Të gjithë e dinë që kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, në rininë e tij ka luajtur basketboll. Megjithatë, ka pak foto dhe video të publikuara të asaj periudhe. Nga Shkodra diçka “zbulohet”. Veteranë të këtij sporti na kanë servirur një foto të vitit 1986, e bërë para.
ndeshjes Vllaznia-Dinamo, luajtur në pallatin e vjetër të sportit në Shkodër (sot Katedralja e qytetit). Kryeministri aktual është i pari, nga e majta, lart, dhe mban numrin 11, ndërkohë që lojtarët e tjerë të ekipit dinamovit në këtë takim ishin edhe Arben Dedej (nr.14), Sokol Bellova (nr.4), Fatmir Cuka (nr.9) dhe Ilir Trebicka (ndërtuesi i stadiumit “Loro Boriçi”, aktualisht), me numrin 13.
Ndërkohë, Vllaznia do të luante në atë takim me Sokol Kalajn (nr.10), Avenir Kalajën (nr.12), Astrit Zaganjorin (nr.4), Marin Shestanin (nr.7) dhe Korab Llazanin (nr.5). Gjyqtarë të takimit ishin Sulejman Kazazi dhe Faruk Rizvanolli.
Por, nga Shkodra vjen edhe një kujtim tjetër i Edi Ramës, kundërshtar i skuadrës së këtij qyteti në basketboll. Veterani i sportit, Angjelin Deda, ka ruajtur disa blloqe shënimesh të ndeshjeve të ndryshme, në disa lloje sportesh. Eshtë data 29 mars 1987. Vllaznia pret në Shkodër Dinamon dhe mundet prej saj me rezultatin e ngushtë 75-74. Edi Rama është sërish në fushë për ekipin fitues, madje këtë herë ka përkrah edhe ish- ministri i shëndetësisë, Ilir Beqja.
Në formacionin shkodran, ndërkohë, janë edhe dy prej drejtuesve aktualë të sportit në Shkodër, inspektoret e sportit në klubin shumësportësh “Vllaznia”, Beniamin Idrizi e Astrit Zaganjori. Me këtë të fundit thuhet se ende ruan raporte shumë të mira. Kryeministri Rama duket se për Shkodrën ruan respekt të veçantë.
www.shkodrasport.com