E mbetur shtatzanë falë fekondimit ‘in vitro’, ka lindur të mërkurën në spitalin “San Giovanni” në Romë një vajzë 3 kile 200 gramë, me shëndet të plotë.
Asgjë e çuditshme, po të mos ishte për moshën e gruas, një nënë single 62 vjeçare.
Gruaja i është drejtuar një strukture shqiptare për implantimin e embrionit. Kjo, jo vetëm sepse në Itali është e ndaluar një praktikë e tillë, por edhe sepse gruaja e ka kaluar limitin e moshës, parashikuar në vendin e saj.
Nëna e re, me profesion infermiere, ka ‘adoptuar” embrionet e një çifti, i cili ishte nënshtruar më parë procedurave të tilla. Bëhet fjalë për një praktikë që në Itali është e ndaluar, por përdoret në vende të tjera europiane si Spanja, apo Shqipëria.
Edhe sikur të kishte qenë 12 vjet më e re, gruaja e sapo bërë nënë, duke qenë beqare, nuk do mund ta realizonte një gjë të tillë në vendin e saj, sepse ligji e përcakton mirë që duhet të jenë çift.
Për “Messaggero”-n, gruaja rrëfen se kishte ‘pritur për vite burrin e duhur e më pas e kishte ndarë mendjen’ për t’u bërë nënë me çdo kusht.
Ajo shpjegon se për t’u bërë nënë “nuk ekziston mosha e duhur, jeta është zgjatur, ka shumë mundësi”.
Përballë perspektivës për t’u bërë një nënë-gjyshe, për faktin se mund të vdesë ndërkohë që e bija mund të jetë fare e re, ajo shprehet shkurt: “Mua më mjafton që kjo vajzë të shkojë 18 vjeç me mua gjallë, më pas do mund të ecë vetë. Sepse fëmijët duhet të jenë të pavarur”.