Çesk Ndoja, “i harruari i madh” i brezit të artë të Vllaznisë së viteve ‘70

Brezi I Vllaznisë së viteve ’70 konsiderohet nga më të mirët në historinë e saj. Ka fituar më shumë trofe se çdo brez tjetër, ka patur në përbërje të tij emra të mëdhenj të

futbollit dhe për rrjedhojë, ka arritur të lërë gjurmë. Shumë prej emrave të këtij brezi “u është bërë lapidari”.Përmenden shpesh dhe janë të njohur edhe për brezin e sotëm.

Por ka edhe nga ata që janë “harruar”.Me apo pa dashje kjo nuk ka shumë rëndësi. Njëri prej tyre është Çesk Ndoja, mesfushori I shquar I këtij ekipi I cili ka dhënë kontributin e tij në arritjen e këtyre sukseseve.

Kush është Çesk Ndoja?

Ka lindur në Shkodër më 14 shkurt 1949. Futbollin e ka nisur në moshën 10 vjeçare tek shtëpia e pionerit me trajner, të mirënjohurin Ernest Halepjani.

Duke luajtur në atë vend, spikat me talentin e tij megjithatë familjen e kishte pengesë dhe shpeshherë e pengojnë edhe të shkojë në stërvitje.

Madje në një moment, ekipi I shtëpisë së pionerëve do të merrte pjesë në një Spartakiadë Kombëtare që zhvillohej në Durrës por familja nuk e lë.

Ekipi ishte nisur ndërkohë që Injac Lacuku, një kuadër I sportit në Shkodër, I shkon në shtëpi dhe I bindë familjarët, veçanërisht nënën e tij që ishte pengesa kryesore dhe e nis Çeskun me mjete të tjera për t’iu bashkuar ekipit në ndeshjet e Spartakiadës.

Dhe kjo sakrificë ia ka vlejtur sepse për 3 vite me rradhë më pas vlerësohet si lojtari më I mirë. “Këto ishin fillesat e mia me futbollin, Spartakiadat e pionerëve. Në vitin 1962 madje kam qenë bashkë ne ekip me Sabah Bizin”- kujton protagonisti I këtij shkrimi.

Shkolla në Tiranë

Por ky fillim I karrierës për Çesk Ndojën nuk do të vazhdonte. Në vitin 1963 ai do të shkonte në Tiranë për të vazhduar shkollën sepse regjistrohet tek Teknikumi Teknologjik. Për katër vite sa zgjat shkolla, ai nuk luan me asnjë ekip. Thjesht me ekipin e shkollës në aktivitetet që organizon ajo dhe padyshim që spikat edhe aty.

Mësuese fiskulture në vitin e tretë të shkollës kisha të mirënjohurin Fatmir Frashëri I cili nga sa më tha më pas, duke parë aftësitë e mia, shkoi tek trajneri I ekipit të Tiranës, I mirënjohuri Myslym Alla duke I thënë të më ofronte tek klubi I Tiranës, natyrisht me moshën time.

Përgjigja e profesor Lym Allës, që tregonte mentalitetin e trajnerëve të asaj kohe, ishte: “Nuk mund ta marrim sepse e përgatisim ne për dy vite në Tiranë dhe pastaj nuk mund ta mbajmë dhe ai do të na shkojë në Shkodër pastaj e do ta kemi kundërshtarë, prandaj më mirë të mos merremi me të”.

Megjithatë, Çesku nuk ndikohet nga kjo deklaratë, vazhdon të luajë bukur deri sa I vjen koha për të përfunduar shkollën e për t’u kthyer në qytetin e tij të lindjes.

Përfundimi I shkollës dhe kthimi në Shkodër

Çesku ka përfunduar shkollën në vitin 1967 dhe menjëherë u kthye në Shkodër. Por, futbolli nuk ishte prioritet për të. Fillon jetën normale larg sportit, madje pas përfundimit të shkollës e emërojnë në punë në Pukë, por në një ditë të bukur, tek dera e shtëpisë troket Injac Lacuku, inspektor I sportit në rreth.

E kishin dërguar drejtuesit e sportit pas një kërkese që u kishte bërë trajneri I ekipit të parë Xhevdet Shaqiri.

Prinderit e tij nuk dëshironin ta linin fillimisht por më pas u bindën. “Shkuarja ime tek ekipi I parë I Vllaznisë ka qenë rastësi. Sabah Bizi u kishte thënë drejtuesve të ekipit se një djalë I ri shkodran kishte përfunduar shkollën në Tiranë dhe ishte kthyer në Shkodër.

U kishte folur me superlative për mua sepse më mbante mend që nga periudha kur kishim qenë sëbashku tek shtëpia e pionerit dhe kur kishim luajtur në spartakiadat e pionerëve dhe u kishte thënë për të më marrë në ekip sepse I kisha aftësitë e duhura për të luajtur me Vllazninë.

Dola në stërvitje ditën e parë dhe profesor Xhoda, pasi më prezantoi para skuadrës, më tha se meqë nuk kisha përgatitjen e duhur, duhej të merrja një top dhe bashkë me disa të rinj të tjerë të stërvitesha pas porte me disa të rinj të tjerë.

Në shkallët e stadiumit ishin edhe disa trajnerë që kishin ardhur për të na vëzhguar dhe me veprimet që bëja unë me topin duket se u kisha rënë në sy.

Kaq mjaftoi që në fund të stërvitjes, trajneri Xhodë Shaqiri I tha ndihmësit të tij, Xhelal Jukës, një nga njerëzit më të mirë që unë kam njohur në sport, të më lajmëronte për të qenë pjesë e skuadrës sepse më donte të më kishte në dispozicion.

Një vendim që padyshim më entuziasmoi”. Ndoja stërvitej me ekipin e parë por meqë kishte moshën, luante në kampionat me të rinjtë. “Me të rinjtë fitova Kupën e Republikës. Luajtëm finale në Fier dhe përballë kishim Partizanin. Fituam 1-0 dhe golin e fitores e shënova unë kurse në portën kundërshtare portier ishte Fatmir Leli.

Një sukses që na motivoi edhe më shumë për vazhdimin e karrierës. Atë në fakt ia dedikuam profesorit tonë, Xhelal Jukës, një njeri perfekt në të gjitha drejtimet, I paharrueshëm dhe I pavdekshëm për mua”- thotë Çesku. Paraqitje të tilla me të rinjtë, e ofruan atë tek ekipi I parë dhe për koinçidencë, ndeshjen e tij të parë me ekipin e parë të Vllaznisë, e ka sërish përballë Partizanit.

“Ende nuk I kisha mbushur 18 vjeç dhe trajneri Shaqiri më besoi një vend në formacion. Luajtja përballë të madhit Lin Shllaku, unë mezzal I djathtë, ai alf I majtë. Dhe luajta mirë, saqë më përgëzuan të gjithë”- thotë më tej protagonisti I këtij shkrimi. Në fakt, në Shkodër të gjithë flasin për Sabah Bizin që 18 vjeç ka qenë protagonist I madh I Vllaznisë, por në atë periudhë paska patur edhe një tjetër 18 vjeçar që ka spikatur, Çesk Ndoja, ndonëse ky I fundit disi “I harruar” nga të gjithë ne.

Periudha e ushtrisë

“Kam shkuar ushtar në vitin 1969. Fillimisht më caktuan në Tiranë dhe pas njëfarë periudhe më transferuan në

Qytetin Stalin. Aty fillova stërvitjen me ekipin e Naftëtarit por pikërisht kur bëhet gati të nisë kampionati, më thirrin befas në zyrën e Komitetit të Rrethit dhe më thonë se duhet të nisem urgjentisht për në Gjirokastër.

Nuk e dija çfarë kishte ndodhur por drejtuesi me të cilin isha në zyrë insistoi që të nisesha sa më shpejt sepse nuk do kisha mjete për të udhëtuar. S’kisha zgjidhje tjetër.

Dola në rrugë dhe ashtu mes shumë vështirësish, gjeta makina për të mbërritur në orët e vona të mbrëmjes në Gjirokastër.

Atje ku më prisnin të gjithë drejtuesit e sportit sepse u kishin folur shumë mirë për mua dhe mezi më kishin pritur.

E bukura është se të nesërmen unë udhëtova me ekipin e Luftëtarit drejt Shkodrës sepse niste kampionati dhe do të luaja kundër Vllaznisë!!! Kam qenë edhe në vitin 1970 ushtar në Gjirokastër dhe jam rikthyer në Shkodër në vitin 1971. Pikërisht në kohën e duhur”- thotë Ndoja.

Rikthimi tek Vllaznia

Periudha e përfundimit të ushtrimit dhe e kthimit në Shkodër, përkoi me një periudhë të artë për Vllazninë. Pikërisht atë të sukseseve më të mëdha të saj dhe Çesk Ndoja ka patur fatin të jetë pjesë e një brezi të artë sportistësh. Kuptohet duke dhënë edhe vetë ai kontributin e tij në arritjen e disa sukseseve të mëdha.

“Me ekipin që kishim në vitet ’70, Vllaznia asht dasht me dalë çdo vit kampion.

Të luaja me emra të tillë të atij brezi, ka qenë një privilegj për mua. Sabah Bizi për mendimin tim asht futbollisti më I madh me të cilin kam luajt por nuk mbeten pas as Ramazan Rragami dhe Medin Zhega. Jam munduar të jap kontributin tim, si me golat, ashtu edhe me pasimet për lojtarët e sulmit dhe besoj se kam dhënë më të mirën time.

Kam luajtur në rolin e mesfushorit të djathtë por edhe në atë të ekstremit (sulmuesit) të majtë, në periudhën kur u dëmtua Medin Zhega dhe ai shkoi në Rumani për t’u rikuperuar. Të luaje në ato vite me Vllazninë ka qenë një privilegj I madh por edhe një sakrificë e madhe sepse ka patur shumë konkurrencë.

Pjesë e ekipit kanë qenë lojtarë të mëdhenj dhe për të zënë vendin në formacion, na duhej të sakrifikonim shumë, duhej të stërviteshim fort, të mbanim rregjim sepse

nesër do të ishim sërish në fushën e stërvitjes dhe duhej të jepnim maksimumin sepse futbolli është “luftë për ekzistencë” Duhet të jesh gjithmonë në formë nëse don të luash”- shprehet Çesku për “Shkodra SPORT”.

Lënia e sportit

“E kam lanë sportin në vitin 1977 kur isha vetëm 28 vjeç dhe kisha ende shumë për t’I dhanë futbollit. Në atë sezon, fillimisht u dëmtova në një ndeshje kontrolli të ekipit tonë, kisha një dëmtim të meniskut e kjo gjë më la për njëfarë periudhe jashtë skuadrës. Gradualisht po shkoja drejt lënies së sportit dhe arsyet ishin disa.

Ndonjërën nuk mund ta them dot por kam patur një karakter të fortë, vullnet e dëshirë për të luajtur dhe për të marrë rezultat. Por lufta e bërrylave ka qenë e madhe edhe atëherë.

Mbaj mend kur zhvilloheshin edhe mbledhje në klub, mbledhje në të cilat merrte pjesë edhe sekretari I Partisë dhe në to vendosej që një futbollist apo një tjetër, duhej të linte sportin ngaqë nuk mund të jepte më.

Kështu ndodhi edhe në një mbledhje kur dikush nga kolegët e mi, I doli për Zot një sportisti që ishte për të lënë sportin dhe kjo natyrisht që më binte ndesh mua sepse ai do të më zinte vendin mua. Por gjërat nuk do të ndaleshin këtu. Për të mos më ndodhur edhe mua si disa të tjerëve që të bëheshin mbledhje për të vendosur lënien e sportit, unë nuk isha prej tyre.

Nuk e kam çuar veten të më thonë Çesk lëre futbollin. E kam lënë atë në fakt për një fjalë të vetme. Kemi qenë duke shkuar në Tiranë për një ndeshje ndaj Dinamos dhe rrugës I kam thënë Menduh

Dedjes, një kolegu tim të mirë dhe një futbollisti shumë të mirë: “Nëse trajneri nuk më fut në formacion në këtë ndeshje, Çesk Ndoja lë futbollin”. Dhe kështu ndodhi. Trajneri aktivizoi Fatmir Axhanin ndërsa mua më futi vetëm në pjesën e dytë. Pas ndeshjes, unë për tre ditë me rradhë nuk shkova në stërvitje.

Pas kësaj periudhe, vendosa të shkoj e të takoj profesor Xhevdet Shaqirin. I

thashë se kam vendosur të lë futbollin dhe ai nuk e priti mirë. “Në asnjë mënyrë”- më tha. Unë kam nevojë për ty”. Por s’mund të ma ndryshonte mendjen. Këtu I dhashë fund kësaj loje. Pati ndërhyrje edhe nga drejtues të Rrethit për të më ndryshuar mendjen por jo. Unë e mbylla aty”- thotë mjeshtri I futbollit shkodran.

Mungesa e ceremonisë së lamtumirës

Zakonisht kur një futbollist lë sportin, ka qenë traditë zhvillimi I ceremonisë së lamtumirës. E pyesim protagonistin e këtij shkrimi, nëse klubi Vllaznia ia bëri një ceremoni të tillë dhe

Çesku shpjegon: “Në fakt deshën të ma bënin por në një mënyrë të paimagjinueshme. Disa kohë pas lënies së sportit, pikërisht para një ndeshje që do të luhej në një të dielë në Shkodër, pikërisht Vllaznia- Skënderbeu, dikush kujtohet për të më bërë ceremoninë e lamtumirës.

Ata çojnë në shtëpinë time, vetëm dy orë para ndeshjes, të nderuarin

Gjon Simoni, por normalisht që unë nuk isha në shtëpi. Atëherë nuk kishte as telefona për t’u lajmëru dhe kësisoj nuk shkova. Ceremonia e lënies së futbollit, dështoi. Askush nuk u kujtua që kjo gjë të bëhej njëherë tjetër dhe ky padyshim është një nga pengjet e mia më të mëdha në sport”.

Titulli “Mjeshtër Sporti”, iu dha “pas vdekjes

Ka qenë një moment shumë interesant ajo e dhënies së titullit “Mjeshtër Sporti” për ish- futbollistin e Vllaznisë së viteve ’70. “Titujt në atë periudhë jepeshin kur plotësoheshin disa kritere siç ishin ato të fitimit të trofeve, por çuditërisht me mua nuk ndodhi

kështu. Ndonëse kisha fituar tre trofe me Vllazninë dhe unë meritoja ta merrja titullin “Mjeshtër Sporti”, ai nuk mu dha gjatë periudhës kur kam qenë në aktivitet. Çuditërisht dikush ishte kujtuar në Federatë për këtë gjë dhe ma dhanë por me shumë vonesë.

Madje, me humor shkodran po e përmend këtë fakt, kur më pyesnin miqtë e shokët e mi për këtë titull, unë ua ktheja: “Po, ma kanë dhënë pas vdekjes”. Kjo ngaqë u pat bërë traditë që të nderoheshin njerëzit pas vdekjes dhe kështu mu duk edhe në rastin tim”- thotë Çesku.

Momentet më të bukura të karrierës

Për Çesk Ndojën dy janë momentet më të bukura që aim ban ende mend edhe sot nga karriera e tij sportive. “I pari I takon vitit 1968. Luanim në Shkodër një ndeshje ndaj një ekipi kinez. Në tribunën e stadiumit “Vojo Kushi” kishte qenë edhe trajneri I kombëtares, I madhi Loro Boriçi.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, e kam parë atë të ulet nga tribuna direkt e në fushë duke mu drejtuar mua dhe duke më thënë: “Bravo, kështu luhet futboll”. Kjo ishte kryevepër për mua. Sigurisht që isha si në qiellin e shtatë nga ato fjalë sepse mi thoshte një emër I madh si Boriçi I famshëm.

Mesa duket I kisha pëlqy me mënyrën e të luajturit dhe prandaj më përgëzoi. Ka qenë një moment I cili do të më jepte krahë për vazhdimin e karrierës. Momenti I dytë më I bukur është ndeshja e fundit e kampionatit të vitit 1972. Luanim ndeshjen e fundit në Tiranë me Studentin ndërkohë që rivali jonë Tirana luante në Kavajë. Nëse humbnim ne, do ishte Tirana kampione.

Prandaj dhe ndeshja mori një rëndësi të madhe. Për koinçidencë, ishte Studenti që shënoi I pari dhe na futi në ankth. Ndeshja u ndërpre për gati 10 minuta sepse futbollistët e Studentit po festonin në mënyrë të çuditshme sepse po ndihmonin Tiranën për t’u shpall kampione.

Por gëzimi I tyre zgjati vetëm pak. Kam bërë një gjuajtje të fortë nga rreth 40 metra dhe topi përfundoi në rrjetë. Pas tij erdhën edhe tre gola të tjerë të cilët u përgatitën nga unë sërish dhe nga Sabah Bizi. Kam qenë I papërmbajtshëm në atë ndeshje.

Aq sa, arbitri I ndeshjes Shazivar Gruda mu afrua në një moment dhe më tha: “A je në terezi mor Çesk? Ça don me ba ma mor, lene mor njëherë, pusho njëherë”. Kaq I kisha ba përshtypje për mënyrën si po luaja për t’I dhënë fitoren dhe titullin kampion Vllaznisë”.

Momentet më të vështira

Si shumë sportistë të tjerë shkodranë, edhe Çesk Ndoja ka patur “biografi të keqe”. Për rrjedhojë, ajo do ta përndjekte kudo. I ati kishte qenë pjesë e Ballit Kombëtar dhe ky “mëkat” do të shoqëronte gjithmonë fëmijët e tij, ndonëse sportistë të talentuar. Mesfushori I njohur kujton edhe momentet e vështira që I solli kjo gjë në karrierën e tij.

“Kam dalë vetëm njëherë jashtë Shqipërisë dhe atëherë ndoshta gabimisht. Ka qenë viti 1972 kur pasi fituam kampionatin, patëm për të luajtur në Ligën e Kampioneve me Spartakun e Moskës por kuptohet që me të nuk mund të luanim sepse shteti jonë kishte prishur marëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Në këto kushte, Federata për të na marrë me të mirë ndoshta, na dërgoi për një ndeshje miqësore në Rumani. Nuk më nxorrën pengesë dhe unë udhëtova me ekipin.

Por pak vite më vonë, pikërisht kur Vllaznia do të merrte pjesë në Kupën Ballkanike, kam ndjerë zhgënjimin më të madh. Ishim të grumbulluar në Shirokë. Një të shtunë, do të niseshim drejt Titogradit të Jugosllavisë për të luajtur me Buduçnostin. Nisemi me autobus dhe bëjmë një ndalesë në klubin Vllaznia ku na priste Adem Tukiçi, instruktori I Komitetit të Partisë, I cili do të lexonte listën e lojtarëve se kush do shkonte.

Unë isha me kostum, me kollare e me valixhe, me mendjen se do të shkoja të luaja. Çuditërisht tre ishin emrat që nuk u lexuan, pra që nuk do të shkonin në Jugosllavi. Unë, Enver Hafizi dhe portieri Fatmir Leli. Mirë ne dy të parët që e kishim nga një “rreng” në biografi por të gjithë u habitën me Fatmir Lelin që e kishte babën komunist- oficer, e që kishte luajt edhe me Partizanin.

Oborri I klubit Vllaznia ishte I mbushur plot me tifozë që kishin ardh për të na përcjellë dhe kuptohet çfarë zhgënjimi pësuam. Ky ishte rasti I parë. Ekipi shkoi në Jugosllavi, luajti ndaj Buduçnostit dhe u kthye sërish në Shkodër. Përsëri në grumbullim në Shirokë se ekipi do të nisej përsëri për në Greqi ku do të luanim me Panathinaikos.

Ishin në kamp të grumbulluar dhe më vjen në dhomë Zan Rragami. Më thotë: “Çesk, kam biseduar me shokun Foto Çami dhe do të jesh me ekipin me ekipin”. Sepse do të luanim fillimisht në Tiranë me Dinamon dhe pa u kthyer në Shkodër, do të niseshim direkt për në Greqi.

Prandaj më porositi të marrë rrobat me vete. Pas ndeshjes me Dinamon, na çojnë prapë në Federatë, për të lexuar sërish listën. Dhe sërish e njëjta histori. Çesk Ndoja nuk do të udhëtonte me ekipin që niset për në Greqi, ndërsa unë, I detyruar kthehem shumë I zhgënjyer në Shkodër.

Gjina Ndoja, e motra, atlete kampione

Përveç Çeskut, në familjen Ndoja ndoshta pakkush e di se ka patur edhe një sportiste tjetër. E motra Rregjina. Ajo ka qenë kampione e Shqipërisë në atletikë me të rejat, në dy disiplina, në hedhjen e diskut dhe në 400 metra. Nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Feti Dizdari, ajo ka spikatur me paraqitjet e saj, ndonëse u mor vetëm për pak kohë me atletikë. “Më vjen keq që emri I saj nuk përmendet askund”- thotë I vëllai.
Përgatiti: Gjergj KOLA

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME