31 maji, një natë sa 1000 muaj. Çfarë duhet të bëni Natën e Kadrit?

Nata e Kadrit njihet si nata kur Kurani zbriti në tokë. Sipas fesë islame, nesër, më 31 maj, është Nata e Kadrit dhe agjërimi i kësaj dite vlen sa 1000 muaj ose afërsisht 84 vite. E veçanta e kësaj nate qëndron në zbritjen e fjalës së Zotit përmes profetit Muhamed për mbarë njerëzimin.

Nata e Kadrit është një natë shumë e veçantë për besimtarët myslimanë. Lutjet dhe falja në këtë ditë përcaktojnë fatin dhe mirësitë e vitit të ardhshëm. Është bërë traditë tashmë që në këtë ditë nuk agjërojnë vetëm praktikuesit e fesë islame, por edhe njerëz të tjerë në të gjitha vendet e botës.

Zoti e veçoi dhe e ngriti këtë natë mbi të tjera edhe për faktin se në Kuran ka një sure të veçantë me këtë emër, suretul Kadër.

Ajetet e para që zbritën në këtë natë ishin ato që i dhanë vlerë shkollimit dhe diturisë, duke e përcaktuar islamin si fe që e kërkon dhe e obligon diturinë.

Zbritja e sures së parë të Kuranit u bë në shpellën Sira në këtë natë dhe ishin:

“Lexo në emrin e zotit tënd, i cili krijoi çdo gjë.”

Pse emërtohet nata e Kadrit?

Kjo natë, në vetvete, ka disa kuptime dhe jo vetëm mirësitë që sjell e mbart ajo. Një ndër kuptimet themelore është që njihet si natë e madhërishme, nisur edhe përcaktimet e mëdha.

Është edhe një natë e begatë dhe me shumë mirësi. Përfitimet e saj janë të shumëfishta. Në këtë natë vendoset rrisku, begatia dhe mirësitë mbi tokë. Nisur nga nesër mbrëma e deri në të njëjtën natë të vitit të ardhshëm, emërtohen çështjet e njeriut mbi tokë. Është një natë që ka më pak vuajtje në të gjithë botën. Është një natë me pozitë të veçantë për mrekullitë dhe mirësitë që përmban.

Paracaktimi është një ndër kuptimet e kësaj nate. Kjo do të thotë që sonte vendoset se ç’do të ndodhë deri në vitin e ardhshëm.

Një tjetër kuptim i Natës së Kadrit është shtrëngimi, pasi bota shtrëngohet nga numri i madh i melekëve që zbresin në tokë.

Çfarë ndodh natën e Kadrit?!

“Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejën e Zotit të tyre, në atë natë zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo që përcakton Zoti është paqe deri në agim të mëngjesit” El Kadr 1-5.

Mirësitë e saj janë të pafundme dhe begatitë na ndjekin pas deri vitin e ardhshëm.

Në këtë natë përcaktohet jetëgjatësia e njerëzve. Përcaktohet se ku janë të destinuar të shkojnë. Përcaktohet rrisku, furnizimi dhe skamja. Kush do të kryejë Haxhin, përcaktohet pikërisht në këtë natë.

Në këtë natë zbresim me mijëra engjëj dhe vete Xhiubrili (Shpirti) zbret në tokë.

Allahu këtë muaj dhe këtë ditë e ka zbritur këtë për të shpërblyer dhe për të adhuruar.

Pra, në këtë natë përcaktohet fati i krijesave.

Ajo është një natë, të cilën Zoti e ka përzgjedhur për ta mbushur me madhështi dhe mirësi të veçanta. Siç thuhet në Kuran, kjo është një natë më e vlefshme se njëmijë muaj. Në të engjëjt e Zotit, të kryesuar nga Xhebraili, zbresin në dynja dhe në të përcaktohet fati i një viti për çdo njeri, si edhe ajo që është një natë e bereqetshme dhe e mbizotëruar nga paqja, deri në agim.

Thuhet se në Natën e Kadrit u njoftohet engjëjve ajo që do të ndodhë vitin e ardhshëm.

U quajt Kadr, sepse kjo është një natë e lartë tek i Madhi Zot dhe se në të falen gjynahet më së shumti dhe mbulohen të këqijat, pra kjo është natë e Magfiretit-mëshirës. Dijetarët islamë e quajtën “festë ndër më të respektuarat, natë e paqes, e mirësisë së përgjithshme, e shpërblimit të pashembullt”.

Njëra prej madhështive të kësaj nate është edhe hapja e dyerve të qiejve për të pranuar lutjet e atyre që i drejtohen Zotit të tyre që t’u zgjidhur hallet, për t’u larguar vështirësitë dhe për t’u sjellë gëzim.

Kjo natë është më e mirë dhe më e vlefshme se një mijë muaj të tjerë. Dhe 1000 muaj bëjnë 83 vjet e 4 muaj.

A është e përcaktuar nata e Kadrit?

Pavarësisht rëndësisë së saj, është i njohur fakti se Nata e Kadrit nuk është saktësisht e përcaktuar. Opinionet e dijetarëve në lidhje me të kanë qenë të shumta, por ekziston një konsensus i përgjithshëm, sipas së cilit Nata e Kadrit gjendet në një nga dhjetë netët e fundit të Ramazanit dhe me shumë mundësi në një nga dhjetët netët teke të tij. Shumë besimtarë ndihen të intriguar nga fakti i fshehjes së kësaj nate.

Përse Zoti nuk e ka bërë qartësisht të ditur atë?

Përse ajo është mbajtur e fshehtë dhe besimtarët janë urdhëruar ta kërkojnë atë në një nga dhjetë netët e fundit të Ramazanit?

Zoti e ka fshehur atë njësoj siç ka fshehur pranimin e veprave të adhurimit, në mënyrë që të kryejmë sa më shumë prej tyre. Ai e ka fshehur pranimin e lutjeve në mënyrë që ne të mos i neglizhojmë ato, por të përpiqemi të kryejmë sa më shumë të tilla. Ai e ka fshehur pranimin e pendimit tonë, në mënyrë që ne të jemi gjithnjë në gjendje pendimi. Zoti e ka fshehur prej nesh emrin e Tij më të madh, përmes të cilit është e mundur përmbushja e çdo lutjeje, në mënyrë që ne të mos i neglizhojmë emrat e tjerë të Tij, por të thellohemi në meditimin e tyre dhe në lutjen e Zotit me to.

Çfarë duhet të bëjë një besimtar Natën e Kadrit?

Një besimtar, Natën e Kadrit falet dhe adhuron, lutet dhe kërkon. Bën sadaka dhe nuk resht së adhuruari këtë natë. Ai adhuron duke shpresuar tek i madhi Zot dhe te falja e tij, atij do t’ia falë Allahu gjynahet dhe kjo është begati e madhe për besimtarin.

Të bëjë sa më shumë dua (lutje).

Të pendohet për mëkatet dhe të kërkojë mëshirë nga i Madhi Zot.

Të shtojë të përmendurit dhe të madhëruarit e Allahut dhe falënderimet.

Të bëjë salavat, përmendje për pejgamberin.

Të japë lëmoshë sa të ketë mundësi.

Të ruhet nga mëkatet e gjymtyrëve duarve, këmbëve, syrit, veshit, etj.

Të falë namaz vullnetar dhe namazin e natës më tepër se zakonisht.

Nata e Kadrit është një natë faljeje e shpërblimi, mirësie begatie, s’ka si të mos vlejë sa njëmijë muaj.

Ji falënderues që e arrite edhe këtë vit këtë natë të begatë, Kadër.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME