Banorët e Beogradit, janë të shqetësuar, për shkak të një tingulli që po i zgjon çdo natë në orën tre, shkruajnë mediat serbe.
Qytetarët e Serbisë që jetojnë në lagjet Baraburma dhe Zvezdara e deri në Grocke, pretendojnë se tash e disa net me radhë po i shqetëson një tingull i pashpjegueshëm.
“Është e pabesueshme, ky tingull nuk mund të krahasohet me asnjë tjetër”, thonë banorët e lagjeve të lartcekura të Beogradit.
“Saktësisht në orën tre të mëngjesit dëgjojmë këtë zhurmë. Sikur dikush dhjetë herë me radhë i bie gongut, është jashtëzakonisht tingull i fortë. Të gjithë vrapojmë nëpër dritare dhe tarraca, por nuk kemi ndonjë shpjegim se çfarë po ndodhë”, kanë shtuar ata.
Banorët e Beogradit janë të shqetësuar dhe frikësuar, duke pritur se a do të ndodhë edhe nesër.