“Kanga e miletit” ose himni i vërtetë shqiptar

Para katër vjetësh pata shkruar për këtë temë. Megjithatë, ende pak kush e din në se ka ekzistuar një hymn i Lidhjes së Prizrenit, cili është ai, kush janë autorët e tij dhe ca më pak njihet historia e ekzekutimit të tij me pengime të tejskashme gjatë këtyre afro 140 viteve që nga koha e krijimit. Është harruar, ka mbetur pothuajse i panjohur. E pabesueshme!

Hymni lindi në vitet e lavdishme 1878-1881. Megjithëse as katër vjet, ato -përfaqësojnë, pa e tepruar, një periudhë epokale të historisë sonë kombëtare në rrafsh ideor, politik, organizativ përbashkues në mbrojtje të tërësisë së trojeve amtare dhe të luftës për sigurimin e Shqipërisë autonome. Pikërisht në ato vite lindi dhe Marshi i Lidhjes “Bashkimi i Shqipnisë”.

Burime të para 130 e sa vjetëve japin dëshmi të sakta dhe tejet interesante lidhur me Hymnin e parë Kombëtar të shqiptarëve, pak të njohur edhe në mjediset tona muzikore. Sapo u shkrua teksti, u kompozua dhe ekzekutua me bandë edhe u këndua nga luftëtarët që po niseshin në front për mbrojtjen e trojeve amtare. Vlen të theksohet, se ekzekutimi i Hymnit pati jehonë, në shtypin evropian të kohës sapo u vu në qarkullim.

Të dhënat e para për të i kumtonte studiuesi Mikel Prenushi, në prag të 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Shkrimi i tij nuk pati aso kohe jehonën që i takonte. Gjithësesi ndikoi për përfshirjen e Hymnit në repertorin e Bandës muzikore të atëhershme të Ushtrisë Popullore, e cila e ekzekutoi atë midis marsheve atdhetare në sheshin që mban emrin e Heroit Kombëtar, para monumentit, të tij, me rastin e jubileut madhështor të 100-vjetorit të Lidhjes.

Nismën për krijimin e bandës e pat ndërmarrë arbëreshi At Tomaseo Markoci (Marcozzi). I mirënjohuri aso kohe në Shkodër, Patër Toma me ndihmat e mbledhura në Pazar, qendra e atëhershme ekonomike e qytetit më të madh të Shqipërisë, porositi dhe solli nga Italia instrumentet muzikore për bandë dhe pajtoi për ngritjen e orkestrës frymore mjeshtrin napolitan Gjon Kanale (Giovanni Canale) edhe ky arbëresh. Koncertin e parë në publik banda e Shkodrës e dha me rastin e Krishtlindjeve të vitit 1878. Banda me nje formacion prej 31 instrumentistësh, që në fillimet e veprimtarisë së saj, jepte koncerte here pas here dhe më pas çdo të djelë dhe për festa të mëdha fetare. Ajo administrohej nga kleri katolik. Populli e quante atë “Daullja”.

Korrespondenti i gazetës austriake “Wiener Algemeinen Zeitung”, i ndodhur në Shkodër, më 1880 dëshmon: “Zoti Canale…kishte fituar merita të mëdha me anën e krijimit të një bande muzikore qytetse. Brenda një kohe të shkurtër, nga shqiptarë të pamësuar, që nuk kishin asnjë ide per muzikën, përgatiti muzikantë të shkëlqyer. Unë u mahnita nga puna e bandës muzikore që luante me një saktësi të rrallë. Patjeter u preka në mënyrë të veçantë kur në rastin e së kremtes të Korpit të Krishtit në katedrale, degjova arie operash në vend të këngëve kishtare… Në fund ajo dha me sukses “Marshin e Lidhjes” kompozuar nga vete zoti Canale. Me duhet të rrëfej se bukuria e tij qe krejtesisht e papritur”.

Korespondenti vjenez njo hës i kulturuar i muzikës europiane, na dokumenton aso kohe veprimtarinë artistike, jo vetëm fetare por dhe laike dhe, mbi të gjitha, atdhetare, të bandës qytetëse të Shkodrës. I njohur nga afër me këtë eveniment kulturor jo të zakonshëm ai e vlerëson lart atë: “Jam i bindur se ky marsh po të botohej, shpejt do të qarkullonte në Evropë, siç ngjet shpesh me ndonjë pjesë të bukur që të kënaq veshin.” Hymni i kompozuar nga Patër Gjon Kanale vlerësohej në përqasje me ato që ekzekutoheshin aso kohe në Evropë, madje, në një nivel të pëlqyeshëm.

Më pas, repertori i orkestrës frymore do të përfshinte, veç muzikës kishtare dhe pjesë të vogla: marshe, këngë atdhetare, përpunime këngësh popullore në formën e potpurive etj. Ajo u pasurua, gjithashtu, dhe me pjesë të zgjedhura nga repertori operistik. Orkestra frymore bëhet gjithnjë e më shumë pjesëmarrëse aktive në jetën shoqërore dhe politike të kohës.

Teksti i Marshit të Lidhjes u bë i njohur në Shkodër në prill-maj 1880 përmes fletëve volante të shtypura në Stamboll. Në to qe riprodhuar poema-kushtrim e Pashko Vasës “O moj Shqypni”. Ajo u bë shpejt e dashur për luftëtarët dhe popullin tonë. Sipas një dokumenti të atyre ditëve, dëshmohet, se “Kanga i jep shpirt popullit”. Jemi në një kohë kur qëndresa e shqiptarëve, siç deklaronin arbëreshët, “po mahnit Evropën”.

Siç shprehej një dokumenti vendas i vitit 1880, lëvizjes politiko-kulturore shqiptare të viteve të Lidhjes, jepte “gajret (kurajo) vegjelia”, njerëzit e thjeshtë, që po luftonin me heroizem në mbrojtje të trojeve amtare.
Marshi Kombëtar i shqiptarëve i viteve shtatëdhjetë të shekullit XIX i hartuar nga luftëtari i revolucionit për çlirimin e Italisë nga zgjedha austro-hungare, Pashko Vasë Shkodrani, dhe i kompozuar nga mjeshtri napolitan Xhovani Kanale është plotësisht europian jo vetëm në aspektin e gjuhës muzikore, por dhe nga përmbajtja kombëtare e demokratike. Pikërisht për këtë arsye ai nuk u ekzekutua dhe as nuk u këndua haptazi pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit. Por dhe pas Shpalljes së Pavarësisë ekzekutimi i tij nuk qe aq fatlum.

Prof. Injac Zamputi flet për qëndrimin që është mbajtur, sikurse ndaj veprave të tjera të rilindasit tonë të madh, edhe ndaj Hymnit të Lidhjes nga frika se mos mbillej “fara e keqe e antiklerikalizmit dhe e antidespotizmite” në popull. “Ne jemi dëshmitarë, shkruan ish-nxënësi i dalluar i kolegjit Saverian të Shkodrës e më pas profesori i këtij istitucioni arsimor, se e kemi kënduar përherë me mall e zjarr këngën e Pashko Vasës, dhe e këndonim fund e majë, por askurrë nuk na i kishin thënë ato fjalë që flasin për “kisha e xhamija” për “priftërinj e hoxhallarë”, për “fenë e shqiptarit që është shqiptaria”. Këto elemente i kemi ndeshur shumë më vonë, në moshën e pjekurisë, në literaturë”. Pra, në kohën e rinisë së tij Hymni këndohej i cenzuruar, pa vargjet lapidare « Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit asht shqiptaria ».

Gjithësesi, të paktën, muzika e Hymnit “Bashkimi i Shqipnisë” jehoi fuqishëm para 35 vjetësh në 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Kurse në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë Hymni i Lidhjes nuk u dëgjua të këndohej vetëm u interpretua nga orkestra e TOB-it brenda katër mureve të sallës së tij. Madje, muzika e saj aty nuk u shoqërua, të paktën, me recitimin mjeshteror të vargjeve të Pashko Vasës prej artistëve të mirënjohur Reshat Arbana nga Tirana apo Mirush Kabashi nga Gjakova, të cilët qenë të pranishëm në ato vite në mjaft koncerte të dhëna në trojet shqiptare dhe në diasporë.

Vlera e Pashko Vasës të madh nuk u zbeh në kohën kur pretendohet se u teprua me recitimin e vargjeve “Feja e Shqiptarit asht Shqiptaria!” edhe nga vetë krerët e partisë shtet. Vlerat e tij të vërteta u zbehën, jopak, vetëm atëhere kur himni i tij u censurua dhe sidomos kur nuk u dëgjua fare. edhe i recituar rrallë.

Ky qëndrim ndaj Himnit të Lidhjes po mbahet edhe sot kur veprat e tij madhore atdhetare, shkencore dhe letrare prijetare lihen në harresë. Për këtë po ndikon për keq jo më pak se dikur intepretimi fundamentalist nga të gjitha krahët i vargjeve të tij papidare: “Mos shikoni kisha e xhamia, kisha e shqiptarit asht shqiptaria!” Kisha e xhamia në trajtimin artistik të Pashkos katolik nuk stigmatizoheshin si institucione fetare në vetvete por si vende ku qenë grumbulluar në shumicë klerikë të huaj apo dhe vendas, të cilët duke mos u kufizuar me shërbesat fetare, qenë rreshtuar në shërbim të politikave antishqiptare. Priftërnjtë dhe hoxhallarët e sotëm në trevat shqiptare nuk kanë pse të identifikohen me shumicën e klerikëve që kanë shërbyer në to gjatës Rilindjes dhe më heret.

Gazetarit libanez Mubarak, i cili pat ndihmuar, siç dëshmon diplomati i atëhershëm Dalan Buxheli në Egjypt, ambasadën tonë për atdhesimin e eshtrave të Pashko Vasë nga Libani në Shkodër i pat bërë shumë përshtypje sesi ndodhte që eshtrat e ish valiut të Libanit nga një varr me kryq të preheshin tashmë në një varr pa kryq. Ai është edhe pa yll të kuq edhe pse prehet pranë dëshmoreve të LANC-it. Sot atij varri i përshtatet plotësisht shqiponja dykrenore në sfond të kuq.

U zgjatëm sa më sipër për të nënvizuar, se afetarizmi rilindas dhe antiklerikalizmi humanist evropian i Pashko Vasës nuk ishte siç pretendohet mbrapsht në ditët tona, madje më shumë se dje, ateist. Sot në vitin e Skenderbeut dhe të përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit shqiptarët, pa dallim besimi, mund ta këndojnë bashkarisht një zëri pa pasur frikë se hyjnë në mëkat apo bijnë në gjynah, Hymnin e Lidhjes “Bashkimi i Shqipnis”:

“Shqyptare! Me vllazen jeni tue vram,
dhe me njiqind çeta jeni shperndame;
Sa thone kemi fe, sa thone kemi din,
njeni thote jam turk, tjetri jam latin,
do quhen greke, shqeh disa te tjere,
por jeni vllazen, gjithe, mor te mjere;
priftnit e hoxhet, ju kane hutue,
per me ju damun, me ju varfenue;
vjen njeri i huej, ju rri ne voter,
me ju turpnue, me grue, me moter;
edhe per sa para qe do te fitoni
besen e t’pareve t’gjith e harroni,
edhe bahni robt’ e njeriut t’huej,
qe nuk ka gjuhen, as gjakun tuej!
Qani ju shpata, qani dyfeqe,
se u zu Shqypnia, por si zog nder leqe!
Coniu, o shqyptare, prej gjumit çoniu,
te gjithe si vllazen ne nje bese shtrengoniu,
edhe mos shikoni kisha e xhamia,
fe e Shqyptarit asht Shqyptaria.
Qysh prej Tivarit deri ne Preveze
gjithkund leshon dielli vap’ e rreze,
ashte toka jone, te paret na e kane lan,
kush mos na e prek, se desim, t’tane.
Te desim si burrat qe diqne motit,
e te mos marrohna perpara Zotit.”

Për autorin e tekstit të hymnit “O moj Shqipni” Shqiptaria ishte Kombi i Muslimanëve, i Orthodoksëve dhe i Katolikëve Shqiptarë, të konsideruar nga politikat teokratike ballkanike, prapa të cilave qëndronin ato europiane, turq, helenë dhe latinë. Nga popujt neolatinë, katolikë, asnjë nuk vetëthirret sot e kësaj dite “latin”. Të tillë ata quheshin, me sa dimë, në kuadër të sistemit osman të “mileteve”. Grekët vetëthirreshin rumë e të krishterë. Epirotë asnjëherë nuk u shkoi mendja ta quanin veten, aq më pak vorioepirotë; nuk bëhej fjalë që ta ulnin veten aq poshtë sa ta vinin në një shkallë me fqinjët e tyre që i quanin barbarë.

Edhe turqit deri në fillim të shekullit XX, duke apeluar në besimin e tyre vetëquheshin, së bashku me arabët e të tjerë, duke mohuar kombësinë e tyre. Përballë këtyre realiteteve myslimanët tanë, në masë, e quanin veten shqiptarë. Pati dhe prej tyre, kur ballkanasit dhe edhe europianët i quanin turq, të mbërthyer në grackën e propagandave teokratike, u vetëquajtën turq, gjithëherë në kuptimin thjesht fetar. Aso kohe vetë turqit nuk vetëquheshin etnikisht ashtu siç u takonte, por vetëm myslimanë.

Gjithsesi, myslimanët shqiptarë nuk e ngatërruan asnjëherë veten me turqit në rrafsh etnik. Për ta nuk qe i panjohur fakti që intelektualë osmanë të kombësisë turke, deri në fillim të shekullit XX, emërtimin e tyre etnik turk e përdornin me përbuzje për të shënjuar fshatarët e Anadollit.

Vargjet e Pashko Vasës “Feja e shqiptarit asht shqiptaria…” ishin përgjithësim i një realiteti gjeofetar të ngulitur prej shekujsh në truallin shqiptar. Ato ishtin rrjedhim jo vetëm i tolerances dhe harmonisë fetare por, në radhë të parë, i bashkëjetesës ndërfetare të kalitur në shekuj, midis shqiptarëve. Kjo bashkëjetesë përfshinte fshatin, katundin, bajrakun, malin, fisin, krahinën, mbarë kombin. Ajo përfshinte deri dhe familjen ku, deri vonë, njeri vëlla ishte hoxhë dhe tjetri studionte per prift. Bashkëjetesa mbijetoi që në kohë të hershme dhe në krevatin bashkëshortor. Mjafton të sjellim vetëm një shembull të fillimit të shek. XX: e ëma e nënkryetarit të ardhshëm të qeverisë së parë kombëtare shqiptare Dom Nikollë Kaçorrit ishte myslimane.

Emrat e mbiemrat arabë tek mjaft të krishterë, madje dhe udhëheqës të shquar të Lëvizjes kombëtare antiosmane burra e gra, si Mehmet Shpendi, Tringë Smajlja e qindra të tjerë, pavarësisht arsyeve ekonomike që diktuan marrjen dhe mbajtjen e tyre, çka vlen të theksohet, pa dhunë, janë dëshmi e bashkëjetesës shekullore në mesin e shqiptarëve.
Mbi këtë realitet unikal në botë të njohur thellë dhe të kuptuar drejt nga P. Vasa ngrihen madhështore vargjet e hymnit “Bashkimi i Shqipnisë”: “Fe e Shqyptarit asht Shqyptaria!” Në këtë kontekst ato janë kënduar dhe këndohen dhe sidomos recitohen, përgjithësisht, nga mbarë shqiptarët.

Kanga “O moj Shqipni!” nuk gjeti vend, me sa i kam ndjekur unë, as në emisionet, përgjithësisht përfaqësuese, “100 vjet muzikë” të Pandi nxLaços. Ajo u interpretua vetem nga orekstra simfonike e TOB-it e pa shoqëruar nga kori apo nga ndonjë solist. Autorsia iu vesh gabimisht Palokë Kurtit, nxënësi i denjë i mjeshtrit arbëresh Gjon Kanale.
Në 100 vjetorin e Pavarësisë nuk u kujtua kush nga organizatorët e jubileut për autorët e Hymnit të parë kombëtar të mbarë shqiptarëve, për ideologun ideologun e madh të Rilindjes Pashko Vasën dhe për kompozitorin e tij napolitan Gjon (Xhovani) Kanale. Me sa duket, shtetarët tanë nuk i dalin dot për zot Hymnit “Bashkimi i Shqipnis”. Ata friksohen, si dikur se mos cënohej internacionalizmi proletar, ndërsa sot se mos po u bijnë ndesh kërkesave të Bashkimit Evropian dhe Aleancës Euroatllantike.

Vlen që përballë ndonjë keqkuptimi pa dashje dhe ca më shumë me dashje, të sqarohet, se vargjet “Qysh prej Tivarit deri në Prevezë Gjithkund lëshon dielli vapë e reze” janë pasqyrim autentik i realitetit demografik të trojeve shqiptare deri në vitet ’70 të shek. XIX. Autori erudit Pashko Vasa realist nuk përfshinte brenda tyre troje të huaj si ato që nga venedikasit, u paten quajtur jo pa të drejtë Albania Veneta deri në Kotorr, edhe pse vetë kjo Shqipëri venedikase dhe hinterlandi i saj banohej nga popullsi neoilire/arbërore, e cila sllavizohej sistematikisht në zbatim të Zakonikut të car Dushanit.

Pashko Vasës, gjithashtu, nuk i shkonte ndër mend kurrësesi që të përfshinte në trojet shqiptare as atë territorqë asnjë grek sot e kësaj dite nuk pranon ta quaj “Arvania greke” ashtu siç e paten quajtur venedikasit e mesjetës “Shqipërinë” e tyre. Pas vendimeve të mbrapshta të Kongresit të Berlinit politika, diplomacia dhe opinioni publik evropian, jo pa vend, do të bënin fjalë edhe për një “Shqipëri malazeze”.

Planet shoviniste greke në drejtim të tokave shqiptare në Epir nuk u realizuan në atë kohë. Ndërsa për fatin e Epirit shqiptar, të quajtur jo pa qëllim, i Veriut, dhe të vilajetit të Kosovës, e ashtuquajtura “Stara Serbija” do të bëhet fjalë pas 30 e sa vjetësh si rezultat i vendimeve të Konferencës së Londrës, me të cilat trojet shqiptare do të përgjysmohen.
Autori i himnit “Bashkimi i Shqipnis” e kishte bërë të qartë që në muajin mars të vitit 1878 në Parashtresën dërguar ambasadorit britanik A. Layard se deri ku shtriheshin “Vilajetet e bashkuara” apo “Vilajeti i Shqipërisë”, të përfshira në kërkesat e Lidhjes së Prizrenit, duke pasur parasysh vetëm trevat në të cilat shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë. Koncepti i tij territorial ishte rezultat i një pune shkencore të admirueshme jo vetëm për atë kohë, e parashtruar në traktatin e tij historiko-politik “E vërteta mbi Shqiperinë dhe shqiptarët” dhe në një radhë dokumentesh. Në to Pashko Vasa argumentoi aspiratat kombëtare të bashkatdhetarëve të vet dhe rrugën që duhej të ndiqinin ata për sendërtimin e synimit final të tyre. Jo vetëm kaq.

Programi i Lidhjes i shpallur më 15 qershor 1878 në Kuvendin Themelues të saj u rikonfirmua në Kuvendin e Parë të Dibrës, më 1 nëntor 1878, edhe nga përfaqësuesit e vilajetit të Janinës me Abdyl Frashërin në krye. Në të u kërkua krijimi i vilajetit autonom të Shqipërisë i përbërë vetëm nga 12 sanxhaqe me popullsi mbizotëruese shqiptare duke përjashtuar prej tij sanxhaqet e tjerë të vilajetit të Kosovës, të Janinës dhe të Manastirit në të cilat ata nuk përbënin shumicën. Në këto tubime historike të Lidhjes Shqiptare Pashkoja luajti rol përcaktues.

Pashko Vasa si frymëzues dhe bashkautor i dokumentit programor të Lidhjes së Prizrenit, të quajtur, jo pa të drejtë, “Kushtetuta e Lidhjes, dha kontributin e tij madhor në ato momente historike. Vasa si njeri ndër përfaqësuesit më të parë dhe më të shquarit të atdhetarizmit shqiptar, intelektual i rrallë i shquar me kulturë perëndimore dhe lindore u vu në ballë të lëvizjes mbarëpopullore për çlirim dhe bashkim kombëtar, qysh në ditët e para të themelimit të Lidhjes së Prizrenit. Edhe pse të formuluara në mënyrë tepër konçize pikëpamjet ideologjike dhe politike të P. Vasës mbeten programi bazë i Lëvizjes Kombëtare shqiptare deri në fund të shek. XIX. , Stafetën e autorit të Hymnit të Lidhjes e rroku dhe e çoi më përpara bashkëluftëtari tij Shemsedin Sami Frashëri me veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, çështë dhe çdo të bëhetë?”

Në Shkodër dhe më gjerë luftrat e popullit shqiptar nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit janë quajtur në popull Lufta e Miletit (Lufta Kombëtare) ndërsa Hymni i Lidhjes, Kanga e Miletit (Hymni Kombëtar).

Përdorimi i fjalës milet në këtë kontekst shumëkujt i vjen i pakuptueshëm dhe, madje, dhe i çuditshëm. Ndërsa për ata që duan të tregohen më evropianë se evropianët përdorimi i turqizmave nga shqiptarët, jo vetëm myslimanë, përfaqësoka, pavarësisht kontekstit historik e, madje, etnik, thjesht dhe vetëm prapambetjen otomane. Midis tyre ka dhe fundamentalistë të tillë të cilët edhe besimin islam të shumicës së shqiptarëve e konsiderojnë edhe atë mbeturinë osmane. Në ekranet tona ndonjeri shkon dhe më larg dhe i konsideron këto mbetiurina mbetje toksike në mesin tonë.

Sa për dijeni të shumicës së lexuesve jo vetëm të atyre, që i paragjykojnë me të padrejtë bashkatdhetarët myslimanë dhe të gjithë trashëgiminë osmane, duhet të përkujtojmë, se në serbishten e sotshme, sipas orientalistëve perëndimore, ka më shumë turqizma se sa në shqipe.

Termin milet shqiptarët e kanë përdorë, të paktën që nga koha e Lidhjes së Prizrenit, pak a shumë ashtu siç do ta shpjegojë fjalën ‘nation’ Sami Frashëri afro çerek shekulli më vonë në fjalorin e tij frengjisht-turqisht. Në këngët popullore kushtuar luftave për mbrojtjen e trojeve amtare dhe sigurimin e autonomisë së Shqipërisë luftëtarët e Lidhjes e përdorën termin milet për kombin në kuptimin modern. Përfytyrimi i tyre edhe pse jo fort konsekuent ishte plotësisht evropian në përputhje me realitetin tonë ndërfetar të trashëguar historikisht të një kombi apo mileti të ngritur mbi dallimet fetare. Rast unikal në botë.

Luftëtarët popullorë pasi mposhtën misionin e Mehmet Ali pashë Maxharrit në Gjakovë dhe mbrojtën heroikisht dhe me shumë sakrifica Plavën dhe Gucinë në kundershtim me porosinë e sulltanit, kur po niseshin në mbrojtje të Hotit dhe të Grudës shpallnin me vendomëri të patundur vetëdijen e tyre: “Pa gjak malet mos me i lshue/jena nis’ me u ba milet.” Në këto vargje pasqyrohet qartë se vetdija popullore po ngrihej në nivel kombëtar të paimagjinueshëm. Më tej këngëtari popullor kur pa qartë se Perandoria Osmane po mobilizohej t’ua imponnte shqiptarëve vendimet e Kongresit të Berlinit, bënte thirrje: “Ju devleti ju ka lëshue/Bini mrapa me milet”, kuptohet me miletin plurifetar shqiptar. Këngtari popullor mirditas porosiste shqiptarët të mos e mbanin shpresën në miletet fetare, por të mbanin besën shqiptare ndërmjet vedit: “Mbanie besën ndërshej veti. S’ka ç’u ban kurrfarë mileti.” Se përndryshe “Po s’e mbajtët besën bashkë”, /Do tu dalin bitha jashtë”.

Nën udhheqjen e Lidhjes së Prizrenit Lufta e Miletit edhe pse nuk e mbrojti dot Ulqinin shqiptar përballë një koalcioni ndërkombëtar dhe përballë forcave të komanduara nga Dervish pasha nuk arriti të sigurojë jetësimin e programit të saj autonmist përmes krijimit të Vilajetit të Shqipërisë provoi bindshëm, se “Sot Shqypnija asht ba Milet”! Këngëtari popullor shpallte që kombi shqiptar ishte një realitet, ekzistencën e të cilit populli shqiptar e dëshmoi në betejat e zhvilluara nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit përballë një koalicioni forcash antishqiptare në shkallë kontinentale. Evropës imperialiste dhe Ballkanit shovinist, (epitetet e përdorura më sipër i përkasin terminologjisë së kohës) dhe Pernandorisë Osmane të plakur (të sëmurin e Bosforit nuk e lejonin të jepte shpirt kontradiktat midis forcave të atilla imperialiste) iu deshën afro tre vjet për t’u imponuar shqiptarëve zbatimin e vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit në kurriz të trojeve shqiptare.

Fjalën milet në kuptimin modern që i dhanë shqiptarët që në kohën e Lidhjes së Prizrenit turqit vetë, përmes të cilëve ne e morëm, filluan t’a përdorin pas revolucionit xhonturk. Pas fitores së revolucionit Kemalist termi i miletit komb u zyrtarizua.
… Kompozitori i mirënjohur Fehim Ibrahimi “Kangën e Miletit” e ka ekzekutuar në Teatrin Migjeni me forcat artistike të qytetit të Shkodrës. Dhe siç më ka pohuar muzikanti i njohur Xhavid Ujkani që ka ndihmuar së bashku me të tjerë për vënien e tij në skenë, ai qe një marsh tërësisht evroian.

Në vitin e Skenderbeut dhe 140-vjetorit të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit besoj, se ka ardhur koha që Hymni i Shqiptarisë të ekzekutohet me bandë e me orkestër, të këndohet në kor e me solistë i plotë, pa e cenzuruar asnjë varg të tij. Kështu, besojmë të bëhet i njohur tashmë në mbarë shqiptarinë!

Arbëreshi Tomaseo Markoci (Marcozzi), i njohur si Patër Toma dhe mjeshtri napolitan po arbëresh Gjon Kanale (Giovanni Canale), për mendimin tim janë themeluesit e Bandës së parë qytetse në trevat shqiptare. E theksoi qytetse sepse orchestra frymore ka pasë që më parë pranë reparteve të ushtrisë osmane. Pa diskutim pranë komandave të 2-3 korparmatave që operonin në vilajetet e quajtura me plot të drejt shqiptare për shkak të popullsisë mbizotëruese, me siguri ka pasur orchestra të plotësuara me instrumentistë të përgatitur dhe të drejtuara nga dirigjentë të kualifikuar. Për të sqaruar përmasat e një formacioni të tillë orkestral mund të mjaftohemi me kërkime në Fototekën e mirënjohur të Marubit dhe në Fototekën e vëllezërve Manaqi të Manstirit ku duhet të ketë foto të bandës së divizioneve të dislokuar në vilajetin e Shkodrës dhe të Manastirit.

Repertori i këtyre bandave përfshinte për mendimin tone dhe marshet Mahmudije dhe Mexhidije të kompozuar nga një Donizzeti. Të mos na vijë çudi. Për afro 30 vjet u ekzekutua prej tyre dhe marshi i Abdylhamidit II “Padishahëm çok yasha” (Të rrojë padishahu ynë)Sulltan Mahmuti II më 1828 pat sjellë pranë Pallatit sulltanor Xhuzepen, vëllajn e kompozitorit të famshëm francez Gaetano Donizetti, i cili themeloi “Bandën sulltanore” (Muzika-yi Hümayun). Nxënesve të tij u mësoi sistemin perëndimor të shkrimit të notave muzikore. Me emrin e tij lidhet përhapja e instrumentit të klarinetës në Stamboll dhe më gjerë. Kompozoi marshin Mahmudije për nder të sulltan Mahmudit, i cili i dha titullin pasha. Pas ardhjes në fron të Abdylmexhidit Donizzet pashaj kompozoi marshin Mexhidije. Ka një diskutim lidhur me autorsinë e marshit Mahmudije, se mund të jetë kompozim i Gaetanos së madh. Pavarësisht nga kjo, ndikimi i muzikës evropiane vinte në Shkodër në radhë të parë përmes Napolit.

Shpreh bindjen, se arbëreshët pater Tom Markoçi dhe at Gjon Kanale si themelues të Bandës së parë qytetse shqiptare meritojnë të dekorohen nga shteti shqiptar jo vetëm për veprimtarinë e tyre pioniere kulturore artistike, por, në radhë të parë, dhe për veprimtarinë e tyre atdhetare mirëfilli shqiptare. Ndërsa Pashko Vasë Shkodrani dhe at Gjon Napolitani si autorë të Hymnit të parë Kombëtar të Shqiptarëve, me këtë rast duhet të rivlerësohen në mënyrë të veçantë. Busti i rilindasit të madh I mungon prej kohësh kryeqytetit të Shqipërisë jo vetëm për Hymnin “Bashkimi i Shqipnisë”, por dhe për veprën e tij madhore “E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët” dhe kontributin në themelimin, organizimin dhe orientimin e Lidhjes Shqiptare që në Kuvendin Themelues të Prizrenit dhe Kuvendin Përbashkues të Dibrës. Ndonjë shkolle muzike në vendin tonë meriton t’i jepet emri i mjeshtrit Gjon Kanale. “Donizzeti” ynë dhe busti i tij e ka vendin të paktën në Shkodër dhe në Muzeun Historik Kombëtar.

Ky shkrim shpresojmë të shërbejë si kujtesë për të sjellë në vemendjen e autoriteteve më të larta shtetërore dhe të organizmave artistike të shqiptarëve për shlyrjen e borxhit që mbarë shqiptarët kanë ndaj autorëve të Hymnit të parë Kombëtar të tyre dhe për rijetësimin e tij.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME