Lavdi për ty, Parti!

“Dimri i dyzet e katrës”

Vargje të Fatmir Gjatës

Kishin ikur zogjtë shtegtarë
E kish ardhur një dimër i marrë
Qefinin kish hedhur mbi male
Dimri i zi, i kuq e i bardhë!

Po ne këndonim Internacionalen,
Këngë për Stalinin dhe Enverë
Dhe si lulet rriteshim në pranverë…

“Alarme të përgjakura”
Vargje të Fatos Arapit

Dhe erdhi Partia ndër shtëpitë tona
Bashkë me baballarët,
Bashkë me vëllezërit e lodhur
Prej pune
Mbi hasër të vjetëve

U ul te qoshja.
Maleve, qyteteve,
U lëshon kushtrimin
Partia e halleve,
Partia e derteve:
-Në këmbë, o të shtypur, e ju, të munduar

Shqiponjat fluturojnë lart

Vargje të Ismail Kadaresë

Ku t’i kërkoj rrënjët e tua, Parti?
Si një rrap madhështor mbi këtë vend të lashtë
Ke mbirë ndanë udhës ku shkojnë shtrëngatat

Ato rrahin të të shkulin,
Por ti veç vaditesh
Prej shqotës së tyre
Dhe mes shqotave rritesh.

“Çast nga pranimi në Parti”

Vargje të Ndoc Gjetes

Kur po plotësoja autobiografinë
Me shkrim të pastër dhe të bukur.
Më dukej sikur hidhnin valle gërmat dhe firma
Nën ritmet e zemrës sime të lumtur.

Pastaj kur më dhanë për herë të parë
Teserën e Partisë shokët e komitetit,
Më dukej sikur mbaja në dorë
Tërë peshën e shqetësimet e planetit.

Enveri midis nesh

Vargje të Ndoc Paplekës

Sot Shqipëria s’ka dy milionë,
Por dyqind milionë…
Tha plaku nga Valbona-
Këtu edhe toka qet zjarr,
Edhe guri qet zjarr,

Edhe ahu qet zjarr,
Edhe pushka qet zjarr,
Edhe zemra qet zjarr,
Po të japë kushtrimin
Enveri.

“Këngët e rinisë”

Vargje të Natasha Lakos

Parti,
Mijëra mëngjese kam hapur sytë
Dhe kam gjetur dritën tënde.
Parti;
Mijëra ditë fjalën e parë e kam këmbyer me ty;

Parti;
Në mijëra ditë më bëre trime,
Parti;
T’u bëftë dita një mijë!

“Meditim nga uzina e çelikut”

Vargje të Sulejman Matos

Nga konturet e hekurta të kësaj uzine
Dëgjoj këngën e hekurit si ngjitet lart,
Për një këngë të tillë ëndërruam në shekuj,
Kur na munguan armët dhe luftuam me sfurqe,

Kur na mungonte plori i parmendës.
Kjo tokë e vaditur me djersë dhe me gjak
E ruajti këtë këngë thellë në gji
Për këto ditë të bardha, ditët e Partisë.

Ditëlindja e madhe
Vargje të Xhevahir Spahiut

Shtëpi e varfër,
Sup më sup me shoqet,
Dalë nga të çarat e dheut,
Dalë nga dhembjet e popullit.
Në strehët e saj

Erërat frynin,
Të thëllimta.
Akull.
Komunistët çelnin shtegun e një ere të re.
Çelnin në mes të shekullit
Shekullin.

Parti e vendit tim

Vargje të Xhuljana Jorganxhi

Ne mal përmbi këto male
E ngritëm Shqipërinë,
Plot dritë e sotmja jonë,
Më të bukura ditët vijnë

Dhe dora shtrëngon dorën
Dhe bëhet grusht i fortë,
Të gjithë rreth Partisë
Rreth shokut Enver Hoxha

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME