Sporti shkodran në historinë e tij na ka dhuruar shumë momente të
lumtura, por në momente të caktura edhe të dhimshme. Mund të themi edhe tragjike dhe një prej tyre është padyshim ndarja nga jeta e ish-trajnerit të çiklizmit të Vllaznisë Fuat Muriqi.
Shkodranët janë njohur edhe me vdekjen në stërvitje të ish- futbollistit Suad Durraj për shkak të infraktit, por kjo e fundit është shumë herë më tragjike.
Ai është ndarë nga jeta në mënyrë aksidentale teksa po stërviste çiklistët e Vllaznisë. Ka ndodhur më 18 shkurt të vitit 2005.
Itinerari i stërvitjes për ekipin shkodran atë ditë ishte Shkodër- Lezhë- Shkodër. Gjatë rrugës së kthimit, si zakonisht, duke u përkujdesur për sportistët e tij, Fuat Muriqi, qëndronte në fund të grupit që stërviste me një motor
për të qenë lajmërues i automjeteve që mund të vinin pas e për t’i mbrojtur kështu çiklistët nga ndonjë aksident i mundshëm automobilistik, duke vënë në rrezik kështu gati gjithmonë vetë jetën e tij.
Ka qenë pikërisht pranë fshatit Dajç i Zadrimës, ku një makinë ka ardhur me shpejtësi të madhe dhe ka përplasur për tokë trajnerin Muriqi dhe çiklistin e
fundit të grupit, duke lënë të plagosur rëndë dhe pa ndjenja Muriqin dhe pak më lehtë çiklistin e ri, i cili për fat kaloi pa ndonjë problem të madh.
Gjendja e Fuatit ishte e rëndë dhe u dërgua urgjentisht në Tiranë por me gjithë përpjekjet e mjekëve specialistë të kryeqytetit, gjendja e
trajnerit nuk u përmirësua dhe më pas, pra më 21 shkurt 2005 ai ndërroi jetë.
Një humbje e madhe për të gjithë komunitetin e çiklizmit shkodran e më gjerë. Por më së shumti për dy djemtë e tij që i la në moshë të vogël.
Ato i kanë kaluar gjithë keto vite pa njeriun që duhej ta kishin pranë, që t’i ndihmonte të bënin hapat e parë në jetë ashtu siç bën gjithnjë babai për fëmijët e tij por që fatin e keq të tyre nuk e kanë më pranë.
Fuati, babai i dashur ka humbur jetën pikërisht duke bërë punën e tij. Duke stërvitur disa djem të rinj të cilët po i përkushtoheshin sportit me të cilin bëri emër e karrierë babai i tij, Ganiu, axhat Fadili e Ruzhdiu por edhe vetë ai.
Fëmijët e tij nuk e kanë më pranë dhe si rrjedhojë janë të detyruar
të bëhen më herët sesa duhet ”burrat e shpisë”. Bashkëshortja nuk ka
pranë njeriun me të cilin mendoi të ndante jetën deri në vdekje por
Fuja, siç e thërrisnin, e “tradhëtoi”: Iku më shpejt sesa duhet.
E ka vuajtur shumë mungesën e djalit të saj të vetëm Qamilja, e cila kësisoj do mbeste pa dy dashnit ma të mëdha të jetës së saj, djalin dhe burrin e saj.
Megjithatë Fuati nuk u mungon vetëm atyre. Na mungon të gjithëve sepse për të gjithë ka qenë miku ynë. Të gjithë ne mallkojmë atë makinë që i mori jetën këtij trajneri pasditen e të premtes së 18 shkurtit të 13 viteve më parë.
Një përplasje e fuqishme e cila do të linte pa ndjenja këtë njeri me trup të fuqishëm por të pazot për t’ia dalë kësaj përplasjeje. I vetmi që do pësonte do ishte Fuati.
Megjithës ndërhyrjen e mjekëve, ai nuk do rezistonte dhe pas 65 orësh në reanimacion, do mbyllte sytë njëherë e përgjithmonë. Një Shkodër e tërë ka qarë për këtë tragjedi të familjes Muriqi.
Një opinioni të tërë në mbarë Shqipërinë i ka ardhur keq dhe ka shprehur ngushëllimet për këtë rast. Pikëllimi ka qenë i madh dhe të gjithë e thonin hapur: Mortja mori më të mirin nga familja Muriqi.
E pat thënë këtë edhe plaku i kësaj shtëpie, njeriu që u futi në gjak gjithë Muriqve këtë sport, Fadili i cili në ditën e përcjelljes për në banesën e fundit të nipit të tij, do thoshte: “Çiklizmit vërtetë i dha shumë familja jonë por ai na i hëngri kokën më të mirit prej nesh”.
Një gjë është e qartë: dhimbja ka qenë dhe vazhdon të jetë e madhe tek të gjithë sidomos tek familja e tij. Fuatin të gjithë e mbajnë mend për gojën e ëmbël me të gjithë, shumë punëtor dhe i devotshëm për të bërë sa më mirë premtimin që i kishte bërë të atit për të vazhduar rrugën e tij me këtë sport, e kanë bërë atë të lërë respekt tek të gjithë.
Prandaj ai na mungon të gjithëve sepse mbetet pjesë e historisë së këtij sporti. Do mbahet mend se dha jetën në krye të detyrës vetëm e vetëm që ta bënte sa më mirë punën e tij. Fuati dëgjohej shpesh në zyrat e klubit Vllaznia të ankohej për karburant sepse donte që të mos i linte asnjëherë vetëm sportistët e tij në stërvitje.
Ia kishte frikën të keqes dhe në fakt ajo e gjeti vetë. Federata e
Çiklizmit, Klubi Vllaznia janë munduar të organizojnë vit pas viti një kupë me emrin e tij, por kjo është shumë pak.
Fuat Muriqi ka lindur 1967 në qytetin e Shkodrës, në një familje me
tradita në sportin e bukur dhe të vështirë të çiklizmit. Që në fëmijëri të tij, ai u edukua me dashurinë për sportin e çiklizmit, që njihej për jehonën e tij në Shkodër që me fillimin e përhapjes së tij në vitin 1925.
Duke qenë se i ati, Ganiu edhe ky çiklist i njohur dhe trajner i Vllaznisë, e stërviste vazhdimisht që të vogël. Fuati i arriti shpejt parametrat për t’u futur në ekipin e të rriturve. Ishte pasioni i të atit dhe puna e të birit Fuatit, që e çuan atë në regjistrimin që në moshën 14-vjeçare në ekipin e të rriturve të Vllaznisë.
Megjithëse në moshë të njomë, ai u bë shpejt bashkëkohës dhe koleg në fitimin e titujve kampion, me figurat e njohura të çiklizmit shkodran dhe atij shqiptar si, Agim Tafili, Sytki Tafili dhe Brahim Syka.
Ishin vitet ’80, kur, së bashku me këta sportistë të shquar, dolën kampionë për 7 vite me radhë, duke vënë një rekord në fitimin e titujve dhe duke u bërë kështu një shembull për të gjithë çiklistët e rinj.
Gjatë kohës që ishte çiklist i Vllaznisë dhe i ekipit kombëtar, Fuati njihej si një sportist tepër i rregullt si në aspektin stërvitor, ashtu edhe në marrëdhënie me trajnerët, shokët e ekipit, fansat e tij dhe po ashtu edhe me çiklistët e rretheve të tjera, megjithë konkurrencën që kishte me ta nëpër gara.
Me fillimin e një kohe tjetër, pas viteve ‘90, sporti shkodran pati në një farë mënyre humbje dhe shkatërrim dhe kësaj nuk i shpëtoi as sporti i çiklizmit.
Duke mos e humbur traditën e familjes së tij dhe duke pasur dhe një dashuri dhe pasion për sportin e çiklizmit, në vitin 1992, Fuat Muriqi merr përsipër të drejtojë ekipin e të rinjve çiklistë shkodranë dhe më pas dhe atë të të rriturve,
pa patur asnjë mbështetje financiare, por vetëm atë morale nga shokët e tij, duke sakrifikuar jo vetëm kohën e lirë të tij, por edhe duke shpenzuar nga kuleta i tij. Pasioni, si jo rrallë herë i idealistëve, i kushtoi jetën Fuat Muriqit
Gjergj KOLA