Flamuri kombëtar shqiptar zgjedhet ndër më të bukurit në botë

Kontrasti kuqezi dhe shqiponja dykrerëshe e veçojnë flamurin kombëtar shqiptar. Flamuri që ka prejardhjen që nga koha e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që njëherësh ishte dhe simboli i tij në udhëheqjen e shumë luftërave dhe emblema e familjes Kastrioti,

viteve të fundit, në shumë ueb-faqe në internet është renditur në mesin e flamujve me dizajnin më të bukur në botë.

Në listën që kishte bërë ueb-faqja www.listosaur.com përmes votave “online”, flamuri i Shqipërisë është renditur i dyti. Flamurin kombëtar e shoqëron një përshkrim i detajuar, qe fillon me përshkrimin e dukjes së tij, për të vazhduar më pas me kuptimin që ka.

“Dy koka në një shqiponjë? Ky simbol simetrik bën një koleksion të mrekullueshëm për flamurin e Shqipërisë, veçanërisht dizajni erdhi nga një familje e një heroi të shekullit të 15-të i cili ka udhëhequr disa rajone të pavarësisë.

Shqiponja e zezë është në kontrast të fortë me sfondin që është ngjyra e kuqe e ndezur, duke krijuar një imazh të fuqishëm dhe tërheqës”, shkruan “Listosaur”.

Sipas kësaj ueb-faqeje, në vendin e parë është renditur flamuri i Butanit, ndërsa, pas flamurit të Shqipërisë ishin renditur ai i Nepalit, Papua Neë Guinea-s, Sri Lanka, Korea e Jugut, Kiribati, Japonia, Turkmenistani dhe Katari.

www.ranker.com një tjetër ueb-faqe në internet, në listën e saj me flamujt më të bukur në botë, flamurin e Shqipërisë e rendit të dytin. Derisa në vendin e parë është Meksika. Pas Shqipërisë,

janë renditur shtetet si Mbretëria e Bashkuar, Kosova, Brazili, Kanadaja, SHBA-të, Portugalia, Spanja dhe në vendin e dhjetë Filipinet. Ndonëse ueb-faqja nuk ka bërë ndonjë përshkrim të veçantë për flamurin, ajo flet për shtetin e Shqipërinë në përgjithësi.

Ueb-faqja www.rachelbrandon.com për gjashtë muaj ka mbledhur pëlqimet e njerëzve në shtetet e ndryshme të botës për dukjet e flamujve të shteteve. Sipas këtyre rezultateve, flamuri i Shqipërisë është renditur i gjashti si dizajni më i bukur.

“Guximi, besimi, tradicionalja, dhe krenaria janë emocionet që të krijon dhe kërkohen në këtë flamur magjepsës e të thjeshtë. Në fund të fundit, ky është një flamur beteje, dhe duke qenë një shtet ballkanik,

flamuri ka qenë i ndjekur në shumë luftëra. Gjithashtu, në këtë flamur mund të vëreni një shqiponjë që e bëri listën, por që është një shqiponjë e dyfishtë nëpër gjithë qiellin”, shkruan “rachelbrandon”.

Hulumtimi i ueb-faqes www.kkdesign.dk ka përfshirë 196 shtete për flamurin më të bukur në botë. Prej këtij hulumtimi janë renditur dhjetë flamujt me dizajnin më të bukur në botë, ndërsa ai i Shqipërisë renditet i nënti.

Për flamurin kombëtar, në “kkdesign” shkruan: “Sfondi i kuq dhe shqiponja dykrerëshe e zezë. Shumë simetrike dhe me pasqyrim të fortë. Dizajn i pastër dhe i fuqishëm. Kjo shqiponjë thotë: mos u kap me këtë shtet!

Do të të hamë! Do të të hamë dy herë! Ne i kemi dy koka! Mos prek! Shqiponja është përdorur për qëllime heraldike në Mesjetë nga shumë familje fisnike në Shqipëri dhe u bë simbol i shqiptarëve”. Sipas kësaj ueb-faqeje, vendi i parë ka shkuar për Japoninë.

Në “Youtube” qarkullojnë shumë video, në të cilat janë renditur flamujt e shteteve të ndryshme. Në njërin nga këto video renditet i dyti. Para tij është ai i Turkmenistanit.

Pas Shqipërisë është Bhutan, The Comoros, Kazakhstan, Nepal, Seychelles, Mongolia, Cambodia dhe Central African Republic. Në një tjetër video, në mesin e tridhjetë flamujve në botë, ai i Shqipërisë është i pari.

Pas tij vijnë shtetet si Mali i Zi, Argjentina, Egjipti, Britania e Madhe, Koreja e Jugut, SHBA, Skocia, Italia dhe Nepali.

Historiani Jahja Drançolli, thotë se duhet theksuar se e veçanta e flamurit kombëtar shqiptar është simbolikë e saj e gjatë mijëvjeçare,

e cila ka reflektuar gjithsesi edhe në simbolikat e popujve të qytetërimeve të mëvonshme, duke përfshirë këtu edhe simbolikën e qytetërimit romak dhe pasuesit të këtij qytetërimi bizantin.

“Kur merret parasysh se shqiponja si simbol te iliro-arbrit ka dominuar së paku që prej kohës së mbretit Pirro, njërit ndër personalitetet më të shquara të antikitetit të hershëm, atëherë kjo vertikale e gjatë historike,

vetvetiu ka përfshirë ngjarje të rëndësishme historike, të cilat gjithsesi kanë lënë gjurmë jo vetëm te populli shqiptar, por edhe te popujt të tjerë të Ballkanit”, ka thënë profesor Drançolli për “Zërin”.

Sipas tij, simbolika e ngjyrave kuqezi është shumë përcaktuese në ngritjen e vlerave heraldike dhe veksikologjike të flamurit shqiptar.

Ai thotë se këto dy shkenca që studiojnë flamujt dhe stemat përgjithësisht, ku vend të veçantë gjithsesi zë flamuri dhe stema shqiptare, si ndër më të vjetrat dhe më të njohurat në Evropë.

“Çdo gjë për dhe rreth flamurit shqiptar nis me shqiponjën. Shqiponja si simbol është çmuar lart nga ilirët, sidomos nga mbreti epirot Pirroja, si dhe nga Aleksandri i Madh,

një pinjoll ilir, i cili sikurse edhe Pirroja janë reflektuar fuqishëm te emri dhe të bëmat dhe flamuri e stema e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Së këtejmi, simboli i shqiponjës me dy krerë në kontekstin e pasardhësve të Kastriotëve, është ruajtur deri në ditët tona në duvakun e nuses, si simbol i flamurit të Kastriotëve”, ka thënë Jahja Drançolli, derisa ka shtuar se simboli i shqiponjës ka qenë i pranishëm gjithherë te shqiptarët.

“Shqiponja vazhdimisht ka jetuar në malet e Shqipërisë, përherë ka jetuar mbi kokat e shqiptarëve”. Si e tillë shqiponja si simbol i kultit te shqiptarët nuk është zbehur asnjëherë,

madje edhe gjatë sundimit disashekullor osmanë, dhe afro një shekull në një pjesë të Shqipërisë të okupuar nga serbët, respektivisht jugosllavët”.

Historiani Frasher Demaj, thotë për gazetën se flamuri kombëtar shqiptar, shqiponja e zezë dykrenore në sfond të kuq është stema e Principatës së Kastriotëve.

Siç thotë ai, duke qenë se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është simbol i krijimit të nacionit shqiptar atëherë është e natyrshme që shqiptarët zgjodhën për simbole kombëtare, simbolet e Principatës së Kastriotëve.

“Ngjyrat kuq e zi të integruara në njëra tjetrën besoj edhe në kuptimin artistik imponojnë vlerësimin edhe të botës së artit. Kurse shqiponja dykrenore nënkupton fuqinë e principatës dhe lashtësinë e saj”, ka thënë Demaj,

duke shtuar se janë disa komponentë që e bëjnë të veçantë flamurin kombëtar shqiptar.

“Veçantia e flamurit kombëtar shqiptar ka disa komponentë në mesin e të cilave ngërthehen vjetërsia, historia, kultura, tradita, simbolika e forcës,

simbolika e formimit të kombit, heroizmi kombëtar dhe vlerat tjera të gjetura në historinë, kulturën dhe traditën kombëtare”, ka thënë Frashër Demaj.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME