Nga Besnik DIZDARI
Të paktën për mua kjo histori e 45 vjetëve më parë nis me këtë foto që po shoqëron këtë shkrim.
Në Tiranë, këtë foto të rrallë e kam pas vetëm unë. Ma do mendja se autori i saj është fotografi i paharrueshëm fisnik Angjelin Nënshati. Këtë foto e kam botuar dy herë. E kanë vjedhë pa pikë zori plagjiatorët që le t’i vijë keq kujt të dojë, ata duhen ndalë. Madje, sa më parë.
Ajo është realizuar në javët e para të Kampionatit Kombëtar të futbollit 1971-’72. Duke ia “ofruar” arkivit tim them se mund t’i përkasë parandeshjes së Javës 5, asaj Vllaznia-Luftëtari 4-0 të 31 tetorit 1971, kur i pashlyeshmi ynë Din Zhega ka shënuar 3 gola.
Në këtë foto midis të 11-tëve, përveç Zhegës, është edhe 20-vjeçari Millan Vaso i paharrueshëm, i cili do të bëhej një nga më të mirët e Shqipërisë, madje deri në Kombëtare.
Pak ditë më vonë, Zhega do të aksidentohej rëndë në stërvitje, duke i munguar për gati një vit fushës së blertë, ndërsa Vaso merret ushtar për të mbërritur te Luftëtari i Gjirokastrës. Në foto, Millan Vaso është lart, i dyti nga e majta, ndërsa Din Zhega ulur, i pari nga e majta.
Foton në fjalë ma ka dërguar nga Shkodra vëllai im i shtrenjtë, zooteknik Petrit Dizdari, i cili ishte caktuar në rolin e “dublantit” të Seksionit të Bujqësisë (një shpikje unike kjo e Partisë), dashamir i madh i sportit. Ai ka shkruar mbrapa fotos këto fjalë:
“Nostalgjia për talentet e futbollit shkodran, të cilët gjithnjë luajnë për të tjerët, mbetet e pandryshueshme në ndjenjat tona. E po kjo nostalgji na del më e fortë në këtë foto. Shkodra ma nuk është kjo e fotos. E tillë qëndroi vetëm pak ditë”.
Sot, të duket se me këtë foto nis kjo histori krejt e jashtëzakonshme për futbollin shqiptar, që kësisoj po e tregojmë për herë të parë në tri numra rresht të “Panorama Sport”.
Me mungesën e Zhegës dhe rrëmbimin e Vasos, Vllaznia ndodhej në vendin e pestë, ndonëse vetëm 2 pikë larg 17 Nëntorit (9) duke pasur ajo 7 pikë. Po aq sa dhe Partizani, Besa e Skënderbeu dhe debutuesja spektakolare, Shkëndija shkollare. Sidomos në Tiranë, nuk parashikohej se kjo Vllazni në fund të 26 vjetëve do të ishte Kampione e Shqipërisë…
Ndërsa, në Shkodër ndodhte e kundërta. Atje të gjithë mendonin se Vllaznia e tyre do të ishte një mëtuese e madhe e titullit. Për ta mjaftonte që të tyrët ishin edhe Ramazan Rragami e Paulin Ndoja, edhe Hajro Lekaj e Rauf Çanga, edhe Mendu Dedja e Ismet Hoxha, edhe Çesk Ndoja, Lek Koçobashi e Sabah Bizi, të cilët i rreshtova nga e majta në të djathtë siç janë në këtë foto. Të gjithë këta do të ishin kampionë, duke i sjellë Shkodrës, për herë të parë mbas 26 vjetëve (1946), titullin e Kampionit të Shqipërisë.
Mbas asaj çka kishte bërë 17 Nëntori i Tiranës (SK Tirana) më 1965, kur kishte ndalë sundimin 20-vjeçar të “PartizanDinamos”, titulli i Shkodrës 1972, do të ndalte sundimin 26-vjeçar të kryeqytetit në Kampionatin e Shqipërisë. E, kjo ishte ndoshta edhe më e bujshme se sa kryevepra e 17 Nëntorit, ngaqë asokohe për vite të tana nuk mendohej assesi që titulli mund të dilte nga kryeqyteti.
Ngjarja ka qenë e një peshe tejet sensacionale dhe pikë kthese për vetë ecurinë e futbollit shqiptar. Viti 1972 theu mitin e sundimit kryeqytetas, duke iu thënë skuadrave “të rretheve”, siç ato emërtoheshin disi me nënvleftësim, se tash e mbrapa, mund të nisë një histori e re. Dhe, në të vërtetë, ajo nisi. Nisi me Vllazninë e Shkodrës së trajnerit të madh Xhevdet Shaqiri dhe kolegut të tij, po aq të madh, Xhelal Juka.
Kishin qenë së bashku Kampionë të Vllaznisë 1945, 1946…
“THEMELIMI” I TRESHES RRAGAMI-ZHEGA-BIZI…
Në të vërtetë, edhe pse duke pas nga dy vjet largësi në moshë nga njëri-tjetri (1944, 1946, 1948), të paktën në mendjen e shkodranëve, kjo treshe ishte themeluar me kohë. Ndonëse asnjëherë më parë ajo nuk qe “themeluar” për të qenë së bashku njëkohësisht në një Kampionat Kombëtar të Shqipërisë.
Kështu, para themelimi i saj të dukej se do të niste nga 16 maji 1971, kur Sabah Bizi i Partizanit bëhet për herë të parë Kampion i Shqipërisë, duke luajtur pa asnjë dyshim rolin parësor në fitimin e këtij titulli.
Organizator i madh i lojës, mesfushor mbrojtës dhe mesfushor sulmues, hapësinor në lëvizje në pasime, interpretues i pamatë i një futbolli të rangut në universalizmin që, përveç të tjerave, ndikon jo pak në përtëritjen e futbollit të madh të 32-vjeçarit Panajot Pano.
Mjeshtri i madh në këtë kampionat ka qenë edhe ai po aq vendimtar sa Bizi, ka shënuar 17 gola, duke qenë mbas një ndërprerje prej 8 vjetësh kryeshënuesi i kampionatit. “Rifinitori” i tij i parë ishte Sabah Bizi. Topa të mrekullueshëm që mbërrinin te mjeshtri me një saktësi thuajse milimetrike bizjane. I gjithë ky repertor, punë javësh të një vere tejet të nxehtë, do të bartej te Vllaznia…
Po mbyllej një cikël i fuqishëm partizanas. Me largimin e Bizit, skuadra e ashtuquajtur ushtarake do të mund të kthehet te titulli vetëm mbas 8 vjetëve, më 1979…
Dhe Shkodra që kërkon të rimarrë Sabah Bizin e saj, për të realizuar atë që e ëndërronte prej vitesh: të bashkonte në një treshen e saj legjendare: Rragami-Zhega-Bizi. Kohë më parë kam pa një shkrim që, mbasi tregon se Sabah Bizi u mor nga Partizani si përforcim për takimin me Torinon, pa pikë ndrojtjeje na thotë se e marrin ushtar pasi pëlqehej nga një gjeneral i pasionuar…
Duke vazhduar më tej legjenda e plagjiatorëve të historisë së futbollit shqiptar me konformimin e rrejshëm se këta ushtarakë (gjeneralë, edhe pse gradat ishin hequr), kishin forcën për ta mbajtur, për t’i përdorur klubet e qyteteve të Shqipërisë thjesht për pasionin e tyre.
Është për të ardhur keq vërtet, se si sot disa jetë futbollistësh nga shkrues të pandërgjegjshëm, gati po paraqiten si vepra “gjeneralësh” të Ushtrisë, duke u harruar gjithçka tjetër që i përket vetëm të vërtetës: mësuesit e trajnerët e tyre të vërtetë.
17 Nëntori kishte mbërritur te titulli i 65-tës pikërisht duke ia rimarrë këtij Partizani, e pakta nja pesë djem më parë të saj. Kështu vepron edhe Vllaznia për të rimarrë Sabah Bizin. Dhe po kështu, mbërrihet deri te barsoleta me kryeministrin Mehmet Shehu në hidrocentralin e Vaut të Dejës.
E paskan bindur që të urdhërojë kthimin e ish-ushtarit Sabah Bizi në Shkodër. E gjitha kjo vetëm një shpikje, pra, pa asgjë të vërtetë. Është e tmerrshme kur barsoletat merren si fakte historike në shkrime gazetash. E në këtë “stil” në Shqipëri ka një ves tejet të keq.
Shtrembërohet rregullisht historia, sepse mendojnë se njerëzit dinë shumë pak, ose di vetëm ai që shkruan për gjëra që nuk i di as vetë. Asnjë shtet në Europë nuk e ka nëpërkëmbë më shumë historinë e sportit të saj si Shqipëria.
Siç e kam treguar me kohë, ndërsa vera po mbaronte, edhe pse i kishte mbushur tri vjetët e shërbimit ushtarak, Sabah Bizi nuk po kthehej në Shkodër. Qyteti ziente. Ziente në mënyrën e tij për aq sa lejonte diktatura, po dhe në “disidencën” e tij të një alegorie, çka aq me dinakëri dinte ta shpaloste Qyteti i Veriut.
Vllaznia, më në fund, kishte bërë një skuadër shumë të mirë. Pak më parë ishte renditur në vendin e tretë dhe me djemtë e talentuar që kishte, me ardhjen e Sabah Bizit pa asnjë dyshim ajo do të ishte mëtuese kryesore për titullin. Çka, mbas disa muajve, aq bukur do të realizohej. Në Kafe të Madhe, tryezat nuk kishin biseda të tjera përveçse “çështja Bizi”.
Dhe Bizi ende me Partizanin, i cili do të luante dy ndeshjet e pafat për Kupën e Kampioneve me CSKA të Sofjes. Do t’i humbiste të dyja 1-0. Këtu ishte “kurthi”. Partizani pa bëza do ta mbante për ndeshjet e Kupës së Kampioneve, por synimi ishte tjetër. Ai mendonte se, mbas tyre, do ta kishte më lehtë për të mos e lëshuar.
Qoftë dhe për “interesat e futbollit kombëtar”, siç spekulohej prej kushedi sa vjetëve me këtë shprehje që çonte ujë në mullirin e “Partizan-Dinamo”. Sigurisht nëse kampionia jonë do të kualifikohej. Mirëpo, dihej se sa e fortë ishte CSKA e Sofjes, ndonëse Partizani reziston jo pak duke humbur vetëm 1-0.
Ndërkohë, në mbrapaskena lufta nuk prânte. Ministria e Mbrojtjes rezistonte me të madhe. Do të ndeshet sidomos në “kryefortësinë” e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës, Bilal Parruca, i cili me urtësi, pa britma e arrogancë, e kërkonte Bizin, sepse “e don populli i Shkodrës e kjo ndikon fort deri në vetë ecurinë e qytetit”.
Dhe po papritmas e merr fuqinë stili i revolucionit kulturor kinez. Një fletë rrufe e fuqishme, e partishme e ndërtuesve të Hidrocentralit të Vaut të Dejës zë vend në mes të kryeqytetit. Këtu është fundi.
Pa kaluar pak ditë, një përgjigje zyrtare fletë rrufeje e zyrave të urdhëruara të Partizanit e vendosur po ashtu në mes të kryeqytetit, në stendën e kuqe “revolucionare” para Bankës Kombëtare, jep përgjigjen shpëtimtare: “Sapo të përfundojnë ndeshjet me CSKA për Kupën e Kampioneve, Sabah Bizi do të kthehet në Shkodër”.
Shkodra kishte triumfuar. Më në fund, treshja Rragami-Zhega-Bizi ishte “themeluar”.
FILLIMI SPEKTAKOLAR DHE RËNIA E BEFASISHME…
…Më 19 shtator 1971, Vllaznia shkon në Berat për Javën 1 të Kampionatit 1971-’72 dhe fiton 3-1 me dy gola Medin Zhegës. Katër ditë më parë, më 15 shtator, në Sofje kemi CSKA-Partizani 1-0. Por kur mbërrin Java 2, ajo e 26 shtatorit 1971, Vllaznia nuk pranon të luajë ndeshjen me Dinamon pa Sabah Bizin.
Në Kafe të Madhe prapë shpërthejnë diskutimet. Dhe ja më në fund. Është e shtunë e 2 tetorit 1971. Në Tiranë para rreth nja 10.000 shikuesve luajnë Shkëndija-Vllaznia 0-0, një ndeshje e paharrueshme e teknikës dhe një gare plot emocione. 11-shi i Vllaznisë ishte ky:
P.Ndoja, Lekaj, M.Vaso, M.Dedja, R.Rragami, Duraj, Bizi, Koçobashi (R.Çanga), I.Hoxha, Zhega, Ç.Ndoja. Trajner: Xhevdet Shaqiri.
Nuk kishte rëndësi rezultati i kësaj ndeshjeje. Kishte rëndësi prania e Sabah Bizit. Në këtë ditë të bukur tetori 1971 Vllaznia kishte “themeluar” përfundimisht bashkësinë e treshes së saj legjendare: Rragami-Bizi-Zhega.
Këtu më duhet të përsëris portretizimin tim të kahershëm që rishfaqet në këto radhë “të vjetra”:
“Në të vërtetë treshja e pashkëputshme e vet Kombëtares së Shqipërisë. Një treshe që te kjo Vllazni doemos nuk mund të bënte pa paprekshmërinë e portës së Paulin Ndojës, pa stoicizmin e Hajro Lekës e të Suat Durajt, pa ‘dinakërinë’ e Mendu Dedjes, pa rininë e Millan Vasos që sapo mbërrinte, pa rrufeshmërinë golashënuese të Ismet Hoxhës, pa shpërthimet e Çesk Ndojës e futbollin burrëror të Lekë Koçobashit, pa pjekurinë e Rauf Çangës, sa për të përmendur këta të kësaj ndeshje.
Në një kohë që Selami Dani, Esat Rakiqi e Zyhdi Basha ishin po aty të gatshëm për t’u bërë edhe ata Kampionë të Shqipërisë. Me në krye kapitenin e madh Ramazan Rragami. Truri i gjithë kësaj do të ishte Sabah Bizi”. Atë ditë Vllaznia po paralajmëronte ndërrimin e historisë solide e “monotone” bashkë, të Kampionatit Shqiptar mbas bukur 25 vjetëve. Ka qenë sensacionale.
E megjithatë, nuk do të ishte një fushë me lule. Vetëm mbas pak ditëve, ose më saktë, mbas pak orëve, skuadra shkodrane do të përjetonte dramën e saj befasuese.
Ajo nuk do të ishte Vllaznia e fotos sonë që shoqëron këtë shkrim. Një Vllazni, e cila me këtë 11-sh mbërrin te Java 6 me këto rezultate. Tomori-Vllaznia 1-3, Vllaznia-Dinamo 1-1, Shkëndija-Vllaznia 0-0, Vllaznia-Lokomotiva 1-0, Labinoti-Vllaznia 0-0, Vllaznia-Luftëtari 4-0. Renditja ishte kjo: 17 Nëntori 11 pikë, Besa 9, Vllaznia 9, Partizani 9.
Din Zhega, 6 ndeshje 6 gola!
Dhe mû këtu është drama. Aksidentohet Zhega dhe Ushtria Popullore që don të përforcojë Luftëtarin e Gjirokastrës, teksa i dhuron Millan Vason e Shkodrës, kur një tjetër firmë të shquar, Halil Pukën e kishin çuar të përforcojë Lokomotivën e Durrësit. Kështu janë shkatërruar skuadrat e rretheve asokohe.
ËNDRRA E SHUAR E RAPIDIT TË VJENËS…
Dihej edhe kjo: që Vjena, ose Austrohungaria, kishte organizuar ndeshjen e parë zyrtare të futbollit, pikërisht këtu në Shkodër. Ka qenë fillim vjeshte 1913. Ndeshja “Indipendenca” e Shkodrës – Ushtria Austrohungareze, ajo që sundonte qytetin, i cili ende nuk i ishte bashkuar Shqipërisë së pavarun.
Skuadra e futbollit e Palok Nikës me shokë, me emrin kuptimplotë “Indipendenca” (“Pavarësia”) ishte si një simbol pavarësie. Kurrë sporti nuk mbetet jashtë historisë tanësore, aq më tepër të një qyteti si Shkodra atdhetare, përherë largpamëse në kësisoj zhvillimesh…
Tash i kthehemi vitit fatal 1971…
Pak më parë, e renditur e treta e Kampionatit të shkuar, ajo do të përfaqësonte për herë të parë Shqipërinë në Kupën e tretë të Europës, atë UEFA. Shorti është tejet joshës teksa krijon çiftin Rapid i Vjenës- Vllaznia e Shkodrës. Po çka ndodh?…
Skuadra e mrekullueshme e volejbollistëve të Vllaznisë zhvillon një turne në Kosovë, duke befasuar publikun kosovar me nivelin e lartë që paraqet, çka i shndërron pallatet e sportit të Kosovës në vatra sa sportive po aq dhe atdhetare. Deri në 7000 spektatorë në një ndeshje dhe Trepça e Mitrovicës-Vllaznia 0-3, Vëllaznimi i Gjakovës-Vllaznia 1-3, Obiliq i Prishtinës-Vllaznia 0-3.
Mbyllja është një mbrëmje e paharrueshme lamtumire me praninë e këngëtares së famshme Nexhmije Pagarusha. Dhe tre gazetarë “protagonistë”: Fehmi Sejdiu dhe Ali Shala kryetar dhe nënkryetar të Lidhjes Volejbollistike të Kosovës, pranë të cilëve ndodhet pa ia dâ i dërguari i “Sportit popullor”, Rifat Uruçi – tri emra të shquar të gazetarisë sportive, disi “jugosllavo”-shqiptare. Natyrisht që asokohe askujt nuk do t’i shkonte ndër mend se, nja rreth 30 vjet më vonë, autori i këtij shkrimi të sotëm do të bëhej interpret për t’i nderuar që të tre me Çmimin “Anton Mazreku” në gazetari. Ishim ende larg lirisë…
Kur Vllaznia e volejbollit kthehet në Shqipëri, befas “zbulohet” se volejbollistët shkodranë kanë ardhur prej Prishtine të ngarkuar me aparate televizive e sende të llojllojshme të tregut kosovar nën Jugosllavi, i pakrahasueshëm me atë tejet të varfër të Shqipërisë.
Kjo mjafton për të dënuar në mënyrën më të skajshme kolektive krejt klubin e Shkodrës në të gjitha llojet e sporteve për mospjesëmarrje në veprimtari ndërkombëtare! Asnjë skuadër sportive e Vllaznisë nuk do të lejohej të merrte pjesë në takime ndërkombëtare, thotë Partia!
Masa të rrepta bien ndërkaq, edhe për drejtuesin e delegacionit shkodran, Qemal Byrazeri, trajnerin Franc Jakova dhe me ndalim profesioni të gazetarit Rifat Uruçi.
Dënimi i pamëshirshëm bie pra edhe për Vllazninë e pafajshme të futbollit. Shqipëria i thotë jo UEFAs! Kjo Shqipëri ishte. Që të dënonte pa bërë asnjë faj, më keq se Kanuni i Lekës i Shekullit XV që gjakmarrjen e kishte një me një, jo një me dhjetë.
Nuk ka ndeshje Rapid i VjenësVllaznia e Shkodrës!
Siç kujtohet shpesh, 1971-shi do të mbetej në histori vit i një vije demarkacioni, me guximin shqiptar për t’u përfshirë në Europë, me stepjen e parë se përballë një çizolimi befasues (pjesëmarrje jo në një, por në tri kupa të Europës tashmâ) dhe më mbas, me nëpërmendjen e parë për të mos vazhduar, për të ndërprerë pa mëshirë!
Ndërprerja përmes Vllaznisë ndaj Rapidit të Vjenës do të ishte krisma e parë e “armës” gjeopolitike më të dashur të Regjimit. Në kanceleritë e Komitetit Qendror të Partisë, gradualisht do të binte edhe hija e një izolimi sportiv të pritshëm. Rapidi i Vjenës ishte vetëm prologu.
Merrej me mend se Federata Shqiptare e Futbollit së cilës edhe emri i përmendej rrallë, tejet rrallë (njihej më tepër si “sektori i futbollit”), assesi nuk mund të kishte iniciativën përmbi zyrat e ndërtesës së gurtë, të kuqërremtë “sovjetike” të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Viktima e parë do të bëhej skuadra e Shkodrës mû në çastin kur asaj do t’ia kthente lavdinë Sabah Bizi e shokët e tij. Çka me të gjeopolitika e Shqipërisë me klubet në Europë do të niste të prodhonte një izolim të pakrahasim.
Askush nuk mund të merrte me mend ato ditë se, mbas 7 vjetëve, kjo Vllazni do të kishte punë po me Austrinë, kur debutimi i saj në Kupën e Kampioneve do t’i blatonte Austrinë e Prohaskës e të Robert Sarës me shokë, me nja 6 kombëtaras austriakë në kulm të formës së tyre. Dhe 2-0 për Vllazninë!…
Ishim ende larg gjithë këtij “austriamizimi”, megjithatë…
E vërteta është se ka mbetur vërtet e bujshme se si mbas kësaj goditjeje, pa Zhegën, pa Vason, e tash edhe pa pjesëmarrjen në Europë për te Vjena, Vllaznia të gjente forca dhe ta niste Kampionatin e vitit 1971-’72 për të mbërritur aty ku Qyteti i Futbollit kishte plot 25 vjet pa mbërritur: te titulli Kampion i Shqipërisë.
Askujt nuk i shkonte nëpër mend se, mbas kësisoj goditjesh të pamëshirshme, skuadra do të gjente forca morale për të kërkuar titullin. Ndoshta kjo forcë karakteri printe përmes dy trajnerëve të saj të paharrueshëm Xhevdet Shaqiri e Xhelal Juka. Ndoshta prej një futbollisti të madh si kapiteni Ramazan Rragami. E ndoshta edhe prej një fitimtari të rrallë me emrin Sabah Bizi.
Kishte mbetur mbas ëndrra e Rapidit të Vjenës dhe Vllaznisë i duhet t’i gëzohet fitores ndaj Luftëtarit të Gjirokastrës përmes një 4-0 spektakolar, ndeshja e fundit (“e përkohshme”) e mjeshtrit të madh Medin Zhega – autor i tre golave të paharrueshëm. Kjo ishte ndeshje e Javës 6 të Kampionatit dhe largimin e Zhegës e ndjek dhe largimi i Millan Vasos, i cili ka marrë tashmâ rrugën e Gjirokastrës pikërisht për te ky Luftëtar.
Nuk ndal me kaq “inati” i Partizanit që plotësohet me fitoren e tij të bukur. Është 28 nëntor 1971 dhe Partizani-Vllaznia 2-1 në Tiranë. Renditja ka këtë katërshe kryesuese: 17 Nëntori 14 pikë, Partizani 13, Besa e Kavajës 12, Vllaznia 11. Gjithnjë askush nuk e mendonte se kjo Vllazni mund të ishte kampionia andej kah qershori 1972 dhe se kjo humbje me Partizanin do të mbeste e vetmja.
Kryeulë ajo kthehet në Shkodër dhe barazimi 0-0 me 17 Nëntorin duket se u vë vulën mëtimeve të saj. Nënshkrimi i “dokumentit” mënjanues bëhet një javë më vonë në Korçë. Është 19 dhjetor 1971 dhe Skënderbeu-Vllaznia 1-1. Edhe në këtë ditë pakkush e vlerësonte skuadrën shkodrane në garën për kreun, teksa ajo zbret në vendin e 6-të me 4 pikë larg 17 Nëntorit të Myslym Allës.
Renditja ishte kjo:
17 Nëntori 17 pikë, Besa 15, Partizani 15, Dinamo 13, Vllaznia 13.
Ndërsa në Shkodër, veç mërzi. E cili mund të ishte ai optimist i pandreqshëm që ende mund ta parashikonte se për gjithë 16 javët e tana të mbetura, skuadra shkodrane nuk do të humbiste më asnjë ndeshje, çka do të përbënte një rekord të madh të krejt viteve ’60 e ’70 për futbollin shqiptar?…
Gjithçka të dukej si një kalamendje e plotë. Rapidi, Zhega, Vaso, Partizani…