“Të marrësh jetën apo vdekjen me duart e tua”, jeta e Azizit mes urisë, dizanterisë e një drite kandili…

Nga Elsa Vorfi

“Nuk e dinim në po merrnim jetën apo vdekjen me duart tona”, shprehet Azizi, një prej të mbijetuarve nga vuajtjet nëpër kampet e komunizmit në Tepelenë, Turan, Kuçovë e Berat, në Shqipërinë e viteve 1948-1954.

 

Në një dokumentar nga Luljeta Progni, vjen historia e Azizit fëmijë, historia e vërtetë e një jete që të lë shumëçka për të kujtuar, të lë dhimbje, drithërimë, lot që duket se nuk kanë më forcë të dalin në sipërfaqe, histori jete.

 

Azizi përjeton urinë, përjeton etjen që bashkë më nënën, motrat e tij dhe bashkëvuajtës të tjerë e shuanin duke mbushur kovat në ujëra të infektuara, duke mos ditur kështu nëse po mernin jetën apo vdekjen me duart e tyre. Babai largohet herët, duke lënë pas një mungesë që nuk mbushet kurrë e një letër shpresëdhënëse se një ditë do të kthehet.

 

Gjatë këtij udhëtimi të tmerrshëm jete nëpër kampet e tmerrit, Azizi takon të tjerë si vetja që përjetojnë ditët më të errëta të jetës mes urisë, etjes, kolerës, dizanterisë. Takon mbi të gjitha nëna të cilat në kushtet e mungesës së bukës,

 

ujit apo ilaçeve, mbanin në prehër me forcën që nuk e di ku e gjenin, të vegjëlit e tyre të pajetë. Nëpër “dhomat” e errëta një kandil dore duket se lufton që të premtojë dritën e munguar, dritën shpresëdhënëse që për fat të keq nuk erdhi kurrë. Azizi përjeton ndër të tjera humbjen e nënës, e përcjell një ditë për në spital me shpresën se ndonjë doktor do dijë t’ia kthejë, e si për ironi më vonë merr rrugën e kujdesit për të tjerët, bëhet infermier, duke i shërbyer me përulësi çdo të sëmuri nëpër kampet e tmerrit.

 

Skena të tilla ku fëmijët lidhen në trunguj pemësh e torturohen veçse nuk e mbushën ujin në vendin e diktuar, ta përcjellin dhimbjen tragjikisht fort.

Për 60 minuta sheh e ndjen Azizin fëmijë, vuajtjet e tij e shumë të tjerëve si ai, përjetimet mes lotësh të të pranishmëve,

 

shumë prej tyre mbase i kanë ende të gjalla historitë familjare të tmerrit e mes gjithë kësaj për një moment e ndjen veten fajtore që po jeton kohën që ata se jetuan kurrë, e po lëmë në harresë vite të tëra torturash. Historinë e Azizit nuk mjaftohesh ta ndjekësh vetëm njëherë, herën e parë që e ndjek, të ndodh që në fund të historisë, sheh aty me ty Azizin që po ashtu për 60 minuta shikoi përmes një ekrani të madh veten e para shumë e shumë viteve. Po po,

 

Azizi është aty, shumëvjeçar tashmë, një fytyrë e gjallë e vuajtjes dhe e forcës. I qeshur ngrihet në këmbë, përshëndet spektatorin, në fytyrën e tij lexon shumëçka, lexon përulësinë, mirënjohjen, falenderimin për ato duartrokitjet që janë hiqçgjë e nuk mundet ndryshe veçse ta admirosh. Të admirosh Azizin fisnik, që si për dreq ka përulësinë që do duhet ta kishin të gjithë ata që i kryen ato krime e që minimumi

 

kurrë nuk kërkuan falje. Është historia e Azizit, e shumë e shumë të tjerëve që erdhi ashtu thjesht, e vërtetë, larg efekteve që japin veçse formë e jo përmbajtje, që të flasin për atë çka ne e kemi për detyrë ta kujtojmë çdo ditë.

 

 

 

 

 

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME