Genc Barkiçi, njeriu i madh i peshëngritjes shkodrane dhe asaj shqiptare

Ai vetë nuk është në gjendje të bëjë një bilanc të sukseseve të tij. Madje sa herë që të rrish me të, ai do të kujtojë diçka që nuk e ka thënë në bisedën e mëparshme. E kemi fjalën për Genc Barkiçin, njeriun shtatëshkurtër por të madh të peshëngritjes shkodrane dhe asaj shqiptare.

 

Mjafton t’i referohesh CV-së së tij dhe do të kuptosh qartë se vështirë të ketë ndonjë njeri tjetër në Shqipëri me këto suksese si ai. Si sportist dhe si trajner. Një gjë e rrallë megjithatë ai është shumë modest. Thotë që ka ende për të bërë.

 

Madje, na jep që tani emrin e një sportisti 11 vjeçar që ai e ka programuar si kampionin e ardhshëm të Europës dhe Botës. Genci nuk ka dëshirë t’i japë vetes më shumë merita sesa ato që i takojnë e kjo hyn tek thjeshtësia e tij si njeri.

 

Për gazetën shkodrasport.com ai ka pranuar të rrëfejë gjerë e gjatë të gjithë karrierën e tij. Ka shpjeguar si ka hyrë rastësisht në peshëngritje kur ishte nisur për t’u bërë mundës dhe shumë gjëra të tjera të karrierës së mëvonshme. Ja intervista e tij e plotë dhënë për gazetën tonë:

-Barkiçi, si e nisët sportin e peshëngritjes?

-Në fakt unë isha nisur për t’u bërë mundës por ishin disa rrethana që më bënë të ndryshoja drejtim.
-Në ç’ kuptim?

 

-Petrit Buliqi, një i afërm i imi, duke parë shkathtësinë që kisha kur luaja në lagje, i thotë mundësit të njohur të asaj kohe, Isa Vejuka të cilin e kishte shok, për me më aktivizu në sportin e mundjes.Isaja sa më pa, më nisi direkt tek trajneri i ekipit të të rriturve Naim Pepa.

Naimi më tha se duhej të filloja stërvitjen me ekipin e të rinjve për 2-3 muaj sa të mësoja kapjet dhe elementet e para të këtij sporti dhe pastaj do më merrte në ekipin e tij.Por pikërisht atë ditë ndodhi diçka tjetër që më ndryshoi edhe fatin e jetës time.

 

-Çfarë ndodhi?

-Palestra e mundjes ishte e fundit tek klubi Vllaznia. Para saj ndodhej ajo e peshëngritjes dhe e gjimnastikës. Pikërisht atë ditë, duke dalë nga palestra e mundjes, dëgjoj zhurmë tek ajo e peshëngritjes. Futa kokën tek dera dhe pashë Esat Ademin para pedanës duke ngritur shtangën.

 

U entuziasmova menjëherë dhe vetëvetiu kisha hyrë në palestër. Mesa duket tek kjo palestër ishte lidhë fati im. Shoh një mesoburrë që pasi më vështron disi me habi, drejtohet drejt meje. Unë bëj të kthehem prapa duke menduar se kisha vepruar që kisha hyrë në palestër.

 

Megjithatë ky njeri, u soll rrotull meje, më pa me shumë kujdes dhe më pyeti: “I kujt je mor djalë”? Unë iu përgjigja: “I Rifat Malajt (Barkiçit)”. Ai u habit sepse kishte punuar me babën tem, e njihte shumë mirë atë. Ky ishte Hamza Çela ose Zuku siç e njihnin të gjithë, që ishte trajneri i ekipit të të rriturve të Vllaznisë në peshëngritje.

 

Ai më tha: “Ti mor djalë, je i prerë për këtë sport”. E pashë me habi në fillim dhe në çast më shkon në mend diçka prandaj dhe ia shpreha këtij trajneri. “Dakord, por është një sport që të lë të shkurtër”- i thashë. Por ai e gjeti menjëherë përgjigjen.

Thirri Esat Ademin që ishte pranë shtangës dhe me trup të bëshëm para meje dhe më tha: “Shikoje sa të shkurtër e ka lënë shtanga Esatin”. Pas kësaj s’mund të kundërshtoja më dhe vendos t’i futem sportit të peshëngritjes.

 

-Në çfarë viti ka ndodhur kjo?

-Ka qenë viti 1983 kur unë isha 15 vjeç.

-Sot, plot 30 vjet më vonë, nëse do ishe para një dilemë të tillë sërish, do të zgjidhje përsëri peshëngritjen?

-Edhe po të jem prapë 15 vjeç si atëherë, prapë do zgjidhja peshëngritjen. Ky është sporti i jetës time se me të tashmë kam lidhur gjithçka.

 

-30 vjet pranë shtangës, cilin mund të konsideroni suksesin tuaj më të madh?
-Janë disa dhe e kam të vështirë të veçoj një.

Si sportist më duhet të ndalem tek shpallja kampion Ballkani në vitin 1995, pa dyshim edhe renditja i pesti në Kampionatin Europian në vitin 1992, kur edhe u nderova me titullin e lartë “Mjeshtër i Europës”.

-Çfarë është ky titull?

 

-Ky është një nga titujt më të lartë që jep Federata Europiane e Peshëngritjes. Unë isha i treti shtangist shqiptar që nderohesha me këtë titull pas Agron Haxhihysenit dhe Fatmir Bushit. Pas meje nuk është nderuar më asnjë tjetër.

Kjo Federatë vlerësonte me këtë titull sportistët që kishin një ecuri gjithnjë në rritje në rezultatet e tyre dhe për rrjedhojë ata kishin vlerësuar ecurinë time nga viti 1989 deri më 1992 duke më dhënë këtë titull.

-Kë mund të veçoni si sukseset tuaja më të mëdha?

 

-Si sportist apo si trajner?

-Ta fillojmë me ato si sportist…

-Janë shumë, nuk di kë të veçoj më tepër nga të tjerët por kuptohet që 40 medaljet e fituara në aktivitetet ndërkombëtare ku kam marrë pjesë. Të marrësh pjesë në të gjitha aktivitetet duke filluar nga Lojërat Olimpike, kampionate botërore, europiane, ballkanike Lojërat e Mesdheut, pa harruar edhe turnetë e ndryshëm, sigurisht që ke se çfarë të kujtosh, madje edhe vetë shpeshherë i harroj, kaq shumë janë.

 

-Po si trajner, cilët janë sukseset më të mëdha?

-Natyrisht shpallja 2 herë kampion dhe nënkampion bote me të rinjtë me Erkand Qerimajn ka qenë një arritje e madhe, pa nënvleftësuar aspak disa tituj europe me moshat më të vogla. Po ashtu, si sukses të madh do të veçoja Kampionatin Botëror të viti 2012 kur si trajner i kombëtares shqiptare, arrita që të kualifikoj plot 5 sportistë për në Lojërat Olimpike të Londrës, numri më i madh i deritanishëm.

 

Kam një rekord pjesmarrjesh si trajner edhe në aktivitetet ndërkombëtare teksa nuk e kam drejtuar kombëtaren shqiptare të peshëngritjes asnjëherë vetëm në Lojërat Mesdhetare.

-Nuk do jeni në Lojërat e këtij viti që do zhvillohen pas pak ditësh në Turqi?
-Jo nuk do jem këtë herë dhe arsyet nuk kam dëshirë t’i shpjegoj në këtë intervistë megjithatë unë e kam një “peng” të vogël drejtimin e kombëtares edhe në këtë lloj kompeticioni për të plotësuar krejtësisht gjeografinë e pjesmarrjes në të gjithë aktivitetet që zhvillohen edhe si trajner.

 

Nuk mund të lë pa përmendur si sukses edhe arritjen e vitit 2011 kur kam marrë si trajner medaljen e parë ari në Kampionatin Botëror të të rriturve në dygarësh me sportistin Daniel Godelli, apo dhe vendin e tretë në kampionatin Botëror po për të rritur me Romela Begajn. Pa dalë pastaj tek të tjerë suksese dhe arritje shumë të mëdha.
Gjergj KOLA

 

Një biografi “e shkurtër” e Mjeshtrit të Europës
Emri: Genc
Mbiemri: Barkiçi
Datëlindja: 02.01.1967
Vendlindja: Shkodër

Arsimimi: Ka mbaruar ILKF “Vojo Kushi” në Tiranë, ka kryer një kurs kombëtar 2 mujor të kualifikimit të trajnerëve të peshëngritjes në periudhën tetor- dhjetor 2002. Më pas kurs administrimi nga Komiteti Olimpik Botëror në vitin 2007 dhe kurs në Qipro për trajnim të sportistëve.

Punësimi: Mësues i edukimit fizik në shkollën “Ali Laçej në vitet 1999-2000, pas këtij viti dhe në vazhdim, mësues në gjimnazin “28 Nëntori”

2001 dhe në vazhdim trajner i ekipeve kombëtare dhe i Vllaznisë

2004-08 anëtar i kryesisë i FSHP-së
2008-12 trajner shteti pranë FSHP-së

Titujt që mban: “Mirënjohja e Qytetit” të Shkodrës, “Nderi i Sportit shqiptar”, “Nderi i sportit shkodran”, “Mjeshtër i Sportit të Europës”, “Mjeshtër i Sportit Shqiptar”, “Sportist i shekullit” për klubin Vllaznia në vitin 1999″, “Nderi i Federatës” për kontribut të çmuar në zhvillimin e sportit të peshëngritjes si sportist dhe si trajner, Çertifikatë Vlerësimi për rezultate të larta të arritura nga sportisti i tij, dhënë nga Ministri i Sporteve.

 

Sukseset: 16 herë sportisti më i mirë i qytetit të Shkodrës, 13 herë kampion Shqipërie, 11 herë me Vllazninë dhe 2 herë me Dinamon, 8 herë trajneri më i mirë në Shkodër, 1 herë në “10 sportistët më të mirë të vendit” në vitin 1996, pjesmarrës në mbi 60 aktivitete ndërkombëtare.

 

Si sportist: Fitues i 40 medaljeve në arenën ndërkombëtare, 1 herë pjesmarrës në Lojërat Olimpike Barcelonë 1992, 3 herë pjesmarrës në Lojrëat Mesdhetare në vitet 1991, 1993, 1997, 12 herë pjesmarrës në kampionatet europiane, 1 herë pjesmarrës në kampionatet botërore në vitin 1989, 3 herë pjesmarrës në kampionatet ballkanike, 3 vende të para dhe 3 vende të treta.

 

Si trajner: 10 medalje të fituara në Kampionatet botërore për U-20 dhe të rritur, mbi 100 medalje të fituara në kampionatet europiane U-17, U-20 dhe të rritur, 2 herë kampion i Shqipërisë si trajner me Vllazninë.

 

 

 

 

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME