Aida Shtino mbetet prej vitesh një nga moderatoret më të dashura për publikun. Dikur të gjithë e ndiqnin me kuriozitet të madh emisionin e saj “Njerëz të humbur”, ndërsa sot Aida i mungon ekranit.
Moderatorja ka treguar si ia shkatërruan emisionin, çështjet e pazgjidhura që i kanë mbetur peng nga “Njerëz të humbur”, e deri tek jeta e saj personale.
Për emisionin ajo tregon për GSH: “Fatkeqësisht ma mbyllën. Dhe ajo ka qenë dita ime më e mërzitur gjatë gjithë kohës të punës sime. Jam përpjekur shumë ta mbaja me mish e me shpirt, madje disa muaj e kam paguar vetë nga financat e mia personale stafin tim, sepse doja që ajo punë të vazhdonte dhe për këtë nuk jam penduar. Atë ditë kur kam parë të më prishin studion dhe kur erdhi urdhri se duhej të lija zyrat, kam marrë makinën dhe kam shkuar diku vetëm dhe ka qenë një nga ato momente, ku jam ligështuar dhe mendoja se ku gabova? Pse?
Si mundet të mbyllet gjithë ajo punë? Gjithë ato struktura të ngritura në të gjithë botën në kërkim të atyre që mungonin, në kërkim të fëmijëve të zhdukur. Të gjitha i shkatërruan. Në fakt janë shumë “pse” që unë edhe sot nuk u jap dot përgjigje. Për mua, ai nuk ishte vetëm një emision televiziv, por ishte një mision ku ne, një grup gazetaresh po bënim diçka që nuk po e bënte as policia. Ju jeni dëshmitarë vetë të rasteve që ne kemi gjetur”.
E pyetur se cila histori i ka mbetur në mendje, Aida shprehet: “Ka shumë histori. Por sigurisht do të veçoja historitë e fëmijëve të zhdukur. Sa shumë kemi kërkuar dhe atë periudhë pak nga pak po zbulonim atë pazëll që shoqëronte humbjet e tyre. Kur dëgjoj të flitet për historinë e Bleonës apo fëmijëve të tjerë, më vjen keq që nuk bëhen kërkime në thellësi, por thjesht publikohen sa për të bërë lajm. Historia e Bleonës ka dëshmitarë dhe ata dinë gjithë të vërtetën se çfarë ndodhi me vajzën. Këtu nuk e kuptoj pse nuk vepron policia e prokuroria”.
“Ishte një moment kur unë mendova e nisur nga emisioni, se me gjithë ato raste të humburish, do të duhej një impenjim më i madh në rang shtetëror. Kjo qe arsyeja pse u futa në politikë. Për të qenë një zë i atyre njerëzve që vinin tek unë dhe kërkonin ndihmë e që për vite të tëra nuk ishte bërë asgjë. Politikës i dhashë shumë kohë, impenjim, përkushtim. Nga politika mora një shije të hidhur. Kuptova sesi funksionojnë gjërat në këtë vend”, tregon Aida për “Gazeta shqiptare”.
Moderatorja gjate kesaj kohe pandemie ka shkruar një libër dhe pret ta publikojë së shpejti.
“Po këtë kohë pandemie unë e kam kaluar me lexime dhe kam shkruar. Kam bërë një analizë me veten dhe jam munduar të kuptoj shumë gjëra, që më parë as nuk i kisha vënë re për shkak të ritmit të shpejtë të jetës. Përfundova një libër që do ta botoj së shpejti dhe besoj do të jetë me interes edhe për publikun”.
E pyetur për divorcin, Aida u shpreh: “Fillimi mbas divorcit ishte shumë i vështirë dhe sidomos kur je person publik e ke akoma më të vështirë, sepse nuk ke jetë personale, ti i takon publikut. Sot çdo gjë i ka kaluar normalitetit. Çdo njeri ka gjetur rrugën e tij.
Për mua si nënë beqare ka qenë e vështirë, por jam tip luftëtare dhe në çdo moment luftoj pa e humbur kurrë besimin në Zot dhe në familjen time, që me ka qëndruar gjithmonë pranë në kohët e mia të vështira. Unë jam optimiste nga natyra dhe mendoj gjithmonë pozitivisht se e ardhmja do të jetë më e mirë. Dhe këtë do t’u sugjeroja të gjithëve, mblidhini fuqitë edhe në ditët tuaja më të vështira, mendoni pozitivisht dhe largojeni errësirën nga mendja dhe zemra juaj, duke mbajtur vështrimin drejt dritës. Ky është sekreti i kësaj jete”.
Ndërsa për marrëdhënien me djalin, moderatorja tregon: “Jam një nënë si të gjitha, e përkushtuar. Tani ai është këshilltari im më i mirë. Ai është arkitekt dhe megjithëse jemi larg, ne jemi të lidhur shumë. Diskutojmë me orë e flasim për shumë gjëra”.