“Çfarë bën dhe çfarë mendon gruaja në takimin e parë…”

“Ja për shembull një grua, e cila ka shkuar në një takim të parë. Ajo i njeh fort mirë synimet që ushqen ndaj saj burri që po flet.

Ajo e di gjithashtu se herët a vonë do t’i duhet të marrë një vendim. Mirëpo ajo nuk dëshiron ta ndiejë urgjencën: ajo jepet vetëm pas anës së respektshme e të matur të sjelljes së partnerit.

Ajo nuk e rrok këtë sjellje si orvatje për të përmbushur atë çka e emërtojmë “qasjet e para”, domethënë që nuk ia ka enda të shohë mundësitë e zhvillimit të përkohshëm që paraqet kjo sjellje: ajo e kufizon këtë sjellje në atë çka është në të tashmen.

Në fjalitë që i drejtohen, ajo nuk don të lexojë gjë tjetër, përveç kuptimit të shprehur qartë. Nëse i thonë: “Sa shumë ju adhuroj!”, ajo e çarmatos këtë fjali me thellësinë e vetëdijes së saj seksuale, i mvesh ligjërimeve dhe sjelljes së bashkëbiseduesit domethënie të menjëherta që i përfytyron si cilësi objektive.

Burri që flet i duket i çiltër e gjithë respekt, ashtu siç, të themi, tryeza është rrumbullake a katrore, letra që vesh muret është blu a e përhime. Dhe cilësitë e mveshura kësisoj personit që ajo po dëgjon, kanë ngrirë kështu në një qendrueshmëri sendore, e cila nuk është gjë tjetër veçse hedhje në rrjedhën kohore i të tashmes së tyre të përpiktë.

Pikërisht, ngaqë ajo nuk është në dijeni të asaj çka uron: ajo është thellësisht e ndjeshme ndaj dëshirës që frymëzon, por dëshira e thënë troç dhe cullake do ta poshtëronte e do ta llahtariste. Megjithatë, ajo nuk do të përjetonte asnjë mrekulli prej një respekti që do të ishte vetëm thjesht respekt.

Për ta kënaqur, lipset një ndjenjë që i drejtohet e gjitha qenies të saj, domethënë lirisë së saj plotësore, e që të jetë një njohje e lirisë së saj. Mirëpo, në të njëjtën kohë duhet që kjo

ndjenjë të jetë e gjitha dëshirë, domethënë që t’i drejtohet trupit të saj si objekt. Pra, këtë herë, ajo shkagon ta rrokë dëshirën për atë çka është, madje, nuk i vë as emër, e njeh vetëm në atë masë, teksa ajo përvijohet kah adhurimi,

vleresimi, respekti dhe kur përthithet e gjitha në trajtat më sipërane që përfton, deri në atë pikë sa shpaloset aty si një lloj ngrohtësie a dendësie.

Por ja që i marrin dorën. Ky veprim i bashkëbiseduesit të saj ka rrezik ta ndryshojë situatën duke i bërë thirrje një vendimi të menjëhertë: ta braktisësh këtë dorë do të thotë të mos kesh vetiu kundërshtim për flirtin do të thotë të përfillësh.

Ta heqësh dorën do të thotë të prishësh këtë harmoni të trubullt e të brishtë që përbën magjinë e këtij çasti.

Lipset të shtyhet sa më larg të jetë i mundur çasti i vendimit. Dihet se ç’ndodh atëherë: gruaja rioshe e heq dorën, por nuk e ve re që e heq.

Ajo nuk e ve re, sepse, në këtë çast, rastësisht, është gjithë qejf. Ajo e tërheq bashkëbiseduesin e saj gjer në pjesët më sipërore të spekullimit sentimental, flet për jetën, për jetën e saj, shfaqet në aspektin e saj thelbësor:

një njeri, një vetëdije. Dhe gjatë kësaj kohe, ndarja e trupit dhe e shpirtit është përmbushur;

dora prehet pa gjallëri midis duarve të ngrohta të partnerit të vet.

Jean-Paul Sartre

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

PËRFSHIHET NGA FLAKËT FSHATI KAPRRE NË AFËRSI TË SYRIT TË KALTËR, RREZIKOHEN BANESAT

Një zjarr ka përfshirë fshatin Kaprre, pranë Syrit të...

ZJARR NE SHKODER, TYMI PUSHTON QYTETIN..

Tymi ka pushtuar gati gjithe qytetin e Shkodres. Flaket...

RAME LAHEJ DHE ALESSANDRO SAFINA KONCERT NË SHIROKË

Në pikën turistike të Shirokës, zëri brilant i tenorit...