Për afro 400 vjet, rreth vullkanit Nyos në Kamerunin Veriperëndimor, përgjatë kufirit me Nigerinë, shumë mite kanë qarkulluar sesi jetojnë shpirtrat e këqij në të.
Ajo që ndodhi dëshmoi se kishte paralajmërime të vërteta në tregime që i mbanin fëmijët larg liqenit, ekzistonte një rrezik i madh nën sipërfaqen e qetë të Nyos.
“Nuk mund të flisja, mbeta pa ndjenja. U ndjeva i tmerruar. Kam dëgjuar vajzën time të gërhasë me zë të lartë, dukej jonormale. Ndërsa iu afrova shtratit të saj për ta kontrolluar, unë thjesht u rrëzova. Jam munduar të them diçka, por asnjë zë nuk doli nga unë. Vajza ishte tashmë e vdekur”.
Kjo është historia e Joseph Nkwain, një nga të paktët që mbijetoi nga katastrofa natyrore më e pazakontë në histori
Pas një gjëmimi të çuditshëm që pasoi, në atë natë fatale verore, liqeni u shndërrua në një shatërvan që hodhi ujë disa qindra metra në ajër. Pastaj një re e madhe u formua mbi liqen, i cili u formua nga tymi që dilte nga liqeni.
Reja u rrit pa ndërprerë derisa arriti një lartësi rreth 100 metra. Ndërkohë, fshatarët e tmerruar dolën nga shtëpitë e tyre për të zbuluar shkakun e zhurmës, raporton Science Alert.
Kush doli jashtë humbi vetëdijen…
Një re e dendur mbuloi tërë luginën plot me vendbanime njerëzish. Njerëzit binin kudo që ishin, në rrugë, oborr, fusha. Ndërsa disa humbën vetëm vetëdijen, të tjerët vdiqën në dhimbje sapo thithnin ajrin për disa minuta. Në dy fshatrat më afër liqenit, vetëm 4 njerëz mbijetuan.
Atë natë fatale, liqeni Nyos papritmas lëshoi një re të madhe të dyoksidit të karbonit (CO2), e cila mbyti 1746 njerëz dhe më shumë se 3500 kafshë në qytete dhe fshatra afër.
Kjo është hera e parë në histori që natyra ka shkaktuar mbytje të një numri kaq të madh njerëzish dhe kafshësh. Deri më 23 gusht, reja ishte zhdukur dhe të mbijetuarit filluan të zgjohen pas ‘një magji të zbehtë’ që zgjati gati 36 orë.
Ajo çfarë dimë dhe nuk dimë
Shkencëtarët arritën në përfundimin se liqeni Nyos lëshoi një sasi të madhe të dyoksidit të karbonit për rreth 21 orë, dhe meqenëse CO2 është më i rëndë se ajri, ai shpejt u fundos në ultësirat, duke mbuluar gjithçka në një fletë gazi toksik të trashë 50 metra.
“Gazrat vullkanike që burojnë nga toka poshtë liqenit shpërndahen me kalimin e kohës dhe bëhen të përqendruar në ujin më të thellë, dhe temperaturat tropikale formojnë një lloj “kapaku” të ujit të ngrohtë mbi atë të të ftohtit. Është e paqartë se si u thye kjo barrierë, ndërsa shkaktarët mund të jenë të ndryshëm, duke filluar nga tërmetet, rrëshqitjet e dheut, shpërthimet vullkanike, shiu i fortë …”, shpjegon shkencëtari David Bressan.
Në mungesë të një shpjegimi më të mirë shkencor, teoricienët e konspiracionit kanë besuar më shumë pretendimet e disa vendasve se shpërthimi ishte shkaktuar nga testet sekrete të bombave të kryera nga qeveritë izraelite dhe kamerunase.
Për të parandaluar përsëritjen e kësaj ngjarje të tmerrshme, në liqen janë vendosur tuba, të cilët nga fundi i tij nxjerrin CO2 dhe dy instalime shtesë u bënë në vitin 2011, pasi kishte shqetësime se ato të instaluara tashmë nuk tërhiqnin dyoksid karboni të mjaftueshëm nga liqeni më vdekjeprurës në botë.
Sot, liqeni është akoma një rrezik pasi muri i tij natyror po dobësohet vazhdimisht. Vetëm një tërmet mund të shkatërrojë ish-kraterin e vullkanit dhe uji do të përmbyste fshatrat përreth, duke lëshuar sasi të mëdha të gazit vdekjeprurës.