Të shtunën e kaluar u tregua me gisht si fajtori i humbjes së kombëtares ndaj Francës në Paris dhe ndaj Islandës u “ndëshkua” nga trajneri Edi Reja me nisjen e ndeshjes nga stoli.
Por, në minutën e 62-të të takimit, kur rezultati ishte 2-2, Odise Roshi hyri në fushë dhe ndryshoi gjithçka.
Fillimisht, mesfushori shënoi golin tretë me anë të një goditjeje të fortë me të djathtën që u devijua nga mbrojtësi islandez dhe përfundoi në rrjetë.
5 minuta më vonë, Roshi ndërmori një aksion individual dhe pasoi topin te Memushaj, krosimin e të cilit në zonë e shfrytëzoi më së miri Cikalleshi, duke shënuar golin e katërt.
Shqipëria e kishte mbyllur pjesën e parë të ndeshjes me rezultatin 1-0. Në minutën e 32-të, tanët kaluan në avantazh pas një harkimi perfekt të Memushajt dhe Kastriot Dermaku me kokë mposhti portierin islandez.
Në fillimin e pjesës së dytë erdhi barazimi islandez, me anë të Sigurdsson (47’).
Avantazhin për kuqezinjtë e riktheu Elseid Hysaj, i cili pasoi te Manaj, që nga ana e tij mbylli trekëndëshin me një passim perfekt me takë, duke e nxjerrë kapitenin e Shqipërisë ballë për ballë me portierin islandez, të cilin e mposhti me këmbën e majtë.
Sigthorsson barazoi rezultatin në 2-2 përpara se Roshi t’i tregonte të gjithëve se nuk është ai që pamë të shtunën në mbrëmje.
Me fitoren 4-2, Shqipëria renditet në vendin e katërt të grupit H me 9 pikë. Grupin e kryeson Turqia dhe Franca me nga 15 pikë, ndërsa Islanda mban vendin e tretë me 12 pikë.