I lindur në vitin 1986 në Francë, nga nëna franceze dhe babai shqiptar i Kosovës (Sefo Beta Krasniqi, një regjisor dhe aktor i njohur i viteve `70 në Kosovë).
Ka studiuar fillimisht Juridikun, por pas vetëm një viti e ka braktisur. Pastaj ka punuar dy vjet në fabrikë, ka udhëtuar rreth dy vjet si backpacker në Amerikë të Jugut, në Afrikë, në Indi, në Nepal, në Azi Qendrore… Më vonë, në Paris, ka studiuar sociologjinë, duke e kurorëzuar me master. Kjo është me pak fjalë CV-ja e Abidin Krasniqit. A ngjan kjo CV në biografinë e dikujt që do të sjellë “Lahutën e Malcis” në gjuhën e Molierit dhe Hygosë? Sigurisht që jo. Dhe pikërisht duke qenë i këtillë, atipik nga shumë aspekte, Krasniqi është më interesant për publikun dashamirës të letërsisë.
Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me përkthyesin e talentuar, ku ai flet për shumëçka dhe sidomos për motivin që e ka shtyrë të përkthejë Fishtën në gjuhën frënge.
Albinfo.ch: Keni lindur në Francë, në një vend që konsiderohet qendra e kulturës botërore, ku kryqëzohen përvoja të ndryshme kulturore dhe ku lindin e vdesin “përdit” shkolla letrare. Dhe, në këtë qendër kozmopolite, ju keni zgjedhur të përktheni “Lahutën e Malcisë”. Çfarë ju shtyri?
Abidin Krasniqi: Jam rritur i rrethuar nga librat. Babai im ishte i interesuar kryesisht për histori, por edhe për antropologji, etnologji dhe histori të feve. Ai ishte në gjendje të fliste disa gjuhë të gjalla dhe të lexonte disa të vdekura (mes tyre, greqishten e vjetër dhe latinishten). Nga të gjithë këta libra, disa ishin në gjuhën shqipe ose mbi shqiptarët. Mbaj mend disa vëllime me këngë kreshnike, “Albanesische Studien” të Johann von Hahn-it, ose “Studi speciali albanesi” nga Antonio Baldacci, etj. Midis këtyre librave në gjuhën shqipe ose mbi shqiptarët, ishte “Lahuta e Malcis” e Fishtës. E lexova ndërsa isha ende fëmijë. Nuk kuptova gjithçka, natyrisht, por historia më mahniti. Pothuajse njëzet vjet më vonë, ndërsa kërkoja diçka tjetër, hasa përsëri “Lahutën…” në bibliotekën universitare INALCO në Paris. E lexova përsëri.
Këtë herë, e kuptova më mirë se herën e parë. Dhe ajo më magjepsi si kurrë më parë! Ndërsa bëra disa hulumtime, pashë që Lahuta ishte përkthyer në italisht, gjermanisht dhe anglisht, por jo në gjuhën e Molière-it. E gjithë kjo po ndodhte në fillim të vitit 2017. Një sëmundje e gjatë më kishte tronditur. Unë po mendoja se çfarë do të bëja në jetë pas një viti e gjysmë pa aktivitet. Përgjigja erdhi natyrshëm: Më duhet ta përktheja Lahutën! Unë isha një nga njerëzit e vetëm që mund ta bëja këtë punë pasi që e njihja edhe shqipen (për më tepër gegnishten) edhe frengjishten. Lexuesi francez duhej të njihte letërsinë tonë, kulturën tonë, civilizimin tonë.
Cili është formimi juaj artistik, letrar? Jeni marrë në përgjithësi me letërsinë si më i ri apo edhe më vonë?
Përgjigjja ime do t’ju befasojë: jo, nuk jam marrë me letërsi. Në moshën 18-vjeçare u revoltova, nuk pajtohesha me shumë gjëra në shoqërinë franceze, fillova të punoja në fabrikë! Pas disa vitesh punë dhe udhëtime të shumta (në Amerikë të jugut, Indi, Nepal, Turqi, Egjipt…), u ktheva në universitet. Studiova sociologjinë, një disiplinë që ishte në kryqëzimin në mes të historisë, antropologjisë dhe shkencës politike (tri disiplina që në të vërtetë me interesonin).
Sigurisht, kam lexuar klasikët e letërsisë franceze: Molière, Zola, Balzac, Céline, Camus dhe të tjerë, por unë qartësisht nuk isha (dhe nuk jam sot e kësaj dite) specialist i letërsisë. Një përjashtim megjithatë: kam qenë gjithmonë i interesuar për poezinë epike: kam lexuar herët Homerin, por edhe Shahnamen, Mahabharatën (në rezyme sepse ka më shumë se 200 000 vargje) dhe Ramayanën e hindusve, apo epopenë e Gesar-it (të tibetanëve). Këto tekste kanë diçka të mrekullueshme dhe e lidhin imagjinatën me historinë, kohërat mitologjike me kohërat aktuale. Këto epope e tregojnë më mirë shpirtin e një populli se çdo libër historik.
Para se ta përkthenit “Lahutën…”, a keni pasur ndonjë përvojë tjetër përkthimi në gjuhën frënge nga shqipja ose anasjelltas?
Jo, nuk kam përkthyer asgjë. Por kam lexuar përkthimin anglisht të Lahutës nga Robert Elsie si dhe disa romane të Ismail Kadaresë, të përkthyer në frëngjisht.
A keni pasur që nga fëmijëria – le të themi, nga babai ose ndonjë familjar tjetër – edukim me letërsinë popullore, me legjendat, epikën e veriut?
Po, qartë. Çuditërisht, babai im nuk ishte nostalgjik për jetën në Prishtinë apo Prizren (jetë që ai si aktor dhe regjisor e kishte pasur shumë interesante), por për jetën fshatare. Shpeshherë fliste për mbrëmjet e dimrit në fshatin e tij të lindjes, dhe ato që burrat ende i përjetonin në vitet `60 në Drenicë apo Rugovë. Ai shpesh evokonte mençurinë e pleqve ose talentin e shahirëve duke kënduar këngë historike ose legjendare.
Ai më tregonte për këto institucione tradicionale ose virtyte që janë besa, ndorja, kanuni, besnikëria… Dhe në të njëjtën kohë, ai e njihte në mënyrë të përsosur historinë e Greqisë antike ose të Persisë së vjetër. Ishte në të vërtetë e çuditshme. Ai më bëri të lexoja këngët kreshnike sepse sipas tij në këto tekste kishte elemente antikë të cilat datojnë mijëra vjet… Nga ana tjetër, ai më foli pak për Lahutën e Fishtës. I vlerësoi disa pjesë të tekstit (këngët e Oso Kukës ose Marash Ucit), por disa të tjera, jo. Për të, Gjergj Fishta, me gjithë bukurinë e teksteve të tij, ishte dikush që nuk i kishte rezistuar Italisë fashiste, dhe ky fakt, sipas tij, ishte i pafalshëm dhe “ja nxinte fytyrën” për gjithmonë…
“Lahuta e malcisë” ashtu si dhe e gjithë vepra e Fishtës është së pari e vështirë për t’u kuptuar nga një lexues i sotëm me gjuhë amtare shqipen. Pastaj edhe më e vështirë, për t`u përkthyer në gjuhë të huaja. Dhe kulmi është kur ajo përkthehet nga një i ri i socializuar në kulturën franceze e jo në atë shqiptare! Sa ka qenë e vështirë që ta përktheni Fishtën dhe ku i keni hasur vështirësitë më të mëdha? Çfarë literature keni përdorur për të kapur më mirë nuancat kuptimore të “Lahutës së Malcis?`”
Kjo është një pyetje që kërkon një përgjigje të plotë. Nuk e pata problem ta kuptoja Lahutën, kjo është e sigurt (natyrisht, kisha vështirësi me disa vargje, këtu e atje, por kjo është e pashmangshme në një epikë prej më shumë se 15 000 vargjesh). Kam pasur më shumë vështirësi ta përktheja : nëse do të ishte shkruar në prozë, do të kishte qenë më lehtë, natyrisht ! Por kam dashur me çdo kusht të ruaj ritmin, frymën poetike të vargut fishtian… pa u larguar nga kuptimi, dhe duke e përkthyer varg pas vargu, as një më pak, as më tepër. Teknikisht, sa u përket fjalëve, jam mbështetur më së pari në shpjegimet (shkruar nga Danjel Gjeçaj) që përmban vet botimi i 1958-ës. Se dyti, kam përdorur shumë fjalorë (atë të Tahir Kolgjinit, Shpalime rreth Lahutës, fjalorin e Gazullit,
atë të Mehmet Elezit dhe Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, Fjalorin e orientalizmave të Tahir Dizdarit dhe të tjerë). Së treti, krahasimi me përkthimin shum serioz anglisht të të ndjerit Robert Elsie më ka ndihmuar shumë. Disa studime tjera mbi Lahutën më frymëzuan dhe më ndihmuan të shkruaj shënimet shpjeguese. Prej atyre duhet të përmendën : Tonin Çobani, “Lahuta e Malcis. Ngjizja mitologjike dhe Fjalori i figurave mitologjike” ; Xhavit Beqiri – “Lahuta e Fishtës : gjuhë dhe stil” si dhe vëllimi mbledhur nga At Benedikt Dema, me titull “Gjergj Fishta O.F.M. (1871-1940)”. Në fund, kam lexuar shumë libra e artikuj për të shkruar fusnotat dhe për të vendosur çdo ngjarje të përmendur në Lahutë, në kontekstin e saj historik (bëhet fjalë për librat e mirënjohur të autorëve Mary Durham, Hyacinthe Hecquard, Auguste Degrand, Margaret Hasluck, por edhe për atë të George Gawrych, Nathalie Clayer, Jean-René Trochet, Robert Elsie…).
Sa ka qenë e vështirë të ruhet edhe metrika e vargut shqip në gjuhën frënge?
Në fillim, unë u përpoqa të ruaj metrikën dhe rimën e vargjeve të Lahutës. Por shumë shpejt, kuptova se ishte e pamundur të ruheshin të dyja pa u larguar nga kuptimi. Kështu që vendosa të ruaj atë që më dukej më thelbësore: metrikën. Tetërrokshin e kam përkthyer në një nëntërrokësh, sepse, sipas meje, është mënyra më e mirë të transmetohet frëngjisht ritmi i Lahutës. Duhet të them gjithashtu se në fillim jam munduar të përkthej në vargje dhjetërrokësh (i cili është ndoshta edhe më i bukur frëngjisht), por nuk kam arritur sukses, pa lëvizur shumë larg nga teksti. Sidoqoftë, nëntërrokëshin e kam ruajtur prej fillimit deri në fund.
Poezia fishtjane ka brenda saj shumë referime historike e kulturore thellësisht (dhe madje edhe “ngushtësisht”) shqiptare. Si ja keni dalë me kthimin e tyre në frëngjishte? A mund të arrihet që Fishta të përjetohet nga lexuesi francez?
Poezia fishtjane është e vështirë të përjetohet plotësisht edhe nga lexuesi shqiptar, atëherë çka mund të thuhet për të huajin! Një shprehje thotë: traduttore, tradittore ! (të përkthesh është të tradhtosh!). Këtë fenomen e kam gjithmonë parasysh dhe mendoj se duhet të nënkuptohet, kur flasim për përkthim. Duke thënë këtë, jam i bindur që një lexim i kujdesshëm, një lexim kurioz, do t’i mundësojë lexuesit frankofon që të kuptojë thellësisht Lahutën. Përjetimi i saj nuk mund të jetë kurrë i njëjti : në Francë, qytetari dhe fshatari, i riu dhe plaku, akademiku dhe punëtori, francezi dhe i huaji, nuk e përjetojnë njësoj Të mjerët e Hugo-s ose një vepër madhore të letërsisë franceze. Por jam i sigurt që secili lexues do të gjejë diçka që do ta prekë, do ta interesojë, do ta intrigojë.
Çfarë kategorish të lexuesve prisni që ta lexojnë “Lahutën e Malcis`” në gjuhën frënge. Ose: në bazë të përvojës së deritashme të shitjes-leximit të librit, a keni një ide ku shitet-lexohet më shumë ky libër?
Tregu i librit është në një situatë të vështirë ekonomike në Francë. Disa faktorë shpjegojnë këtë gjendje. Së pari, koha mesatare e kaluar për të lexuar nga secili person zvogëlohet: ne të gjithë kalojmë çdo ditë më shumë kohë përpara kompjuterit, tabletit ose smartphone-it tonë. Pastaj, shumë zhanre letrare zëvendësojnë gjithnjë e më shumë poezinë: të rinjtë lexojnë më shumë romane, thriller, manga, komike, etj. E gjithë kjo bën që poezia të ketë gjithnjë e më të vështirë për t’u shitur në Francë. Pothuajse asnjë nga botuesit kryesorë nuk pranon të botojë poezi sot! Më në fund, letërsia e huaj ka zënë gjithmonë një vend margjinal në Francë. Edhe autorët e njohur në Francë si Kafka, Borges, Solzhenitsyn, Mishima, Garcia-Marquez, Kundera ose Kadare lexohen pak nga publiku i gjerë. Megjithatë, disa biblioteka e kanë porositur librin, shumë miq e kanë blerë gjithashtu, është shpërndarë mirë në platforma online si amazon.com… Duhet të them që pres edhe më shumë nga ana e diasporës shqiptare: Shqiptarët në mërgim mund dhe duhet ta promovojnë librin. Unë kam udhëtuar tashmë në Bruksel, Gjermani, Shqipëri dhe Kosovë për të folur për librin dhe për ta shpërndarë atë. Mjetet e mia janë të kufizuara. Kështu që, në emër të gjithë kulturës sonë, në emër të vetë Gjergj Fishtës, i thërras të gjithë ata që duan të shohin shkëlqimin e emrit të kombit tonë, le ta promovojnë Lahutën e Malcis !
A keni në duar ndonjë përkthim të radhës?
Po, jam duke përgatitur librin tjetër, një antologji të epikës sonë popullore. Pavarësisht nëse dikush beson se këto këngë datojnë që nga lashtësia, apo se ato datojnë vetëm nga shekujt XVI-XVIII, nuk ka rëndësi. Dhe nuk dua të hyj në këtë debat, i cili mendoj se nuk është i domosdoshëm. Këngët kreshnike janë vjersha epike të shquara, si për stilin e tyre, për estetikën dhe faktet që ato raportojnë. Nuk është për shkak se serbët ose boshnjakët gjithashtu kanë këngë epike, ndonjëherë edhe më të gjata se tonat, që vlera e tyre të zvogëlohet. Kur merret parasysh konteksti në të cilin këto këngë janë transmetuar për breza, nga rapsodë kryesisht analfabetë, tek një audiencë, gjithashtu pothuajse gjithmonë analfabetë, atëherë njeriu kupton se sa e pabesueshme është vetëm ekzistenca e tyre. Një përkthim i nivelit akademik në gjuhën frënge, i plotësuar me shënime të shumta, me indeks, harta dhe ilustrime është i rëndësishëm dhe duhet të bëhet.
Cila është shkalla e njohjes së letërsisë shqiptare në Francë?
Literatura shqiptare është e njohur për publikun e gjerë në Francë vetëm nga një autor: Ismail Kadare. Të apasionuarit pas letërsisë ndoshta i njohin Migjenin, Rexhep Qosjen, Dritëro Agollin apo Ali Podrimën, të gjithë këta kanë të paktën një vepër të përkthyer në frëngjisht. Një vepër aq e rëndësishme sa historia e Zef Pllumit, Rrno vetem për me tregue, e cila është përkthyer frëngjisht, njeh vetëm një shpërndarje konfidenciale.
Marrë nga Albinfo.ch