Jurgen Uldedaj ka fituar përballjen me boksierin argjentinas Nicolas Arganaraz për titullin WBO për të rinj. Të dy boksierët ishin në një ditë të mirë dhe luftuan në çdo cep të ringut por gjatësia i jepte avantazh boksierit shqiptar, i cili e kishte më të thjeshtë për të goditur dhe mbajtur larg kundërshtarin.
Për Uldedaj kjo është fitorja e 10-të në karrierë duke qëndruar i pamposhtur. Ndërkohë për boksierin argjentinas është humbja e parë, që ia shkakton pikërisht 21-vjeçari shqiptar.
Ndeshja që u zhvillua në Parkun Olimpik “ Feti Borova” në Tiranë pati mbështetje të zjarrtë nga të pranishmit për boksierin Uldedaj që për më tepër u argëtua në këtë ndeshje dhe u pa qartë në fytyrë qetësia, siguria dhe besimi që kishte për këtë ndeshje, ndërsa në fund nuk i kurseu as lotët edhe pa u dhënë rezultati final.
Në 10 raunde të zhvilluara Uldedaj u shpall kampion bote për të rinj në titullin WBO me vendim unanim të tre gjyqtarëve që i dhanë të njëjtin votim 98 – 91, 98 – 91, 98 – 91.. Djaloshi nga Lezha nis karrierën e tij drejt ringjeve më të mëdha të Europës dhe Botës pikërisht nga kjo fitore e sotmja.
Në fund të përballjes Uldedaj u shpreh: “Ishte ndjesi e mrekullueshme, suport i madh që mora nga miqtë, familjarët dhe sportdashësit, i falënderoj”.
Plani kundër kundërshtarit: “Tre muaj kam derdh djersë e gjak, por në fund u shpërblyen. Patëm një taktikë, pasi trajneri im është sallaks ashtu si kundërshtari dhe u përgatita më së miri për këtë. Kundërshtari boksoi jo pastër me goditje pas koke e pas shpine por gjithsesi nuk ia doli edhe me këto padrejtësitë e vogla”.
Mesazh për boksierët e rinj shqiptarë: “Vazhdoni ëndrrat tuaja, një ditë mund të ia dilni të bëheni kampion”.