Trahanaja dhe mëngjeset e të dielave janë binomi që na sjellin ndër mend fëmijërinë. E kush nuk e kujton trahananë e ngrohtë me pak gjalpë e djathë sipër, që përlahej menjëherë gjatë mëngjeseve dimërore të së dielave, pranë sobës me dru?
Trahanaja e thartë (me kos), trahanaja e ëmbël (me qumësht), ajo e kuqe (me speca e domate) apo edhe ajo me lëngun e kockave të mishit që përgatitej në Mallakastër dhe disa nga zonat e Labërisë, janë dëshmi të krijimtarisë kulinare të shqiptarëve dhe këtij produkti, sa të lashtë aq dhe të ushqyeshëm. Dhurata Thanasi Daneri sjell dy receta për lexuesit e Living.
Përbërësit:
1 kg miell i butë tip 00
500 ml kos i bërë vetë (ose farë trahanaje të vjetër)
kripë
Përgatitja:
Sitim mirë miellin dhe në mes të sasisë hapim një gropë. Shtojmë kosin që më parë e kemi përzier me pak kripë. Zëmë brumin dhe e punojmë derisa të përftojmë një masë të njëtrajtshme. Më pas, brumin e vendosim në një enë të thellë inoksi ose druri dhe e mbulojmë me një kapak apo qese kuzhine. E lëmë të vijë për gati 36 orë. Pas kësaj kohe, trahanaja e ka shtuar masën e saj gati 3-4 fish. E hapim në shtresa të vogla katrore me gjerësi 10 cm dhe trashësi 50 mm dhe e vendosim të thahet nëpër tepsi apo mbi sipërfaqe të tjera, si për shembull mbi tavolinë.
E lëmë të thahet dhe më pas e thërrmojmë me duar. Pasi të përfundojmë këtë proces e kalojmë në sitë në mënyrë që të përftojmë madhësinë e duhur të kokrrizave. Në përgjithësi rrjeta e sitës së trahanasë është më e rrallë se ajo e një site të zakonshme. Kur të përfundojmë me sitjen, e lëmë të thahet sërish, që të zhduken edhe mbetjet më të vogla të lagështirës dhe më pas mund ta ruajmë nëpër qese të mëdha pëlhure, pambuku ose lini. Trahanaja e re mund të zihet edhe duke përdorur si farë atë të vjetrën, të cilën e lëmë të vijë 2 ditë (raporti 2-3 lugë gjelle trahana me 2 lugë gjelle ujë) dhe e përdorim si fare për trahananë e re.
Trahanaja e kuqe
Përbërësit:
1.5 kg miell i butë tip 00 500 g domate të pjekura 500 g qepë të thata 500 g speca të kuq me tul 80 ml vaj ulliri kripë
Përgatitja:
Përpara se të nisim punën me trahananë, duhet të përgatisim farën me të cilën do ta gatuajmë. Trahanaja e re zihet duke përdorur si farë atë të vjetrën, të cilën e lëmë të vijë 2 ditë (raporti 2-3 lugë gjelle trahana me 2 lugë gjelle ujë). Perimet i lajmë me ujë të bollshëm. Më pas i presim në copa të mëdha dhe i pastrojmë nga farat dhe bishtat. I vendosim në një enë dhe u hedhim kripë dhe vaj ulliri. I ziejmë në flakë të ngadaltë që t’u nxjerrin lëngun. Më pas i kalojmë në një sitë të rrallë dhe përftojmë një pure të trashë. Sitim miellin dhe krijojmë një gropë në mes të masës. Shtojmë purenë e zarzavateve dhe farën e ardhur të trahanasë së vjetër. Fillojmë të zëmë brumin, të cilin e punojmë derisa të përftojmë një masë të njëtrajtshme.
Brumin e vendosim në një enë të thellë inoksi ose druri dhe e mbulojmë me një kapak apo qese kuzhine. E lëmë të vijë për gati 36 orë. Pas kësaj kohe trahanaja e ka shtuar masën e saj gati 3-4 fish. E hapim në shtresa të vogla katrore me gjerësi 10 cm dhe trashësi 50 mm dhe e vendosim sërish të thahet nëpër tepsi apo sipërfaqe të tjera, si për shembull, mbi tavolinë. E lëmë të thahet dhe më pas e thërrmojmë me duar. Pas këtij procesi e kalojmë në sitë në mënyrë që të përftojmë madhësinë e duhur të kokrrizave. Në përgjithësi rrjeta e sitës së trahanasë duhet të jetë më e rrallë se një site e zakonshme. Pasi ta sitim, e thajmë sërish që të zhduken edhe mbetjet më të vogla të lagështirës dhe më pas e ruajmë në qese pëlhure, pambuku ose lini.