Në shoqërinë tradicionale shqiptare, sikurse në shumë shoqëri të tjera paramoderne, familjet ishin shumë të interesuara të kishin sa më shumë fëmijë.
Ndër shqiptarët para Luftës së Dytë Botërore, ka qenë mjaft e përhapur mendësia se “syri nuk ngopet kurrë me mall dhe me fëmijë”.
Për të ilustruar këtë ide mjafton t’i referohemi statistikave për fëmijët e lindur gjallë në vitin 1942.
Gjatë këtij viti në territorin e shtetit shqiptar erdhën në jetë 36.683 fëmijë. Nga këta, 33.4 % ishin fëmijë të parë dhe të dytë të nënave që lindën atë vit. Ndërkohë fëmijë të tretë ishin 14.1 %, fëmijë të katërt ishin 11.9 %,
fëmijë të pestë 9.4 %, fëmijë të gjashtë 6.8 %, të shtatë 4.2 %, fëmijë të tetë, të nëntë, të dhjetë dhe më shumë se dhjetë ishin 4.9 %.
Përgjithësisht, që në ditët e para pas lindjes, fytyra e fëmijës i nënshtrohej një “skanimi” të veçantë, që realizohej me “syzet e mendësive”.
Nëse fytyra e fëmijës, vajzë ose djalë, ngjante më shumë me fytyrën e nënës ose të njërës prej gjysheve, familjarët e tij besonin se më pas do të vinte në jetë një motër.
Duke qenë se në shoqërinë tradicionale vajzat nuk priteshin me atë gëzim si djemtë, përgjithësisht ngjashmëri të tilla përcilleshin me heshtje dhe rrallë herë me humor.
I thuhej nënës së fëmijës dhe sidomos gjyshes: “Nuk je dhe aq e bukur, pse ia dhe fytyrën tënde fëmijës, do të na mbushësh me vajza”.
Si rregull, me këtë shprehje shpotiteshin nënat dhe gjyshet e bukura, ndërsa ato shumë të bukura shpotiteshin me karakterizime dhe vrazhda në dukje:
“Fytyra jote e shëmtuar na shëmtoi djalën ose vajën”. Dhe me këtë nënkuptohej se kjo ngashmëri do të sillte në etë një vajzë.
Nëse fytyra e vajzës ngjasonte me linjën e babait ose të njërit prej gjyshërve, ajo rrezatonte gëzim te familjarët, të cilët përgjithësisht mendonin dhe shpresonin se fëmija që do të lindte më pas do të ishte djalë.
Në situata të tilla psikokulturore artikuloheshin shprehjet: “Paska lindur vajzë e bukur, djali do na trokasë shpejt në derë”, “një vajzë me fytyrë burrneshe të mbush shtëpinë me vëllezër”, “vajza me hije burri i sjell mbarësi prindërve dhe gjithë fisit”.
Fytyra e djalit të vogël që ngjante me linjën e babait ose të gjyshit, sillte gëzim edhe më të madh. Besohej dhe shpesohej se ai do të bëhej me vëlla.
Në situata të tilla, sidomos burrat mburreshin: “Ne jemi fis pushke dhe vëllezërit vijnë në radhë njëri pas tjetrit”, “djali që na fali zoti na gëzoi dyfish”.