S’u prish bota, as fukuarallëku s’mori fund – Nga Nonda Bulka

NONDA BULKA

Nëno!…
-Bir!
-Dua bukë!
Mëma hesht.
-Nëno!
-Bir!
-Ngriva!
Mëma psherëtin.
-Nëno!
-Bir!
-Më dhemb koka!
Mëma s’përgjigjet.
S’ka bukë, s’ka zjarr, s’ka të holla për doktor. Dhe djali psherëtin. Mëma s’përgjigjet. Psherëtin edhe ajo ngadalë. Djali nuk i dëgjon psherëtimat e mëmës. Mëma dëgjon tik-taket e zemrës së të birit. Një grua plakë e rreckosur, me fytyrën rrudha-rrudha, rri mbi kokën e një djali dhe vështron me sy të zgurdulluar. S’guxon të qajë; ka frikë mos ta zgjojë djalin që porsa filloi të flejë. Rri dhe e vështron. Dy lot helmi shkasin prej syve të neveritur. Ngadalë, pa zhurmë, mbështet dorën e vet mbi ballin e djalit dhe djali zgjohet përsëri.
-Nëno!
-Biri i nënos.
-Dua bukë!
Nëna hesht.
-Nëno!
-Xhani i nënos!
-Më ngrinë këmbët!
Nëna psherëtin.

Dhe djali fle përsëri; dhe nëna rri dhe e vështron dhe ngadalë qan e psherëtin. Në heshtjen tragjike të një nate dimri, në odën pa dritë luhet një nga mijëra tragjeditë e jetës njerzore. Dhe çdo tragjedi është një poemë e gjallë! Poema e shekullit njezët!
Një mëmë; pranë saj një dhogë, kora e Shën Mërisë. Mëma e vështron koren e shenjtë, i afrohet, e puth dhe kthehet pranë djalit. Një shkëndije shprese shkëlqen në sytë e saj.
Shën Maria hesht!
Që nga larg, zhurma e muzikës së radios tingëllon në veshët e mëmës. Dhe djali fle, pa bukë, pa zjarr, pa dritë.

-Nëno!
-Bir!
-S’jam mirë!
-T’u bëftë nëna, fli!
Dhe djali fle përsëri. Dhe mëma qëndron si shtatore! Hedh sytë tej e përtej, vështron koren, vështron djalin dhe psherëtin thellë.
Dhe djali fle!

Mëma i ve dorën në ballë! Balli është i ftohtë! Mëma i trazon dorën. Dora ka ngrirë. Mëma e puth në buzë. Buzët janë mbyllur përjetë. Mëma qan me zë, por djali nuk zgjohet. Dhe zërit të mëmës i përgjigjet heshtja e natës. Kora përkarshi vështron dhe hesht.
Një trup i ngrirë. Një mëmë me sy pa lot. Një natë dimri vdiq i biri i një lypseje.
S’u prish bota, as fukuarallëku s’mori fund.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

PËRFSHIHET NGA FLAKËT FSHATI KAPRRE NË AFËRSI TË SYRIT TË KALTËR, RREZIKOHEN BANESAT

Një zjarr ka përfshirë fshatin Kaprre, pranë Syrit të...

ZJARR NE SHKODER, TYMI PUSHTON QYTETIN..

Tymi ka pushtuar gati gjithe qytetin e Shkodres. Flaket...

RAME LAHEJ DHE ALESSANDRO SAFINA KONCERT NË SHIROKË

Në pikën turistike të Shirokës, zëri brilant i tenorit...