Basketbolli shkodran në vite ka nxjerrë nga rradhët e tij shumë emra të nderuar të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në sukseset e arritura. Një prej tyre, i cili ka një kontribut të madh si sportist por edhe si trajner është i mirënjohuri Esat Haxhi.
Ai ka lindur në Shkodër në vitin 1929. Sportin e fillon herët por ndërkohë me ekipin e parë të Vllaznisë do të kalonte në vitin 1949 ndërsa është pjesë e saj edhe në periudhën e artë të viteve ’50 duke fituar disa trofe me këtë ekip.
Esat Haxhi ka fituar Kupën e Republikës me Vllazninë në vitin 1957, në atë kohë kur pjesë e ekipit ishin edhe emra të tillë si Muhamet Sokoli, Vehbi Ademi, Luan Shatku, Sander Laca, Skënder Osmani, Ali Quku etj.
Edhe në vitin 1958 Vllaznia me Haxhin është fituese e Kupës ndërkohë që një vit më vonë, në finalet e Spartakiadës së Parë Kombëtare në vitin 1959, ekipi shkodran do të zinte vendin e parë dhe do të merrte medaljet e arta ndërkohë që këtë herë Esat Haxhi do të ishte trajner i Vllaznisë.
Në sezonin 1966-67 Vllaznia do të shpallej kampione duke patur në përbërje sportistë si Renato Radoja, Nikolin Pali, Filip Guraziu, Luan Shatku, Petrit Osmani, Agim Lahi, Asllan Gjyrezi, Roland Koka etj.
Ka drejtuar edhe kombëtaren shqiptare duke lënë gjurmë në rrugëtimin e tij të gjatë në këtë sport. Për të gjitha këto merita, ka marrë edhe disa tituj si nga Shkodra ashtu edhe nga institucionet qendrore, për të mbërritur në vitin 2017 kur është nderuar nga ish-Presidenti i Republikës Nishani me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” (pas vdekjes).
© shkodrasport.com