Shoferi i një kamioni është vlerësuar për gjestin e tij human. Ai ka ndaluar në mënyrë të menjëhershme automjetin, teksa ka parë një vajzë të re, e cila ishte duke u hedhur nga një urë.
Ngjarja ka ndodhur në Dublin të Irlandës, ditën e djeshme, më 20 dhjetor. Gjithçka është parë nga shumë kalimtarë të rastit në autostradën N7, në qytet.
Një foto e realizuar nga Keith Dunne, e cila ndodhej në zonë në atë moment, ka bërë xhiron e rrjetit. Në të duket një vajzë e re, e cila tenton të dalë në anën e jashtme të kangjellave të urës.
Nuk dihet se sa kohë kishte vajza që qëndronte aty, por e sigurt është se ajo po bënte tentativën e radhës për t’u hedhur nga ura. Sipas Dunne, në rast se vajza do të ishte hedhur, me siguri do të kishte vd/ekur në vend, për shkak të lartësisë së madhe të urës dhe mjeteve që lëviznin poshtë saj.
Të shumtë kanë qenë personat që kanë shkuar pranë vajzës dhe e kanë mbajtur atë me muhabet, kanë folur me të për ta qetësuar e për ta bërë që të ndryshojë mendim.
Ajo që ka rënë në sy, ka qenë veprimi i një shoferi kamioni, i cili ka ndaluar në moment pranë urës, në mënyrë që edhe nëse vajza do të vendoste të hidhej, të mos binte nga një lartësi e madhe, por mbi kamion. Kështu ajo do të shpëtonte.
Shoferi nuk është identifikuar dhe as nuk ka dhënë ndonjë deklaratë në lidhje me veprimin e tij, por të shumtë kanë qenë ata që e kanë përgëzuar për veprimin.



