Gjen nënën me Google Earth pas 25 vjetësh

Saroo Brierley rrëfen historinë e tij në një libër, nga i cili ka marrë spunto edhe filmi i regjisorit Garth Devis, në vitin 2016

 

Saroo Brierley ishte vetëm pesë vjeç, kur e pa për herë të fundit nënën e tij. Një sërë rrethanash e larguan prej saj dhe për 25 vjet ai nuk arriti ta gjente. Në vitin 2011, falë Google Earth, Saroo Brierley dhe nëna u përqafuan përsëri me njëri-tjetrin. Një takim kaq i vështirë, një udhëtim i jashtëzakonshëm, aq sa frymëzoi shkrimin e një libri pikërisht nga ai fëmijë tashmë burrë. Në vitin 2016, libri u ekranizua: “Rrugë e gjatë për t’u kthyer në shtëpi”, me regji nga Garth Davis

 

Historia e Saroo fillon në vitin 1981, në Ganesh Talai, një periferi e Khandwa. Nëna ishte braktisur nga i ati, kur ai ishte ende fëmijë, Saroo vazhdoi të jetonte me të, vëllezërit më të mëdhenj, Guddu dhe Kallu, si dhe motrën Shekila. Në vitin 1986, vëllai i madh Guddu mori trenin në Burhanpur, një qytet 70 kilometra në jug dhe, me insistimin e fëmijës, mori edhe të vëllanë 5-vjeçar. Në Burhanpur, Saroo e zuri gjumi në stolin e një moli, ndërsa Guddu arriti në vendin e tij të punës. Kur u zgjua, e kërkoi të vëllanë në një tjetër tren, u kthye përsëri në gjumë dhe e gjeti veten në stacionin Howrah, stacionin më të madh hekurudhor në Indi, në portat e Kalkutës. Atë natë, Guddu u përplas nga treni dhe vdiq.

 

Që nga ajo ditë, Saroo vazhdoi të marrë trenat në përpjekje për t’u kthyer tek i vëllai. Netët i kalonte rrugëve të Kalkutës, duke jetuar si një i pastrehë, derisa dikush e çoi në komisariat. Më vonë, Saroo u adoptua nga një familje australiane. Nëna, nga ana e saj, mësoi për vdekjen e djalit të madh dhe kërkoi më kot mos gjente gjurmët e më të voglit.

 

Ndërkohë, Saroo ishte rritur në Australi, por sapo arriti moshën madhore, ai filloi të kërkonte familjen e tij të origjinës. Të dhënat e vetme: kujtime fragmentare nga fëmijëria. Këto imazhe të turbullta në mendjen e tij i krahasonte me imazhet satelitore të Google Earth, duke kërkuar stacionin ku humbi të vëllanë. Më në fund, ia doli mbanë: më 12 shkurt 2012, 25 vjet pas takimit të tyre të fundit, Saroo përqafoi nënën e tij biologjike, motrën dhe vëllanë tjetër./Konica.al

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME