Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha sapo të përfundojnë betejën e fundit ndërmjet tyre

Ky është një nga fjalimet e fundit të tij, i mbajtur rreth një muaj para se të vdiste. I larguar bashkë me intelektualë të tjerë pas krijimit të qeverisë së Tiranës, Mit’hat Frashëri flet për krime ndaj popullit, për përzënien e aleatëve, për burgime dhe lënie pa bukë, për sjellje çnjerëzore të së ashtuquajturës “qeveri të Tiranës”.

Duke lajmëruar krijimin e “Shqipnija e Lirë”, Frashëri bënte thirrje “për të ndihmuar këtë zgjimin e popullit dhe për të shpejtuar forcimin e ndërgjegjes së tij”.

Fjalimi i plotë:

“Miqtë e mi! Po bëhet java që u lajmërua krijimi i komitetit “Shqipnija e Lirë”. Ndoshta shumë dëgjues kur muarën vesh këtë lajm pandejnë se gjendeshin përpara një realizimi të papritur.

Por, ata që kanë ndjekur zhvillimin e ngjarjevet në këta katër vjetët e fundit, padyshim do të kishin marrë vesht se një farë aktiviteti ishte tue zhvilluar prej shqiptarëvet që ndodheshin në mërgim.

Pushtimi i Shqipërisë prej komunistëve dhe largimi i aleatëvet nga toka jonë detyroi shumë shqiptarë që të marrin udhën e mërgimit, jo për t’u larguar nga rreziku komunist, sa për të vazhduar veprimtarinë e tyre dhe për të mos prerë marrëdhaniet me fuqitë liberale të oksidentit me të cilët kanë qenë në kontakt edhe në Shqipëri.

Puna padyshim nuk ishte e lehtë. Shumë ide të gabueshme të përhapura gjatë luftës dhe sidomos nga fundi i saj kishin nevojë që të ndreqeshin. Edhe gjithë bota e di se sa gjë e vështirë është që të ndreqësh gabimet e pranuara si të vërteta.

Sjellja e atyreve që zaptuan fuqinë dhe themeluan të ashtuquajturën “qeveri të Tiranës”, sjellja e atyre fare çnjerëzore, me vrasje të paligjëshme, me komedi gjyqi, ku nuk shihesh asnjë pikë drejtësi dhe pa shkuar shumë kohë atituda e sunduesve të Tiranës përkundrejt fuqivet të mëdha demokratike të botës, kishin zgjuar në opinioni publik një urrejtje dhe një përbuzje kundrejt fajtorëvet të këtyre vepravet barbare.

Edhe fatkeqësisht më tepër se gjysma e botës nuk ishte në gjendje që të bëjë dallim midis popullit shqiptar të pafajshëm dhe atyrevet që kishin zaptuar pushtetin me ndihmën e Rusisë. Duhesh pra, në çdo mënyrë që të ndahesh prej popullit shqiptar e vetthanuna qeveri e Tiranës.

Ishte një detyrë që populli i pafajshëm dhe viktimë i një grupi njerëzish pandërgjegjje të mos bëhesh ujem me satelitët e Rusisë, të shpëtohesh nga urrejtja dhe nga përbuzja e botës së qytetëruar.

Përveç kësaj, duhesh theksuar që jo vetëm ky popull nuk ishte në ujërat e qeverisë kuislinge të Tiranës, por ishte viktimë e veprimtarisë gjakësore të tyre. Paralelisht me detyrën e parë ndjehesh edhe më tepër akoma nevoja të vënit në evidencë vuajtjet e parrëfyshme të këtij populli të mjerë, që jo vetëm i refuzohesh e drejta e rrojtjes me burgime, me internime, me ekzekutime dhe me mbytje të mfshefta në burgjet dhe udhët e ngushta të ferravet, por edhe gjë më e zezë akoma: i përgatitesh një vdekje e ngadalshme, e çdominutshme, duke iu refuzuar buka e gojës, duke mos i dhënë ushqimin e duhur, duke i prerë çdo ndihmë ilaçesh dhe mjekësh.

Se shpirtzezët e Tiranës ndjenin një kënaqësi sa herë që shfrynin urrejtjen e tyre kundër njerëzve jo vetëm të pafajshëm e të ndershëm, por edhe fisnikë dhe të dobishmë.

Nga ana tjatër edhe të emigruarët jashtë mësonin, mund të themi shihnin me sytë e tyre se qysh çdo ditë që kalonte, sundusve të Tiranës po u zhduksh fuqia, po u pakësohshin antarët dhe po u ndahshin nga radhët e tyre ngadalë e ngadalë.

Raca shqiptare, ajo racë që vuan, por që edhe ndjen, që ofshan, por që edhe shpreson dhe nuk harron, ajo racë themi zuri të shohë të vërtetën, të shohë rrezikun dhe fatkeqësinë në të cilën e hodhën matrapazët komunistë, po i çelte sytë dhe po e mprehte vullnetin e saj.

Bashkë për të ndihmuar këtë zgjimin e popullit dhe për të shpejtuar forcimin e ndërgjegjjes së tij është formuar komiteti “Shqipnija e Lirë”.

Vija e jonë do të jetë kurdoherë e drejtë, programi ynë është të fitojë indipendencë dhe të sigurojë integritetin e vëndit tënë. Duam që shqiptari të ketë shpirtin dhe mëndjen gjithmonë për të mirën e Shqipërisë. Do të përpiqemi të themi kurdoherë fjalën e drejtë dhe të rrëfejmë udhën e mirë.

Kjo është lutja e jonë ndaj Zotit të madh dhe lusim që gjithë shqiptarët e vërtetë të rrëfehen të denjë për të qenë shërbëtorët e Shqipërisë.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME