Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka në një prononcim kërkuar nga newsport.al me rastin e 100 vjetorit të Klubit të Futbollit Vllaznia nuk ka fshehur entuziazmin për një shekull futboll të Klubit, që sipas tij, ka lindur në qytetin që e do më shumë futbollin se çdo qytet tjetër.
“Kam urimet më të mëdha për Vllazninë në këtë 100 vjetor. Shkodra është vendlindja e futbollit shqiptar,
aty ku ka filluar kjo lojë. Klubi i Vllaznisë, është klubi më me traditë, një ndër klubet më të mira dhe me më shumë histori dhe mbështetje për futbollin.
Vetë Shkodra është qyteti që e do më shumë futbollin. Unë personalisht e kam deklaruar disa herë se kam qenë tifoz i Vllaznisë, pavarësisht se aktualisht
jemi një kategori më poshtë. Do të doja që të ishim kampion, por ky është futbolli. Duhet të mësojmë nga disfatat. Por kjo është loja.
Mund të jemi kampion, apo edhe një kategori më poshtë. Por uroj që Vllaznia të jetë në kategorinë superiore në vitin tjetër dhe ta shoh në ekipet kryesore të Shqipërisë.
Por duhet thënë se ekipi i vajzave është Kampion dhe në moshat e tjera janë shumë më mirë” thotë Duka për newsport.al.
Ndërkohë që nuk harron të përmendë edhe historikun e këtij ekipi. “Ka prodhuar talente pa fund. Ka furnizuar gjithmonë kombëtaren shqiptare. Në asnjë rast
Kombëtarja shqiptare nuk ka luajtur pa shkodranë” thotë Duka në përfundim të këtij urimi ekskluzivisht për newsport.al.