Me 7 janar, shumica dërrmuese e të krishterëve ortodoksë festuan Krishtlindjet, që ashtu si ato katolike, të mbajtura më 25 dhjetor, festojnë po njësoj lindjen e Krishtit në Betlehem.
Dikur festohej në një ditë, por me urdhër të Papa Gregorit XIII, në vitin 1582, u vendos kalendari që sot përdoret në shumicën e botës, dhe sipas të cilit Krishtlindjet festohen më 25 dhjetor. Ndërsa të krishterët ortodoksë vazhduan të ruajnë kalendarin e Jul Çezarit, që u vendos në vitin 46 p.e.s nga perandori romak, dhe që është 13 ditë më vonë.
Kisha ortodokse në Greqi, Shqipëri, Bullgari dhe Qipro e ndryshoi kalendarin dhe u përshtat me atë gregorian vetëm në vitin 1923. Po ashtu edhe ortodoksët e Jeruzalemit. Ndërsa në Rusi, Gjeorgji, Armeni, Bjellorusi, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Egjipt, Etiopi dhe Kazakistan, Krishtlindjet festohen natën midis 6 dhe 7 janarit.
Por pse këto ndryshime? Për një jo-të-krishterë, ose edhe për një të krishterë që preferon ta ketë sa më të thjeshtë doktrinën e adhurimit, kishat katolike dhe ato ortodokse mund të duken shumë të ngjashme. Të dyja përdorin ndërtesa e ceremoni të njëllojta,
me origjinë nga lashtësia; të dyja kanë rangje të ngjashme priftërinjsh me petk; të dyja duan të vazhdojnë epokën e krishterimit; të dyja kanë tradita teologjike të ngjashme, dhe institucione me kujtesë të gjatë. Ndryshimet që i ndajnë për besimin në trininë e shenjtë janë shumë të vogla. Atëherë, pse janë të veçuara?
Një pjesë e përgjigjes është sepse ndryshimet që nisën midis dy institucioneve, shekuj më parë, vazhdojnë të vlejnë edhe sot. Ndarja zyrtare midis të krishterëve të lindjes e të perëndimit ndodhi në vitin 1054, dhe në
një farë mënyre pasqyronte rivalitetin kulturor dhe gjeopolitik midis anës lindore të perandorisë romake, me pak fjalë Bizantit, dhe Europës Perëndimore që fliste latinisht, ku autoriteti i Romës kishte rënë që në shekullin e pestë, duke krijuar forca të reja pushteti.
Tensionet u krijuan në vitet e para të shekullit të 11-të, kur normanët katolikë u dyndën në Italinë e Jugut, që në atë kohë e praktikonte fenë në greqisht, dhe urdhëruan zbatimin e praktikave latine nëpër kishat e zonës. Patriarku i Kostandinopojës u përgjigj duke ndaluar të gjitha faljet në
latinisht në qytetin e tij, duke bërë që Papa i Romës të dërgonte një delegacion në Kostandinopojë, për të diskutuar çështjen. Kreu i delegacionit romak, Kardinali Humbert, i shpalli Patriarkut në Kostandinopojë se tashmë ishte i shkishëruar. Patriarku bëri të njëjtën gjë për vizitorin.
Para se të ndodhte kjo ndarje përfundimtare, dy kishat kishin pasur mosmarrëveshje të gjata për autoritetin që kishte shpallur Papa mbi gjithë botën e krishterë,
ndërkohë që Ortodoksët mendonin se të gjitha qendrat e lashta të krishterimit, që nga Antiokia, Aleksandria, Jeruzalemi, Roma e Konstandinopoja, kishin status të barabartë ne njëra-tjetrën.
Ortodoksët u përplasën me Papën pasi urdhëruan një version të besimit të tyre, që krijonte një ndryshim të Shpirtit të Shenjtë. Ky ndryshim teologjik iu shtua mosmarrëveshjeve të tjera gjeopolitike.
Në vitin 1204, ushtritë romake plaçkitën Kostandinopojën, që në atë kohë ishte kryeqendër botërore për tregti e kulturë, dhe imponuan regjimin latin për rreth gjashtë dekada. Sipas ortodoksëve, ky akt tradhtie nga të krishterët latinë solli dobësimin e qytetit, dhe çoi drejt pushtimit nga turqit myslimanë në vitin 1453.
Duke qenë se secili kishte marrë një rrugë të ndarë, perëndimi dhe lindja e krishterë nisën të krijojnë tradita të ndryshme teologjike. Perëndimi zhvilloi idenë e purgatorit dhe të faktit që vetëflijimi i Krishtit ishte i nevojshëm si shpagim për Atin,
Perëndinë, ndërsa në lindje u eksplorua ideja se Zoti ishte i paarritshëm nga arsyeja njerëzore, por i arritshëm nëpërmjet zemrës.
Për ortodoksët, teologjia katolike duket e tepruar për rreptësinë me të cilën bazohet në formula ligjore, ndërsa për katolikët, mendësia e ortodoksëve kishte përkushtim të zbehtë dhe të pavendosur.
Për këtë arsye, takimi i Papës Françesk me Patriarkun rus Kirill në vitin 2016, në Kubë, u pa si një ngjarje historike për 10 shekujt e fundit, edhe pse ndarja kishte ndodhur qindra vite para se të ekzistonte Patriarkati i Moskës.
Të dy krerët fetarë mbajën një deklaratë të përbashkët, ku folën për bashkim mes të krishterëve, si dhe shprehën pikëpamjet e ngjashme mbi çështje të rëndësishme të kohës, si qëndrimi i njëjtë për sa i përket ateizmit, laicizmit, konsumerizmit, çështjes së emigrantëve e refugjatëve, rëndësisë së martesës e familjes, si dhe shqetësimet e ngjashme mbi abortin dhe eutanazinë.