Kush e shpiku Babagjyshin? Po pemën e zbukuruar? Grazhdi (me apo pa qe dhe gomar) cilës kohe i përket? Ja se si janë shfaqur traditat e festës më të dashur në botë:
A lindi Jezusi në vitin zero?
Jo, nuk lindi në vitin e parë të epokës sonë, por më pas ose (pothuajse me siguri) më parë. Rreth vitit 6-7 para Krishtit, sipas shumicës së studiuesve. Nga katër ungjillistët kanonikë, dy (Marku dhe Gjoni) nuk thonë asgjë për këtë temë; një e tretë i kushton një varg telegrafik Krishtlindjes: “Jezusi lindi në Betlehem të Judesë, në kohën e mbretit Herod” (Mateu, 2: 1). Vetëm Ungjilli i Lukës ndalet mbi disa detaje.
Kjo heshtje nuk është befasuese: të krishterët e parë e konsideronin të papërshtatshme që të flisnin për aspekte të caktuara të jetës së Mesisë, të konsideruara tepër “tokësore”.
Por të paktën a ka lindur në 25 dhjetor?
Data e 25 dhjetorit kur Krishtlindja e krishterë feston lindjen e Jezusit është konvencionale dhe është e dokumentuar në kalendarët e festave fetare, duke filluar nga shekulli III-IV pas Krishtit.
Ata që gërmojnë rrënjët e festës së krishterë nuk gjejnë ungjillëzues, në fakt, por një perandor pagan romak dhe një Papë. Perandori ishte Aureliano i cili, duke dashur të unifikojë kulturalisht botën romake, në vitin 274 vendosi me dekret një perëndi të barabartë për të gjithë subjektet (The invictus Sol), duke e caktuar festën (Dies natalis) menjëherë pas solsticit dimëror,
kur ditët rifillojnë të zgjaten përsëri. Kështu, të krishterët gjetën Krishtlindjen e një Zoti tashmë të gatshme si festë. Dhe shumë shpejt ata e zëvendësuan diellin me Jezusin. Më pas erdhi Papa, emri i tij ishte Julius I: ishte ndoshta ai që rregulloi zyrtarisht festën në fund të dhjetorit. Kjo ndodhi në vitin 352, kur Krishtërimi kishte qenë i ligjshëm prej 40 vjetësh.
Kush e shpiku panettone-n?
Ekzistojnë disa legjenda për lindjen e kekut të Krishtlindjeve italiane par excellence, por një nga më të famshmet tregon se panettone u shpik në Milano nga kuzhinieri Ludovico il Moro.
I pari që shkruajti për një fokaçe të ëmbël që të kujton brumin e panettone-s ishte Cristoforo di Messisbugo, një kuzhinier nga Ferrara i cili në vitin 1549 në librin e tij të gatimit foli për një ëmbëlsirë të bërë në anët e Milanos, e bërë nga mielli, gjalpi, vezët, sheqeri dhe qumështi. Ende nuk kishte rrush të thatë dhe fruta të ëmbëlsuara, por brumi ishte i njëjtë.
Kush e bëri pemën e parë të Krishtlindjes?
Sipas legjendës, ishte San Bonifacio (rreth viteve 673-754) që, për të konvertuar popujt gjermanë, u shembi një lis të shenjtë paganëve dhe, për të dëmshpërblyer këtë veprim, u dha një bredh të vogël të cilin e dekoroi duke vendosur qirinj të ndezur në degët që simbolizonin zbritjen e Shpirtit të Shenjtë në tokë me ardhjen e “foshnjës Jezus”. Një kuriozitet: rreth 40 milion pemë Krishtlindjesh priten çdo vit në Amerikën e Veriut.
Pse vendosen dhurata nën pemë?
Kjo traditë vjen nga Evropa Veriore. Por ai që i sjell ato nuk është vetëm Babagjyshi, por edhe Shën Nikolla i Barit, Santa Luçia dhe Shën Martini (11 nëntor).
Kush i krijoi Babagjyshin dhe Santa Clausin?
Santa Claus (në versionin tonë Babagjyshi) doli nga pena e Clement Clarke Moore në vitin 1823, i cili shkruajti poezinë “Ishte nata para Krishtlindjes”, për të dëfryer fëmijët e tij natën e 24 dhjetorit. Santa Claus i ngjan një nisseni, kukudh i mitologjisë vikinge, dhe udhëton me një slitë që tërhiqet prej drerësh.
Cila është nëna e Babagjyshit?
Mund të thuhet se është ilustruesja suedeze Jenny Nystrom (1854 – 1946), e cila në vitin 1875 ilustroi një seri kartolinash urimi me pamjet e para të një Babagjyshi, siç e njohim sot: megjithatë veshjet e tij janë ngjyrë e gjelbër.
Po kush e veshi verdhekuq Babagjyshin?
Eshtë “faji” i ilustruesit amerikan Haddon Sundblom, i cili në vitin 1930 kodifikoi veshjen ngjyrë të bardhë dhe të kuqe të Babagjyshit. E bëri për markën Coca-Cola, që e përdori më pas Babagjyshin në të gjitha pijet e saj.
Ku u shfaq ylli i parë kometë?
Artisti i parë që pikturoi yllin e kometës ishte Giotto në Kapelën e Scrovegnit. Që nga ajo kohë, ylli i kometës që udhëheq mbretërit magjistarë drejt Jezusi bëhet gati një dogmë edhe pse tekstet e lashta që tregojnë historinë e Magëve flasin vetëm për një “yll anomal”.
Kur nisi tradita e kaut dhe gomarit?
Kau dhe gomari i futur në skenën e lindjes datojnë nga ungjijtë apokrifë. I pari që i përmend ishte një tekst, mbase daton ndoshta nga shekulli i katërt, të cilit një falsifikues i shtoi firmën e Shën Mateut. / KultPlus.com