Misteri qe bashkon njerezit ne Krishtelindje

Shumë njerëz të mëdhenj kanë lindur prej gruaje në këtë botë, si: filozofë, mbretër, luftëtarë, reformatorë, fetarë etj, të cilët bënë vepra të mëdha dhe lanë gjurmë në historinë e botës, por askush si Krishti, që lindi prej një Virgjëreshe, nuk ka lënë gjurmë të tillë në historinë njerëzore, sa e ndau kohën kalendarike në atë para dhe pas Krishtit; ky vit është viti 2017 pas Krishtit.

Dekorët e festës, si grazhdi, bredhi, dritat, dhuratat që i shikojmë të vendosura prej shumë ditësh në ambiente shtëpiake, publike, rrugë, sheshe, pavarësisht nga marketingu konsumist, përsëri ato na lajmërojnë se Krishtlindja po afrohet dhe duhet të bëhemi gati për të festuar ditëlindjen e Krishtit.

Edhe kur njerëzit përshëndesin njëri-tjetrin: “Gëzuar festat!”, pa bërë një përcaktim, ata përsëri e kanë mendjen në 25 Dhjetor, te Krishtlindja ose dhe te 1 Janari, dita e parë e Vitit të Ri, e cila si datë korrespondon me “Rrethprerjen e Krishtit në tempull”, tetë ditë pas lindjes së Tij.
Krishtlindja ose Lindja e Krishtit, një festë thellësisht fetare, i kapërcen kufijtë e religjionit.

Kjo festë, me shkëlqimin, atmosferën e gëzuar dhe e veshur me mister hyjnor, të cilin shumë nuk e kanë zbuluar ende, tërheq rreth Foshnjës Hyjnore instinktivisht gjithnjë e më shumë njerëz të racave, kombeve, gjuhëve, madje dhe feve të ndryshme

Por, kush është ky Mister hyjnor që i afron dhe bashkon njerëzit për Krishtlindje?

Njeriu, në thelb, është qenie fetare. Pavarësisht se ndokush me gojë mund ta mohojë ekzistencën e Zotit, përsëri në subkoshiencën e tij beson se ka një Zot Krijues dhe Gjykatës. Kjo është vërtetuar edhe nga shumë ateistë që në fund të jetës e pranuan dhe e kërkuan Zotin. P.sh. Volteri (1694-1778), i shquar për ateizmin dhe kundërshtimin ndaj Kishës, ka thënë: “Të besosh te Zoti, është e pamundur; të mos besosh te Zoti është absurde!”.

Por, përgjatë shekujve, është vënë re se njerëzit janë në kërkim të Trashendentes (Perëndisë mbi gjithçka të krijuar) dhe kanë krijuar me fantazinë e tyre konceptin e një “zoti” të frikshëm, të ashpër, hakmarrës dhe, deri diku, mizantrop, i cili kërkon nga njeriu si një qenie inferiore, borxhin e mëkatit me anë të ofertave, kurbaneve, deri në njerëz. Edhe pamja e këtyre “zotave” të gdhendura në gurë e dru të ardhura deri në ditët tona, është e ashpër, e frikshme, imponuese që njerëzit të tremben prej tyre dhe t’iu nënshtrohen.

Frika e Zotit me karakter pedagogjik mund të japë rezultate në fillim, sepse frika te njeriu frenon deri diku rebelimin dhe veprat e tij mëkatare kundër Zotit, të afërmit dhe natyrës. Njeriu fillon të arsyetojë se nuk është Krijues, por i krijuar; nuk është Gjykatës, por i gjykuar; nuk mund të jetë i pavarur, por i varur. Kjo është abc-ja e diturisë njerëzore, ashtu siç thuhet: “Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsi” (Proverbat 9:10).

Por, nëse njeriu mbetet gjithmonë në këtë frikë, ajo i kthehet atij në tmerr, në një problem psikologjik dhe, pavarësisht se ai nuk mund të guxojë ta shprehë hapur, përbrenda tij fillon dhe e urren Zotin, demonizohet dhe bëhet i ngjashëm me djallin që i frikësohet Zotin dhe e urren Atë. Ky tip “zoti”i ashpër dhe hakmarrës nuk është Zoti i vërtetë, të cilin njeriu dëshiron ta njohë, ta dojë, ta adhurojë dhe t’i shërbejë.

Problemi qëndron se njeriu nuk mund ta njohë nga vetvetja natyrën e vërtetë të Zotit, sepse Zoti Perëndi rrezaton dritë mendore të paafruar, dhe nga verbimi i saj ne jemi të detyruar t’i mbyllim sytë e mendjes dhe kjo dritë për ne duket si errësirë. Prandaj Zoti zbulohet nga vetvetja aq sa ne njerëzit mund ta kuptojmë sipas besimit edhe virtytit tonë personal.

Ndryshimi i Krishterimit nga fetë e shumta në botë, që sot numërohen rreth 4200, është se ai është besimi tek ajo që vetë Zoti zbuloi dhe bëri nga Vetvetja për shpëtimin e njerëzve. Në Doktrinën e Krishterë, Zoti na zbulohet se është Dashuri: “Dashuria e Zotit është prej përjetësisë e në përjetësi” (Psalmet 103-17).

Dashuria si Energji Hyjnore nuk mund të jetë kurrë një frikë e imponuar, por një dhuratë që pranohet me liri. Dashuria e Zotit e pakushtëzuar zbret nga lart me qetësi, pa zhurmë midis njerëzve si rreze dielli, si shi i butë, dhe pret që ata t’i afrohen dhe ta pranojnë me falënderim: “Sepse ai bën të lindi diellin e tij mbi të mirët e mbi të këqijtë dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtë”(Mateu 5:45)

Për këtë dashuri unike të materializuar, të prekshme nga njerëzit na njofton Ungjilli, (Lajmi i Mirë) ku na thuhet: “Kaq shumë e deshi Zoti botën, sa dha Birin e Tij, që kushdo që të besojë tek Ai, të mos humbasë, por të ketë Jetë të Përjetshme” (Joani 3 17).

Disa njerëz, kur i dëgjojnë këto vargje Biblike, skandalizohen, madje akuzojnë të krishterët si blasfemues, sepse ata i bëjnë Zotit të pashoq një Bir; dhe kjo gjë është e pamundur sepse sipas tyre, duhej që Zoti të kishte grua për të pasur Bir. Por, të mendosh në këtë mënyrë, është blasfemi dhe mosbesim te Perëndia i Gjithëpushtetshëm. Por, kush mund ta ndalojë Perëndinë të ketë një Bir të lindur nga vetvetja.

Kush është Biri i Perëndisë, kjo dhuratë e Zotit për njerëzit?
Biri i Perëndisë, i vetëmlinduri nga Ati, përpara gjithë shekujve, që ka të qenët një me Atin, Dritë prej Drite, Perëndi e vërtetë prej Perëndie të vërtetë, quhet edhe Logosi, Fjala e Perëndisë, ashtu siç thotë edhe Ungjillori Joan: “Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë dhe Fjala ishte Perëndi. Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij; dhe, pa atë, nuk u bë asnjë nga ato që u bënë”(Joani 1 -3).

Logosi është një term që e kanë përdorur teologët hebrenj dhe filozofët grekë. Në Shkrimet Hebraike “Fjala” së bashku me Shpirtin e Shejnt që buron nga Ati me një burim të përjetshëm, ishte një faktor veprues i Perëndis At, në krijimin e dukshëm edhe të padukshëm, ashtu siç thotë psalmisti: “Qiejt u bënë me anë të Fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të Frymës së gojës së Tij” (Psalmi 33:6) Në filozofinë greke “Fjala” ishte Qenia Hyjnore që i mban të gjitha gjërat së bashku, Arkitekti modeli ideal i Perëndisë për krijimin. Prandaj dhe apostull Pavli thotë:

“Me anë të besimit ne kuptojmë se bota është krijuar me anë të Fjalës së Perëndisë dhe se ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen” (Hebrenjve 11:3). Sipas kuptimit orthodhoks të zbulesës hyjnore, i përket vet natyrës së Perëndisë –Perëndisë si Perëndi- që Perëndia është një Atë i përjetëshëm nga natyra, dhe Ai do të ketë gjithmonë me Vete Birin e Tij të përjetëshëm dhe të pakrijuar.

I përket vetë natyros së Perëndisë që Ai të jetë një qënie e tillë, meqënëse Ai është hyjnor i vërtetë dhe i përsosur. I përket vetë natyrës së Perëndisë që Ai të mos jetë i vetëm ,i përjetëshëm në hyjnishmërinë e Tij, por që qënia e Tij si Dashuri dhe Mirësi, duhet natyralisht “ të derdhë vetveten” dhe “të riprodhojë vetveten” në lindjen e Birit hyjnor: “Birit të Dashurisë së Tij”,
Shën Athanasi (295 -373), një atë i madh i Kishës Orthodhokse, në librin teologjik “Mishërimi i Fjalës”, shkruan:

“ Kështu Ati i krijoji të gjitha gjërat nga asgjëja me anë të Fjalës së tij dhe nga të gjitha krijesat tokësore, Ai rezervoi mëshirë të veçantë për racën njerëzore. Mbi ata që si dhe kafshët janë krijesa thellësisht të përkoshme, Ai i hodhi një hir që krijesat e tjera nuk e kanë, d.m.th. la mbi njerëzit gjurmët e shëmbëlltyrës së Tij, një pjesë nga qenia e arsyeshme e vetë Fjalës. Kështu, duke rrezatuar Atë dhe veten e tyre, ata (njerëzit) bëhen të arsyeshëm dhe shprehin Mendjen e Perëndisë ashtu si Vetë Perëndia, ndonëse në një nivel të kufizuar.” (Shën Athanasi, citim nga vepra “Për Mishërimin”).

Por, siç na thuhet në Shkrimin e Shenjtë në Librin e Zanafillës, njeriu e prishi imazhin (ikonën) e Fjalës në veten e Tij, sepse u rebelua ndaj Tij, mëkatoi ngaqë dëgjoi mashtrimin e djallit se mund të bëhej “perëndi” pa Perëndinë. Kështu, njeriu ra në padije, prishje dhe vde.kje, ashtu siç i ishte paralajmëruar: “Ha lirisht nga çdo pemë e kopshtit, por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse, ditën që do të hash prej saj, me siguri ke për të vde.kur” (Zanafilla 2-16). Paralajmërimi:“ke për të vd.ekur me siguri” do të thoshte jo vetëm ke për të vdekur, por edhe do të qëndrosh në gjendjen e vde.kjes dhe të prishjes.

Njerëzimi e kishte humbur thirrjen për t’u bërë i ngjashëm me Zotin, sipas modelit të Fjalës, ashtu siç na thuhet: “Unë ju kam thënë ju jeni Perëndi, jeni bij të Tejlartit, megjithatë ju do të vdisni si njerëzit e tjerë dhe do të bini si çdo i fuqishëm tjetër”(Psalmi 82:6-8). Njerëzimi ishte në një udhëkryq: ose do të shkatërrohej përfundimisht nga zilia dhe ligësia e djallit dhe pushteti i vd.ekjes, ose Perëndia do ta shpëtonte atë me një flijim të përsosur me derdhje gj.aku: “Sepse jeta e mishit është në gj.ak. Prandaj ju kam urdhëruar ta vini mbi altar për të bërë shlyerjen për jetën tuaj, sepse është gja.ku që bën shlyerjen e fajit për jetën”(Levetiku 17:11). Dhe, sipas ligjit, të gjitha gjërat pastrohen me anë të gja.kut; dhe, pa derdhur gja.k, nuk ka ndjesë” (Hebrenjve 9:22).

Dashuria e Perëndisë kishte vendosur shpëtimin e njeriut përsëri me anë të Fjalës që e krijoi ashtu siç thotë Ungjillor Joani: “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne dhe ne soditëm Lavdinë e Tij, si Lavdia e të Vetëmlindurit prej Atit plot Hir dhe të vërtetë” (Joan 1:14). Biri dhe Fjala Perëndisë, kur erdhi në botë, mori emrin Jisu, që do të thotë Zoti-Shpëton dhe Mesia (Krishti) që do të thotë i Vajosur me Shpirtin e Shenjtë si Mbret, Profet dhe Kryeprift. Edhe vetë zëri i Atit dëshmoi për Jisuin: “Ti je Biri im i dashur, në ty jam kënaqur”(Lluka 3-21). Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur; këtë dëgjojeni” (Mattheu 17:5).

Apostull Pavli shkruan: “Pasi në shumë vende edhe në shumë mënyra, qëmoti Perëndia u foli etërve tanë me anën e profetëve, në fund e këtyre ditëve na foli në Birin, që e vuri trashgimtar të të gjithave, me anë të të cilit i bëri edhe shekujt. Ai, duke qenë rrezatimi i lavdisë dhe karakteri i hipostazës së atij dhe që i drejton të gjitha me fjalën e fuqisë së tij, pasi përmes vetes së tij e tij e bëri pastrimin e mëkateve tona, u ul në djathtën e Madhërisë në vendet e larta”.( Hebrenjve 1: 1-3)

Shën Athanasi na sqaron përsëri: “Kush tjetër, veç Fjalës Perëndi që krijoi gjithçka nga asgjëja, mund ta bënte një gjë tillë? Ishte një detyrë vetëm e Tij që të sillte botën nga prishja në mosprishje dhe, për hir të Atit, të tregonte pandryshueshmërinë e karakterit të tij ndaj të gjithëve. Vetëm Ai, duke qenë Fjala e Atit dhe sunduesi i gjithçkaje, ishte në gjendje të rikrijonte gjithçka dhe gjithashtu i denjë për të vuajtur dhe për t’u bërë mbrojtës i të gjithëve para Atit.

Ai mori trup si yni dhe jo vetëm kaq, por u mishërua nga një Virgjëreshë e panjollë dhe e papërlyer. Pa ndikimin e një babai njerëzor, u mishërua nga një trup i kulluar, i paprishur nga marrëdhënia njerëzore. Ai i Tërëfuqishmi, Krijuesi i gjithçkaje, e përgatiti këtë trup si tempullin e Tij, në një Virgjëreshë dhe e konsideroi këtë trup si të Vetin, për ta përdorur si mjet nëpërmjet të cilit Ai do të njihej dhe në të cilin do të jetonte…

Kështu, Ai mori trup si trupi ynë dhe ia dorëzoi vde.kjes në emër të tërë njerëzve, duke ditur se që të gjithë trupat janë të prirur drejt prishjes së vdekjes dhe këtë e bëri si një ofertë për Atin. Gjithashtu, Krishti e bëri këtë vetëm nga dashuria e pastër për ne, në mënyrë që, me vdek.jen e Tij, të vdesim të gjithë dhe që ligji i vde.kjes të shfuqizohet, sepse atëherë, kur do të përmbushej misioni për të cilin Ai ishte caktuar ta kryente, vdekja nuk do të kishte më fuqi mbi njerëzit. Kjo u bë me qëllim që njeriu, i cili kishte rënë në prishje, të kthehej në gjendjen e mosprishjes dhe që me anë të dorëzimit të trupit të Tij dhe Hirit të Ngjalljes, Krishti t’u jepte jetë njerëzve nëpërmjet vde.kjes së Tij. Kështu, Ai do të bënte që vde.kja të zhdukej plotësisht, ashtu siç digj.et kashta në zjarr”. (Shën Athanasi, citim nga vepra “Për Mishërimin”).

Dhe ky shenjt i madh i përfundon mendimet e tij për “Mishërimin e Fjalës” me këtë thënie të madhe: “Perëndia u bë njeri (në Personin e Krishtit), me qëllim që njeriu të bëhet Perëndi”; ashtu siç thotë ungjillori Joan: “Por të gjithë atyre që e pranuan, Ai u dha pushtet të bëhen Bij të Perëndisë, atyre që besojnë në Emrin e Tij, të cilët nuk lindën as prej gjakut, as prej vullnetit të mishit, as prej vullnetit të burrit, por prej Perëndisë” (Joani 1:13).

Njerëzit që realisht nuk e duan vdekj.en dhe nuk e pranojnë atë, as ndëshkimin për mëkatet, por dëshirojnë faljen dhe jetën e përjetshme shikojnë te Foshnja Hyjnore, pra te Jisu Krishti, dhuratën e Perëndisë për shpëtimin e gjithë njerëzimit të pashpresë, ashtu siç profetizoi profeti Isaia 700 vjet përpara Krishtit: “Sepse na është lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e Tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i Fuqishëm, Ati i Përjetshëm, Princi i Paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, për ta vendosur pa u tundur dhe për ta forcuar me anë të mençurisë dhe të drejtësisë, tani dhe përjetë. Këta ka bërë zelli i Zotit të ushtrive”(Isaia 9:5-6).

Prandaj, në natën e Lindjes së Krishtit në Betlehem të Judesë rreth Tij u bashkua qielli dhe dheu, të cilët, deri në atë kohë, ishin të ndarë nga armiqësia; qielli me yllin dhe me himnin e engjëjve me të psalurën: “Lavdi Perëndisë në më lartat dhe mbi dhenë paqe, edhe mbi njerëzit mirëdashje”(Lluka 2:14); dheu me Virgjëreshën Mari, Josifin i drejti, barinjtë (judenjtë) me lavdërime; magët (kombet) me dhurata; dhe e gjithë kjo përmblidhet në himnin kishtar:

“Virgjëresha lindi sot të përmbiqenshmen Fjalë, edhe dheu i blaton të paafruarit shpellën; engjëjt me barinjtë po lavdërojnë,
Magët pra,bashkë me yllin po udhëtojnë, se për ne ka lindur Krishti, si djalë foshnjë, i parëjetëshmi Zot”.(shkurtorja e festës)
Jisu Krishti, Biri dhe Fjala e Perëndisë, lindi si fëmijë, që të gjithë njerëzit të mund t’i afrohen Perëndisë pa frikë, të gëzohen me praninë e Tij, ta duan

Atë, t’i shërbejnë me gëzim, t’i bëjnë vend në zemrën e tyre, ta imitojnë, të bëhen të ngjashëm me Të, të kthehen edhe ata e të bëhen si fëmijë në shpirt, domethënë të përulur, të patëkeq, plot mirësi dhe të çlirohen nga madhështia e gënjeshtër e egoizmit, arrogancës dhe kotësisë e botës mëkatare.
Sepse, Ai që ishte Perëndi dhe u bë fëmijë për ne, tha: “Në të vërtetë po ju them: Në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve” (Mattheu 18:3).

Ky është misteri që i tërheq njerëzit në adhurim e në lavdërim, me paqe dhe gëzim drejt Zotit Krisht, në festën e madhe dhe mbarëbotërore të Krishtlindjes.
Gëzuar Krishtlindjen!

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME