Pjetër Logoreci, artisti që ngjarjet e trazuara të jetës e çuan emigrant në Austri, bëri çdo përpjekje që me ndershmëri e dinjitet të jetë pjesë aktive e vendit mikpritës.

Pasi perfeksionoi gjuhën, filloi të integrohej në shoqërinë austriake, ku punoi në disa punë të ndryshme në gjykatën penale dhe të punës, si nëpunës në Arqipeshkvinë e Vjenës,

si punonjës social, por edhe si aktor në Teatrin Popullor të Vjenës apo në Muzeun e Arteve.
Por pasi u doli në krye sfidave të integrimit, Pjetër Logoreci nuk do ta këpuste asnjëherë fijen e artë që e lidhte me vendin tij, Shqipërinë, e sidomos me vendlindjen e tij Shkodrën.

Nipi i artistes së madhe Marije Logoreci, por edhe pinjoll i dyerve të mëdha shkodrane patriote e të kulturuara, për 22 vjet emigrim, Pjetri iu përkushtua zbulimit nga arkivat e austriake të historisë kulturore, politike e sociale të Shkodrës, historisë së Shqipërisë, personazheve që themeluan shtetin e pavarur e më gjerë.

Pasi ka çelur një sërë ekspozitash dhe ka krijuar albume apo monografi me zbulesat nga arkivat e Vjenës, Pjetër Logoreci sërish ka shpluhurosur rafte të reja arkivash.

A thua ka bërë gjetje të reja?!
Për këtë rrëfen shumë më shumë Fotoalbumi “Historia shkodrane në fotografi” që sapo ka dalë në dritën e botimit, dhe pritet të promovohet më 29 janar. Në këtë album gjen shumë foto të panjohura,

që iu përkasin viteve 1908 deri 1916, rezultat i një pune kërkimore 6-vjeçare të Pjetrit në arkivat e Vjenës.

Në një intervistë për Report TV, Logoreci rrëfen zbulimet e reja që ka bërë në Arkivin e Shtetit Austriak, Arkivin e Bibliotekës Nacionale të Vjenës,

Arkivin e Bashkisë së Vjenës, Arkivin e Bibliotekës së Universitetit të Vjenës dhe Arkivin e Bibliotekës së Universitetit të Gracit.
Artisti dhe studiuesi Pjetër Logoreci, një model i dashurisë pa kushte për artin, kulturën, librin dhe Shkodrën e tij, rrëfen në këtë intervistë, jo vetëm entuziazmin e tij për zbulimin e fotografive të rralla, por edhe peripecitë e jetës që herë fati e herë rastësia e detyruan të jetonte larg vendit të tij në Austri....