Dritan Meta nuk do të jetë më nënkryetar i bashkisë Shkodër. Burime pranë bashkisë bëjnë me dije se Meta ka paraqitur dorëheqjen e parevokueshme në duart e kryetares së bashkisë Voltana Ademi.
Kjo dorëheqje ka disa ditë që është paraqitur, në ditët e fundit të 2018-ës. Pas thuajse tre vitesh si numri dy i bashkisë Shkodër Dritan Meta ka vendosur që të largohet nga ai post.
Edhe pse ishte ndër personat më të afërt të kryetares së bashkisë gjatë gjithë këtyre viteve në atë pozicion Dritan Meta ka menduar që dorëheqja është zgjidhja e duhur në këtë moment të karrierës së tij.
Ende janë të paqarta se cilat janë arsyet që e kanë çuar në këtë vendimarrje deri diku të papritur për shumë kënd kjo jo vetëm për faktin e afërsisë me kryebashkiaken por edhe se viti që sapo kemi hyrë është vit zgjedhor për shkak se në qershor do të kemi garën për kryetarët e bashkive.
Kryebashkiakja Ademi e ka pohuar se ka dëshirën të rikandidojë ndaj për ta bërë këtë patjetër që do ketë përkrah njerëzit e saj më të afërt, Dritan Meta ishte një prej tyre ndaj dorëheqja e tij ngjason si e papritur.
Tashmë bashkia Shkodër ka vetëm dy nënkryetar nga tre që kishte, Arben Gjuraj dhe Fatbardh Shegji për shkak të largimit të Dritan Metës. Ajo që mbetet për t’u parë është se cili do të jetë emri që do zëvendësojë atë si një prej nënkryetarëve apo deri pas zgjedhjeve s’do të ketë asnjë të emëruar.
Nga ana tjetër sipas burimeve Dritan Meta rikthehet në pozicionin e tij të ekonomistit si drejtor në një prej bankave të nivelit të dytë në Shkodër. Gjithnjë ka qenë aktiv në jetën politike me disa kryetar bashkish ndërsa pozicion si nënkryetar ishte më i larti.
Më përpara Dritan Meta është përfolur për të qenë kryetar i PD Shkodër apo edhe në listën e deputetëve por deri më tani vijoi si nënkryetar i bashkisë derisa dha dorëheqjen ndërsa më përpara ka qenë edhe kryetar i një grupseksioni të PD ndërsa kësaj radhe humbi garën përballë Arban Lutfija.
Pas kësaj periudhe qetësie për të duhet pritur nëse Dritan Meta do të rikthehet në jetën aktive politike.