Vllaznia ka ndry shuar strategji për t’iu përshtatur sa më mirë “finales”, që do të luajë të dielën ndaj Dinamos në Pezë. Trajneri Hasan Lika ka vendosur të ndryshojë fushën e stërvitjes për skuadrën.
Këto ditë, skuadra nuk është stërvitur në fushën e Shtojit si gjithmonë gjatë këtij sezoni, por është zhvendosur në fushën sportive “Reshit Rusi”.
Një gjë e tillë nuk ka pasur të bëjë fare me kushtet atmosferike, por vetëm me faktin e thjeshtë se ai ka kërkuar që të përshtatë ekipin me tapetin e fushës ku do të zhvillohet ndeshja ndaj Dinamos.
Vllaznia do të luajë në një fushë me bar sintetik dhe për këtë ai e ka zhvendosur edhe stërvitjen në ambientet e fushës sportive “Reshit Rusi”, që është me bar artificial.
Për më tepër, tekniku ka kërkuar që të ruajë lojtarët e tij nga një ndonjë dëmtim që mund t’i ndodhë nga zhvillimi i takimeve në fusha të tilla dhe në këtë mënyrë, stërvitjet po i zhvillon aty, që lojtarët të mësohen disi.
Një pjesë të ndeshjeve si pritëse këtë sezon, Vllaznia i ka zhvilluar pikërisht në “Reshit Rusi” dhe përshtatja e lojtarëve nuk është shumë e vështirë. Fatmirësisht, deri në këto momente, stafi teknik ka të gatshëm dhe në formë mjaft optimale të gjithë lojtarët.
Shkodra sport