“Shqiptarët për shqiptarët” i janë rikthyer historisë së vogëlushes Flavia. Ajo është katër vjeç e gjysmë dhe jeton më prindërit e saj në Dibër. Flavia kurrë nuk e ka dëgjuar zërin e nënës por as këshillat e babait.
Prindërit janë tejet të trishtuar ndërsa ëndrra e nënës së Flavias është që një ditë të dëgjojë nga e bija t’i thotë fjalën ‘nënë’.“Flavia ishte fëmija jonë i parë, gëzimi i parë. Siç do çift kur vjen fëmija i parë gëzimi është i madh. Kemi qenë shumë të përkushtuar, unë bashkëshorti vjehrra, Flavia po rritej ne prisnim se ajo do reagonte, do i përgjigjej emrit të saj. Kur Flavia mbushi një vjeç ne i bëmë vizitën e parë, por testi i dëgjimit i doli negativ. Për ne të dy u shemb bota kur na thanë se vajza nuk dëgjon.
Nuk donim ta pranonim, nuk ja uroj asnjë prindi, nuk e di. Sesi e kemi përjetuar ne dhe gjithë rrethi jonë familjar”, thotë e ëma e Flavias.“Ajo nuk reagon kur e thërrasim, është shumë e rëndë ai që është prind na kupton çfarë do të thotë kur nuk dëgjon fëmija, kur nuk reagon. Unë e pres të më thotë fjalën baba.
Unë e pres ëndrra ime më bukur kjo është, por me ato mundësi që kisha, kur shkuam në spital më thanë se nuk mund të vendosi as kufje por vetëm duhet të kryejë operacion. Operacioni kushton shumë, unë më një rrogë jam. Dua të shes shtëpinë por kjo nuk është me letra, nuk e merr njeri. Do dilja të jetoja në çadër vetëm që fëmija të dilte në jetë, për fëmijën do bëjë çdo gjë”, shprehet i ati.
Kujtojmë se sezonin e kaluar televiziv emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” trajtoi historinë e tre vogëlushëve. Ata nuk dëgjonin dhe nuk flisnin. Një prej tyre ishte dhe Sokoli i vogël i cili me paratë e grumbulluara nga shqiptarët bujare dhe humane u dërgua në Vjenë por atje mjekët konstatuan se ai kishte lindur pa nervin koklear e si rrjedhim nuk implanti koklear nuk mund të funksiononte tek ai siç funksionoi për dy vogëlushët e tjerë Rubinin dhe Endisi. Por disa javë më parë e ëma e Sokolit ka bërë një gjest tepër human dhe prekës pasi paratë e dedikuara për këtë implant koklear ja ka dhuruar Flavias duke i kthyer shpresën e humbur prindërve dhe vogëlushes për tu operuar.



