Dashi/
Ju do të jeni vërtet një forcë e natyrës gjatë janarit të vitit 2020. Do të përballeni me shumë sfida, të cilat do t’i kapërceni me mënyrën tuaj unike. Jupiteri vazhdon të ndikojë në shenjën tuaj që prej dhjetorit dhe për rrjedhojë, jo gjithçka do të jetë e thjeshtë. Gjithsesi, universi e di që ju jeni të aftë t’ia dilni mbanë. Niseni vitin duke zgjidhur një problem të së kaluar, një debat apo një zënkë me njerëz të afërt që të ndiheni në paqe. Ndoshta e keni të vështirë të mbyllni një bisedë që e shtyni prej kohësh, por kjo duhet bërë. Zëreni se kjo është sfida juaj e parë e vitit. Por mos harroni se nuk keni pse të sulmoni me fjalë personat që ju rrinë afër. Sfidojeni tiparin tuaj si një njeri i vetëkënaqur.
Yjet ju favorizojnë shumë, me në krye Neptunin që kujdeset maksimalisht për të lindurit e kësaj shenje. Pa dyshim që në punë rrethoheni nga njerëz me të cilët mezi prisni të debatoni, por mos harroni se betejën duhet ta bëni me veten dhe të hiqni dorë nga disa zakone të këqija. Reflektoni më shumë për të kuptuar se cilat janë të mirat dhe të këqijat tuaja. Rreth datës 11 do të lini një takim me eprorët tuaj për të bërë një marrëveshje të re rreth punës. Duhet të dëgjoni më shumë sesa të flisni. Pjesa tjetër e janarit do të jetë më e mbarë. Kaloni më shumë kohë me familjen dhe miqtë pas datës 18. Organizoni diçka, një darkë apo një takim me shumë njerëz, pasi edhe vetë do të ndiheni më mirë. Për nga natyra, ju jeni luftarakë të lindur dhe nuk pranoni më pak nga sa prisni. Neptuni do t’ju mbështesë në gjithçka.
Demi/ Pas një viti të vështirë, me shumë punë e me shumë sfida, bëhuni gati që të shkëlqeni gjatë 2020-s. Të gjithë do t’i kenë sytë nga ju në janar, ndaj silluni ashtu si duhet. Nëse kjo vëmendje ju nervozon, mos harroni se jeni të denjë për gjithë këtë përkushtim. Ky është muaji për të treguar se sa të mrekullueshëm jeni. Shumë njerëz do të duan të kalojnë kohë me ju. Këtë muaj do të dalin në pah cilësitë tuaja më të mira dhe do të shijoni vëmendjen. Në datën 8 do të keni një takim të rëndësishëm pune që do t’ju bëjë të ndiheni në dilemë. Mos kini frikë ta hidhni vetë hapin e parë, le t’ju ndjekin të tjerët. Përfitoni nga mundësitë që ju jepen në punë për t’u treguar të tjerëve sa të zotë jeni.
Në datën 12 do të ndiheni disi nervozë në vendin tuaj të punës, por merrini gjërat shtruar dhe bëni sikur s’do të ndodhë gjë. Ndihmoni kolegët nëse kanë nevojë. Data 21 janar do të jetë shumë e rëndësishme për të lindurit në këtë shenjë, pasi Jupiteri do të kalojë papritur në shenjën tuaj. Kjo do të thotë se do t’ju jepen disa mundësi që do t’ju ndryshojnë jetën. Do të njiheni me persona të rinj dhe ndryshimet më të fundit që kanë ndodhur në jetën tuaj do t’ju bëjnë ta shikoni me sy tjetër botën. Pranojini këto ndryshime, pasi është në të mirën tuaj. Efektet e kësaj date do të ndihen përgjatë gjithë vitit. Ushqehuni mirë, ashtu siç dini vetë ju, dhe kushtojini më shumë kohë familjes.
Binjakët/ Për të lindurit në shenjën e Binjakëve, ky muaj do të jetë muaji i dyshimit te vetja dhe te aftësitë tuaja. Ankthi do t’ju çorientojë këtë muaj dhe do të ndiheni në dilemë për gjithçka me të cilën do të përballeni. Nuk bëni dot asgjë për të larguar zërat dyshues në kokën tuaj. Ne ju këshillojmë t’i besoni më shumë vetes. Gjatë javës së parë të janarit duhet të rrezikoni disi më shumë. Përballuni me frikërat tuaja. Mos ndoshta duhet të përballeni me dikë dhe po e shmangni këtë gjë? Ndoshta një vizitë rutinë te mjeku që po e shtyni sa më s’ka? Nuk ka pse të jetë diçka e stërmadhe që duhet të bjerë në sy të të gjithëve. Ju këshillojmë që para datës 7 të përvishni mëngët dhe ta filloni vitin me këmbën e mbarë.
Ndërsa në aspektin financiar, kjo është një periudhë shumë e mirë. Më në fund, do të bëni një blerje të rëndësishme që keni kohë që e mendoni. Një ëndërr që realizohet, një makinë, diçka me vlerë në shtëpinë tuaj që do t’jua bëjë jetën më të lehtë. Java e dytë e janarit është e duhura për t’ia dalë mbanë me sukses. Me siguri i keni disa para mënjanë, pasi keni kohë që kurseni. Shijojini! Edhe në aspektin sentimental, ky muaj do të jetë i favorizuar për njohjet e reja. Një takim shoqëror apo profesional do të japë frytet e veta. Nëse jeni beqarë, mos kini frikë ta hidhni vetë hapin e parë, mjafton një përshëndetje. Planeti që do t’ju mbështesë këtë muaj është Plutoni, sidomos në datat 17 dhe 22. Bëjini sytë katër e mbajini veshët hapur gjatë janarit. Tregohuni të hapur ndaj çdo mundësie të re, sado e vogël t’ju duket. Rëndësinë do t’ia kuptoni më vonë.
Gaforrja/ Për të lindurit e kësaj shenje, janari do të jetë i vrullshëm, sidomos në aspektin profesional. Do të kaloni nga marshi i parë, direkt te i pesti gjatë javës së parë të punës, për të treguar sa vleni. Përse do të ndodhë kjo gjë? Fajësoni planetin e Plutonit. Eprorët do t’ju bëjnë disa kontrolle të papritura për të vlerësuar punët që keni lënë pas dore. Në dukje dashamirës, ky kontroll ka për qëllim të nxjerrë në pah paaftësitë. Ju shfrytëzojeni mundësinë për të shkëlqyer. Por Plutoni s’do të ndikojë vetëm në punën tuaj. Ai do të shkaktojë kaos në gjithë jetën tuaj.
Përpiquni që ta imagjinoni këtë të fundit si një lloj tornadoje që largon gjithçka dhe këdo që ju s’e doni afër. Çdo e keqe e ka një të mirë pas. Plutoni do të largohet nga shenja juaj më datë 29, kështu që kjo çmenduri do të jetë e përkohshme. Për sa u përket parave, kjo periudhë do të jetë frytdhënëse. Personat që kanë aktivitete private do të fitojnë të ardhura të shumta nëse tregohen me mend në kokë. Teksa gjithë kjo rrëmujë ju rrethon, gjejeni ngushëllimin te miqtë dhe familja. Familjarët janë gjithnjë të gatshëm për ju, por duket se ju i largoni vetë. Rreth datës 16 takohuni me dikë të afërt me ju me të cilin keni kohë pa folur. Familja shërben si pikë ekuilibri, por ju nuk e vlerësoni sa duhet. Gjithçka do të qetësohet në datën 1 shkurt.
Luani/ E dini apo s’e dini, ju do ta nisni vitin 2020 me ide të qarta se kush jeni dhe se çfarë doni. Por a mendoni se i dini vërtet ato që keni? Po, e kemi fjalën për gjërat që i keni para syve. Viti për ju do të nisë duke u mbrojtur nga të gjithë. Besojini më shumë vetes. Më në fund, muaj të tërë pune do të japin frytet. Bashkëpunëtorët dhe eprorët tuaj do ta vlerësojnë shumë talentin dhe aftësinë tuaj profesionale. Asgjë nuk ka kaluar pa u vënë re. Rreth datës 14 janar do të merrni pikërisht një lajm që lidhet me profesionin tuaj. Kjo nuk do të thotë të bini në përgjumje, por le të shërbejë ky vlerësim si një fillim i ri me më shumë energji. Keni gjithë vëmendjen e të tjerëve për t’u treguar të gjithëve sa të veçantë jeni. Puna e madhe do të sjellë ndryshime edhe në aspektin financiar. Nëse keni kursyer deri tani, vazhdoni ta bëni për ditë të këqija.
Në janar do ta kuptoni sa mirë keni vepruar. Këtë muaj tregohuni më të kujdesshëm me shëndetin, pasi diku nga mesi i muajit do të përballeni me probleme mjekësore. Mos u trembni, por merrini seriozisht dhe konsultohuni patjetër me një mjek. Javën e fundit të muajit merreni pushim dhe mos u stërmundoni. Edhe njerëzit që ju rrethojnë do të jenë të stresuar, ndaj mos kujtoni se e kanë personalisht me ju në rast debatesh. Kjo periudhë është stresuese për shumë nga shenjat e zodiakut. Kjo është periudha që të dëgjoni më shumë dhe të ndihmoni të tjerët. Gjejeni diku brenda jush dhembshurinë dhe hidheni vetë hapin e parë. Flisni me njerëz me të cilët keni kohë pa komunikuar, qëndroni më pranë tyre, por ç’është më e rëndësishmja, dëgjojini.
Virgjëresha/ Çka keni mbjellë në dhjetor do ta korrni në janar. Të lindurit në këtë shenjë kanë punuar shumë vitin e kaluar dhe janë shpërblyer shumë pak. Janari do të jetë muaji kur ujërat do të trazohen. Neptuni vjen fuqiplotë në shenjën tuaj dhe ndikimi dhe motivimi i tij do të ndihen përgjatë gjithë vitit. Më në fund, dielli po shkëlqen edhe për ju. Do të jeni në qendër të vëmendjes në vendin tuaj të punës. Kjo do të thotë se do të bëni disa punë shtesë apo do të dilni vullnetarë për çdo sfidë që paraqitet. Do të përvishni mëngët mirë dhe të kini besim te vetja se jeni guri kryesor i shahut në ambientin profesional.
Kjo s’do të thotë se jeni arrogantë, thjesht e dini sa të aftë jeni. Nëse gaboni, merrni përgjegjësitë tuaja. Këtë muaj do t’i përqendroni të gjitha energjitë për të qenë më i miri/e mira në punë. Në datën 15 do të vijë edhe vlerësimi për këtë protagonizëm. Rreth datës 19, një takim në dukje miqësor mund të pasohet nga një tjetër romantik. Dikush do të bëhet pjesë e jetës suaj dhe diçka e bukur mund të lulëzojë. Keni nevojë që miqtë t’ju qëndrojnë në krah. Kujdesuni për shëndetin, pasi kohët e fundit po bini në peshë. Gjërat për të lindurit e kësaj shenje janë në binarët e duhur, ndaj nuk duhet të shqetësoheni për asgjë. Këtë muaj, gjithçka do të jetë më e lehtë dhe me po kaq energji do të nisë edhe shkurti.
Peshorja/ Pas rrëmujës që do të shoqërojë ditët e fundit të vitit, ujërat do të qetësohen disi dhe ju do të jeni gati të hidhni hapin e radhës. Këtë muaj do të bini në sy falë punës suaj të madhe gjatë vitit të kaluar ose është thjesht magjia e Saturnit për të gjitha Peshoret. Në janar keni dy misione: Të besoni në çka shohin te ju njerëzit që ju rrethojnë, të besoni se jeni vërtet specialë dhe së dyti, të pranoni lidhjet e reja që do të krijohen. Do të merrni pjesë në të gjitha aktivitetet shoqërore ku jeni të ftuar, sidomos në datën 3 janar, e cila është një datë e veçantë.
Duhet t’i thoni “po” çdo propozimi. Edhe pse gjendja juaj shëndetësore do të jetë e mirë, kjo s’do të thotë se nuk duhet të kujdeseni për mirëqenien tuaj, sidomos për peshën. Dimri është paksa i vështirë për të lindurit e kësaj shenje, pasi çdo gjë funksionon më ngadalë. Data 12 është e përsosur për të nisur një dietë të re. Saturni do të shkëlqejë në shenjën tuaj dhe do t’ju dhurojë një maturi të pashoqe, e cila do t’ju shoqërojë gjatë gjithë jetës. Do të kuptoni se jeni më të zotë nga sa mendoni për të fituar para. Besojuni më shumë instiktive dhe zgjedhjeve që bëni. Data 19 është më e favorizuara në aspektin profesional. Pa dyshim që ky do të jetë një muaj rraskapitës, me shumë punë. Në datën 28 dhe 29 bëni pak pushim për të marrë veten.
Akrepi/ Fillimi i këtij viti do të shërbejë si një start i ri edhe për ju vetë. Jo, s’do të pësoni ndonjë transformim total si në skenat e filmave. Ky do të jetë më së shumti një transformim i brendshëm që keni kohë që e bluani. Gjatë 2020-s do të jeni një fillestar i vërtetë në shumë fusha të jetës. Mund t’ju duket e frikshme, por jo, ndaj bëhuni gati për t’u bërë një “nxënës”. Ky do të jetë misioni juaj këtë vit, të bëheni një njeri më i mirë. Javën e parë të muajit kushtojuani librave apo pasioneve tuaja. Nëse keni disi problem të shpreheni para të tjerëve, bëni një plan apo kërkoni këshilla që t’ia dilni mbanë. Pra, gjeni cilësinë tuaj më të keqe dhe bëni çmos për ta ndryshuar.
Në datën 10 do të gjendeni përballë disa debateve aspak të këndshme nga njerëz që nuk ju kuptojnë. Dëgjojini, respektojini, por vetëm kaq. Mos harroni se edhe një orë e prishur e tregon orën dy herë të saktë, ndaj ndonjëherë duhet t’i lini njerëzit rreth jush t’ju ndihmojnë, edhe nëse mendoni se e kanë gabim. Duhet të tregoheni më të ndjeshëm gjatë kësaj periudhe. Njerëzit ju duan, këtë nguliteni mirë. Plutoni do t’ju favorizojë shumë, sidomos rreth datës 26. Përdoreni si duhet energjinë e tij. Java e fundit do të jetë e shkëlqyer nga ana financiare. Bëjini sytë katër dhe mbajini veshët hapur për çdo mundësi financiare që ju paraqitet. Ndërsa në fushën sentimentale, beqarët i pret një takim romantik aspak i zakonshëm. Do të takoni dikë që keni kohë pa e parë apo që s’e njihni aspak. Gjithçka do të shkojë vaj me fjalët, edhe pse ju druheni të flisni.
Shigjetari/ Në mes të ditëve të ftohta dhe të ditëve më të shkurtra, ju do ta nisni 2020-n me shpejtësi marramendëse. Ashtu si kuajt në stuhi, edhe ju jo gjithmonë e dini se në cilin drejtim po shkoni. Rrugës përballeni me mjegull e dëborë, por ju bëni përpara. Kjo është një metaforë që vlen për ju jo vetëm në janar, por për të gjitha ditët. Edhe pse nuk e dini me qartësi se çfarë ju pret, ju vazhdoni të ecni përpara për të arritur qëllimet. Karriera juaj ka qenë disi e luhatshme, dukeni të papërqendruar, por nga mesi i janarit e më tej, do të merrni në kontroll gjithçka. Jeni gjithnjë në kërkim të kënaqësisë që ju fal puna që bëni. Nëse është e lehtë, nuk bën për ju. E megjithatë, ne ju këshillojmë ta merrni më shtruar e të qetësoheni.
Në aspektin financiar, paratë janë gjithnjë të pasigurta për ju. I keni fituar gjithnjë me mund. Pas datës 11, gjërat do të shkojnë më mirë edhe në këtë aspekt. Do të bëni një punë të shpejtë e të paparashikuar që do t’ju sjellë shumë të ardhura. Këto para kursejini, edhe pse nuk dini mirë ta bëni këtë gjë. Dashuria vjen te ju ngadalë, por e sigurt. Nuk do të ketë dashuri me shikim të parë apo flutura në stomak kur të gjeni personin e duhur. Në jetën tuaj futen shumë persona të rinj, por merreni më seriozisht këtë afri dhe reflektoni se çfarë ndieni për ta. Datat 13, 21 dhe 26 do të jenë më të favorizuara. Venusi ndikon me magjinë e tij dhe bën që të tjerët t’ju adhurojnë. Ndoshta deri në fund të muajit nuk do t’i keni gjërat të qarta si kristali, por ju keni bërë aq shumë rrugëtime në jetën tuaj sa të parandieni çka ju pret.
Bricjapi/ Në janar do të ketë lëvizje të mëdha të planetëve dhe të lindurit në shenjën e Bricjapit do të jenë të parët që do të përfitojnë. Rreshtimi i Plutoni, Saturnit dhe Mërkurit do të arrijë kulmin në datën 10. Ky kombinim jo vetëm që ndodh një herë në jetë, por do t’ju falë të gjitha fuqitë kozmike dhe gjithë pozitivitetin e mundshëm. Janari do të jetë fantastik edhe në fushën sentimentale. Do të bini në sy në çdo eveniment shoqëror. Nëse doni të bini në sy, kjo është periudha e duhur, sidomos gjatë javës së dytë. Intrigues dhe joshës, të tillë do të jeni këtë muaj.
Dhe nuk po flasim vetëm në fushën e ndjenjave, por edhe në aspektin profesional, ku do të bindni eprorët apo kolegët për çdo ide tuajën. Janari do të jetë stresues për shumë nga shenjat e zodiakut në aspektin financiar. Ndoshta ju s’do ta ndieni në fillim, por të tjerët do të ndikojnë. Me siguri këtë muaj do të qerasni shumë njerëz. Në pranverë, financat do të jenë më të qëndrueshme. Data 20 do të jetë shumë e rëndësishme për lojërat e fatit. Ju këshillojmë të blini një biletë lotarie. Diçka mund të ndodhë. Me mbështetjen e Plutonit, Saturnit dhe Mërkurit do të keni fuqi për të bërë gjëra të jashtëzakonshme. Vetëbesimi është cilësia më e rëndësishme. Besojini edhe universit, por mos kujtoni se gjithçka vjen falë yjeve, përvishni mëngët edhe ju.
Ujori/ Gjatë vitit 2020, Ujorët përballen me një kaos të madh, pasi ky vit do të jetë i mbushur me shumë ndryshime dramatike. Por çka të tjerët e shohin si kaos, për ju është diçka e zakonshme. Nëse universi trazon ujërat, ju jeni shumë të ftohtë dhe bëni sikur s’ka ndodhur gjë. Tipike për të lindurit në shenjën tuaj. Fillimi i muajit është i përshtatshëm për të pushuar, reflektuar apo për t’u bërë gati për çka ju pret. Krijoni një plan apo caktojini vetes një objektiv se çfarë doni të ndryshoni këtë vit. Lista mund të jetë e gjatë, por përqendrohuni te më të rëndësishmet. Ecni sa më shumë në natyrë. Pak rëndësi ka se ku punoni momentalisht, në mes të muajit duhet të përpiqeni pak më shumë. Nuk do të bëni heroizma, por në datën 14 ujërat do të trazohen dhe diçka do të ndodhë mes jush dhe kolegëve.
Nëse nuk po merreni me një projekt pune, hartojeni vetë një të tillë. Bëni çmos që puna juaj në janar të bjerë në sy të të gjithëve. Do ta keni pak të vështirë me shoqërinë dhe mezi do t’i bindni ata që doni që të dalin me ju. Mos i merrni gjërat si personale, pasi njerëzit janë të ngarkuar dhe ndoshta s’kanë energjitë tuaja. Në vend që të merreni me ta, përqendrohuni më shumë te vetja. Mos prisni të tjerët që t’ju marrin në telefon. Nëse doni të shkoni në kinema, mund të ikni edhe vetë. Doni të kaloni fundjavën diku, bëni gati valixhen e ikni. Këshilla për t’i bërë gjërat vetë do t’ju shërbejë shumë gjatë këtij viti. Do të zbuloni se ndonjëherë është e bukur edhe vetmia. Problemet dhe kaosi i janarit do t’ia lënë vendin qetësisë që vjen pas stuhisë.
Peshqit/ Marsi dhe Neptuni kanë ndikuar në shenjën tuaj që prej dhjetorit dhe efekti i tyre do të vazhdojë edhe në janar. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë se keni nevojë për një shtysë për të ecur përpara. Njerëzit pranë jush do t’ju ndihmojnë të përballeni edhe me gjërat që keni frikë. Do t’i nisni gjërat ngadalë, por do ta kapni ritmin. Gjatë javës së parë do të përballeni me frikën tuaj më të madhe, një vizitë te doktori që e keni shtyrë, një faturë për t’u paguar, një bisedë që e keni shmangur apo diçka e thjeshtë që s’jua merr mendja. Keni kohë që nuk dini çfarë të bëni me punën tuaj. Sigurisht që keni punuar gjithmonë dhe eprorët gjithnjë ju kanë dashur, por asnjëherë nuk kënaqeni. Ndoshta nuk jeni të prerë për të punuar. Për ju, puna është diçka që “thjesht duhet bërë”. Në datën 6 hapini sytë mirë, pasi yjet do t’ju dërgojnë disa sinjale. Me siguri, ndihma që ju kërkoni. Ndonjëherë gjërat i keni përpara syve, por thjesht nuk i shikoni. Ndryshojeni konceptin që keni për punën.
Miqtë gjithnjë janë përpjekur t’ju bindin se gjërat janë më të thjeshta nga ç’i bëni ju të duken. Peshqit e kanë në natyrë ta gjykojnë jetën si të vështirë. Askush nuk do që ju të ndryshoni. Dëgjojini këshillat, sidomos rreth datës 16. Një sfidë do të paraqitet më datë 20 dhe gjithçka ka të bëjë me marrëdhëniet njerëzore, që ju e keni kaq të vështirë t’i trajtoni si duhet. Nëse pyesni miqtë se çfarë duhet të ndryshoni, dëgjoni dhe do të habiteni nga përgjigjet e tyre. Universi pret gjëra më të mëdha nga ju, pasi keni potencial.