Mungon vetëm zyrtarizimi por duket se Kastriot Dermaku do të jetë mbrojtësi i ri i Parmës në sezonin e ardhshëm. Futbollisti i përfaqësueses shqiptare konfirmoi pak ditë më parë se do të ishte pjesë e një klubi në Serinë A përtej interesit nga klubet turke dhe duket se ka gjetur akordin për të firmosur marrëveshjen e re që do ta çojë atë për herë të parë në elitën e futbollit italian.
Mediat pranë klubit të Kozencës, ku ai kaloi dy sezonet e fundit duke u kthyer në një nga pikat më të forta të kësaj skuadre, kanë zbuluar se Dermaku ka një akord paraprak me skuadrën e Parmës të cilin do ta firmosë pasi të mbyllë ndeshjet me përfaqësuesen.
Ai largohet me parametër zero nga klubi i Kozencës, e cila ishte munduar me të gjitha mënyrat që ta mbante të paktën edhe për vitin e ardhshëm.
Të njëjtat burime sqarojnë se klubi kishte arritur deri aty sa i kishte propozuar dyfishimin e marrëveshjes aktuale për ta bindur të qëndronte dhe një vit më pas ta shiste në ndonjë klub tjetër. Por Dermaku ka vendosur t’i japë lamtumirën kësaj skuadre për të zbarkuar më në fund në Serinë A. /vipsport/