Pema e ullirit është thuajse e vjetër sa toka dhe ende vlerat e saj nuk shterojnë. Çdo kokërr ulliri konsiderohet si një minierë vlerash për shëndetin dhe një mrekulli e vërtetë për shijen. Mund t’i gjeni kudo, duke filluar që nga sallatrat shumëngjyrëshe e deri tek tavat e ngrohta, të mishit apo peshkut.
Varietetet e tyre po ashtu nuk kanë të mbaruar pasi, ndahen në zona të ndryshme prodhimi si edhe lloji në të gjithë botën. Ndonëse ullinjtë janë të mrekullueshëm kur konsumohen të freskët, në recetën e sotme nga AgroWeb.org ju sugjerojmë të provoni ata të pjekurit në furrë. Do t’ju duhen tre përbërës dhe do të keni kurdoherë gati një pjatë magjepsëse për të shoqëruar çdo pjatë.
Janë të veçantë po aq sa kanë emrin dhe shijen e tyre të mirë bashkë me sekretet e përgatitjes i gjeni të shpjeguara më poshtë.
Përbërësit
2 kg ullinj të zinj me farë
1 l uthull molle
1 l vaj ulliri
Përgatitja
Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të filloni duke larë dhe pastruar ullinjtë. Ndajini ata në mes me thikë, lërini pak në ujë e më pas zhytini në uthull molle. Lërini aty për 10-15 minuta e më pas hidhini me kujdes në një tavë të shtruar me letër pjekje.
Bëni kujdes që ullinjtë ti shtroni dhe ti përhapni mirë nëpër të gjithë sipërfaqen e tavës. Futeni më pas atë në furrë në temperaturën 150-170 gradë C, për 30 minuta. Kontrolloni herë pas here nëse janë bërë, derisa sipërfaqja e ullinjve të jetë rrudhur pak. Kur të shikoni që janë gati, nxirrini nga furra dhe sipas dëshirës mund t’i konsumoni menjëherë ose t’i ruani në vaj ulliri.
Për t’i ruajtur në vaj ulliri, do t’ju duhet të prisni derisa ata të ftohen e më pas t’i hidhni kavanoza hermetikë dhe t’i mbushni ata me vaj. Brenda mund të shtoni edhe erëza sipas dëshirës, siç është rigoni apo speci djegës./AgroWeb.org