Patriotizmi i rremë i politikës shqiptare (Nga Marin Mema)

Sa herë 28 nëntori është në prag të portës, politika shqiptare vrapon të tregojë patriotizmin e saj, të organizojë pritje, përurime, aktivitete të mbushura me ngjyra e fjalime tërë pasion e dashuri kombëtare. Nëse dikush nuk do t’i njihte do të mendonte se Shqipëria ka fat qe drejtohet në qeveri apo opozitë nga njerëz që e duan kaq shumë. Në fakt nuk është kështu.

Të kujtohesh vetëm në ditën e pavarësisë për vendin tënd, kombin e historinë e tij është një dyfytyrësi e shëmtuar, një ndjenjë e gënjeshtërt që nuk synon asgjë më shumë sesa të ndërtuarit të një fasade të rreme ballë njerëzve të thjeshtë.Vetëm një ditë politikanët bëjnë shqiponjën, përulen ballë flamurit, përqafohen, nduken e premtojnë një vend më të fortë. Pjesa tjetër është e mbushur me korrupsion, padrejtësi, arrogancë e fjalë boshe.

Në librat e shkollave nxënësit mësojnë gjithmonë e më pak për historinë kombëtare, për figurat e gjurmët e tyre sepse sot më shumë rëndësi ka të njohësh soj e sorrollop, të fortë e pasunikë të paprekshëm që përbëjnë modelin e ri, të ofruar nga kjo politikë e sejmenët e saj.

Figurave kombëtare u përmënden e citohen fjalët, por modeli u fshihet. Politika e sotme ka frikë nga modeli i tyre. Ata shkrinë pasurinë, lanë ofiqet, u vranë e u prenë për komb, ndërsa të sotmit këto i quajnë patetike, të shkuara në mos qesharake. Këta nuk lënë poste, nuk kanë ideale, këta disa-fishojnë pasurinë dhe kombin e kanë thjesht një plaçkë që e kalojnë dorë më dorë në bazë të interesave.

A njihni ndonjë politikan të varfër, të pamundur, që nuk kalon muajin, që nuk ka të bëjë disa herë në vit pushime luksoze, që nuk ka tre, katër apo 50 apartamente e vila, dyqane e troje të deklaruara e të padeklaruara. A njihni ndonjë të tillë që i dridhet dora të blejë ushqimet apo diçka tjetër siç u ndodh çdo muaj pensionistëve. A ka ndonjë që nuk arrin të shkollojë fëmijët , t’u blejë veshjet apo qoftë edhe një lodër për vit të ri? Sigurisht që jo sepse ata thuajse të gjithë kanë garantuar deri brezin e 35.

Politikanët e sotëm Ikin e vijnë, por askush nuk i mban mend pas pak kohe, fundja për çfarë ? Ata nuk ndryshojnë nga njëri tjetri, ata bëjnë gjithçka njësoj, flasin njēsoj, premtojnë njësoj, shtiren e jargaviten njësoj. Madje edhe fytyrat u bëhen njësoj. Vetëm fanellat u ndryshojnë, madje edhe ato në publik sepse nën vete i kanë identike.

Nga krahu tjetër lumenjtë vazhdojnë shkatërrohen, pyjet priten, pasuritë nëntoksore shqyhen, lejet e ndërtimit valëzojnë, betoni lartësohet, njerëzit ja mbathin, papunësia rritet, çmimet fluturojnë, Shqipëria zvoglohet dhe politika fiton. Ky është patriotizmi i tyre. I njëjti që ata e fshehin çdo 28 nëntor, i njëjti që bën shqiponjën dhe tallet çdo vit me ne shqiptarët e thjeshtë që e duan vërtetë këtë vend.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME